PATRIOTIZMI FALLCO. .. DHE AI I VËRTETI

Duke marrë shtysë nga një diskutim në fb
Para pak ditësh në fb u ndesha me një diskutim të zjarrtë, alla shqiptarçe, siç thotë me ironi një miku im. Si përherë  nuk munguan as fjalët  e rënda, banale. Por problemi që përpiqeshin të diskutonin mu duk me interes , prandaj po i kthehem për të dhënë edhe unë mendimin tim pak më gjërë se në fejsbuk.
Shkak i këtij diskutimi ishte rrëfimi i një infermiere shqiptare  të punësuar në Gjermani, që kishte “ofenduar” një nënë shqiptare e cila ishte  për kurim atje, pasi ajo i kishte folur greqisht  dhe jo shqip fëmijës së vet. Infermieria me sinqeritet tregon se ishte penduar për këtë veprim.
Pavarësisht nga kjo, pendesa, rrëfimi i saj ndezi debatin.  Një bashkatdhetari ynë, emigrant në Greqi prej 20 vitesh, e quan infermieren “një patriote fallco”. Unë mendoj se gjithkujt do t’i vinte keq për një fëmijë që nuk flet gjuhën e prindërve dhe të afërmëve të gjakut të tij. Se si do të reagonin është tjetër gjë. Por kjo nuk i jep kujt të drejtën ta quaj infermieren shqiptare “patriote fallco”. Reagimi i saj është emocional dhe ka në thelb dhimbjen për humbjen e gjuhës amtare tek fëmijët e lindur nga prindër emigrantë. Unë kështu e kuptoj.  Në Greqi prej shekujsh jetojnë arvanitasit por nuk e kanë humbur dashurinë për gjuhën dhe kulturën e mëmëdheut, dhe akoma sot këndojnë dhe vallëzojnë këngët dhe vallet e të parëve të tyre. Edhe ata nuk u larguan për turizëm por nga vështirësit, nga uria, zjarri dhe flaka. Por kurrë nuk e mohuan atdheun e të parëve.  Ata nuk gjetën Greqinë e shek. 21 por mesjetën e egër, patriarkanën dinake që fenë e lidhte me atdheun.
I dashur bashkatdhetar, nuk dua të bëj moralizuesin me ty, se jam vet emigrant, por dua të bisedoj si vëllai me vëllanë. Dhe si më i madh më takojnë t’i them dy fjalë më tepër.
Mendoj se edhe ti ke shkruar  gjithë nerva dhe të kanë shkarë ca fjalë të papeshuara. Thua se “Mua Greqia më rriti dy djemtë…” E përsërit dy herë këtë shprehje. Mirënjohja hynë në virtytet e njeriut të mirë por kur teprohet kthehet në të kundërten. Fëmijët i rrite vetë së bashku me shoqen e jetës, me punë dhe sakrifica. ” Tani jetoj si njëri me djersën time.”- shkruan ti më poshtë. Krejt normale. Kryesorja, ti jeton më mirë tani. Edhe Greqia duhet të mburret dhe të lavdërohet me ty. Dikur edhe Shqipëria ka pritur bijtë e Greqisë dhe i trajtoi si njërëz, njëlloj si popullin e vet.
Por nuk e kuptoj, i dashur bashkatdhetar, se çfarë inati ke me gjuhën shqipe. Askush nuk të ndalon të flasësh greqisht. Është gjuhë e bukur, e kulturës së lashtë, është gjuhë e fqinjit tonë dhe vendit ku ti jeton. Por me shqipen ç’pate?
Edhe ajo infermierja shqiptare në Gjermani  këtu e ka patur shqetësimin. Fare mirë ajo nënë shqiptare në spitalin gjerman mund t’i fliste  shqip të birit në se ja kishte mësuar. Nuk çuditem shumë pasi edhe këtu ku jetoj unë shoh nëna të reja që  u flasin anglisht fëmijëve. Por ne  nuk heqim dorë duke punuar me fëmijët dhe prindërit që të ruajnë gjuhën e bukur shqipe. Është respekt për vete. Është dinjitet. Këtu të respektojnë më shumë kur respekton edhe vendin tënd e kulturën tënde, përkrahë asaj që gjetëm këtu.
Të lutem mos mu drejto edhe mua apo shokëve të mi këtu në Filadelfia :”Ju kam dh..rë mu në patriotizëm”. I kam parë ata të punojnë shumë rëndë pas pune dhe në ditë pushimesh për të përshtaur e ripërtërirë një godinë të vjetër, dhuratë e një emigranti, në një qëndër kulturore shumë të njohur jo vetë në Amerikë por edhe jasht kufijëve të saj. Aty gjallon Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë” prej 13 vitesh. Më shumë se 500 nxënës kanë përfunduar 5 vitet e programit lexim, shkrim dhe të folur, të kësaj shkolle. Ndonjë nuk do ta besoj se gjatë vitit që shkoi aty u zhvilluan 38 veprimtari kulturore, shoqërore dhe historike me nivel që do t’ia kishte zili edhe një qëndër e specializuar për këto punë. Prej 5 vitesh, çdo nëntor, kemi ngritur Flamurin tonë kombëtar në qëndër të Filadelfias, kryeqyteti i parë i SHBA, dhe prej vitit që shkoi edhe në Kapitol Hill të kryeqytetit të sotëm të Pensilvanisë, Harrisburg. Kemi dhënë ndihma modeste në raste përmbytjesh në Shqipëri, për shtëpinë e fëmijëve pa prindër në Tiranë, për Shoqatën e Invalidëve në Përmet…
Nuk jemi të vetëm në këtë punë. Janë me dhjetra shoqatat dhe me mijëra bashkatdhetarët të organizuar në shoqata apo jo,, këtu në Amerikën e largët dhe  në Europë, që punojnë me ndershmëri për familjen dhe të afërmit dhe nuk harrojnë për asnjë çast Atdheun dhe gjuhën shqipe. Të jesh emigrantë nuk do të thotë harresë dhe urrejtje por kujtim dhe dashuri pa kusht.
Dhe diçka tjetër. Mos harro se shumë figura të shquara të Rilindjes tonë Kombëtare, njërëz të penës dhe të pushkës, ishin emigrantë dhe iu kushtuan me shpirt Atdheut dhe gjuhës shqipe, sakrifikuan pasuri dhe jetën për këtë gjuhë dhe Atë Dhe. Kështu ndodhi me emigrantët në Itali,Turqi, Egjipt, Rumani, Bullgari, Graqi, Amerikë…. Prej këtej ku jetojmë ne sot u nisën libra, banda muzikore, para, dhe ushtarë për pavarësinë e Shqipërisë dhe mbrothësinë e saj. Të tillët kanë qënë dhe mbeten atdhetarë të vërtetë.
Pra të jesh emigrantë nuk do të thotë se na hiqet e drejta morale të duam Atdhenë, gjuhën shqipe, edhe pse jo të punojmë dhe sakrifikojmë për.
Unë nuk e besoj se ti nuk e do Shqipërinë. E do me shpirt. Por ta kanë plasur buzën politikanët dhe qeveritë që e shkatërruan dhe e vodhën atë të mjerë. Këta lloj politikanësh dhe qeveritë e tyre nuk janë atdheu por varrëmihësit e tij. Janë  ata që bëjnë patriotin fallco, jo ajo infermierja në Gjermani dhe të tjerë si unë e ti që morrëm udhët e botës. Këta patriot fallco nuk janë Atdheu, nuk janë gjuha shqipe, prandaj mos i ngatërro. Asnjë qeveri dhe politikan, apo njëri i thjeshtë nuk barazohet me atdheun dhe gjuhën amtare, që janë tej shënjtërisë. Nuk janë patriotë të vërtetë as ata emigrantë që i kanë kthyer shpinën dhe shpirtin atdheut, gjuhës shqipe dhe të afërmëve të tyre: ndryshojnë emrat dhe mbiemrat e tyre, ndalojnë apo nuk i ndihmojnë fëmijët qe veç gjuhës së vendit të flasin edhe gjuhën amtare, që mundohen tu shmangen bashkimit me bashkatdhetarët e tyre…
Kujdes me fjalën, të dashur bashkatdhetarë pjesëmarrës në këtë diskutim. Çdo fjalë ka peshën e saj dhe shqiptari e ka respektuar me jetë atë, me mënçuri.
Kur del fjala prej goje dhe plumbi prej pushke nuk kthehet mbrapsht, thotë populli ynë. Akoma më e rëndë është fjala e shkruar: “Verba volant scripta manent”.
Kështu i dashur , bashkatdhetari im i mirë, që e thua hapur mendimin tënd dhe e firmos me emrin e vërtet: Ylli Pirolli. Na lodhi moda e pseudonimeve për sharë njëri-tjetrin dhe për tu dukur.
Llazar Vero
Filadelfia, 27 Gusht 2017