SA HERË VJEN NËNTORI…

 Nga Llazar Vero
U bën vite që komuniteti shqiptar në Filadelfia , çdo fund nëntori ngre flamurin tonë kombëtar në sheshin kryesor të qytetit të Filadelfias, me pjesëmarrjen e shumë bashkatdhetarëve dhe përfaqësues të bashkisë së këtij qyteti. Edhe këtë vit, me 27 Nëntor, do të bëhet e njëjta ceremoni por me pjesëmarrje me të kufizuar për shkak të pandemisë virusale. Është kjo një ditë e shënuar për të nderuar luftëtarët e pavarësisë kombëtare dhe pjesëmarrjes sonë në Luftën e Dytë Botërore si aleat të treshes së madhe fitimtare SHBA, Angli, Rusi në luftë kundër bishës nazi-fashiste, që i shkaktoi botës një tragjedi të padëgjuar. E gjithë historia e kombit shqiptar duket sikur është sintetizuar, shkrirë,mbledhur në valëvitjen e flamurit tonë kombëtar, në ngjyrën e kuqe dhe shqiponjën dykrenare në fushë të tij. Një histori luftrash të pafund, sakrificash të panumërta,një histori dashurie dhe dhimbje që na ngre përherë zemrat peshë dhe na mbanë kokën lartë si flamuri me i pastër në botë që nuk u përdorë kurrë për të shkaktuar dhimbje tek të tjerët. Shoqata Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, me të drejtë ndjehet krenare për punën e saj për të mbajtur gjallë në zemrat e bashkatdhetarëve, dashurinë, krenarinë për historinë, kulturën dhe gjuhën shqipe, dhe mirënjohjen ndaj vendit mikpritës Amerikës që përgjatë dy shekujve ka qënë dhe është streha dhe mbështetja e ngrohtë e miqësore e realizimit të ëndrrës sonë kombëtare për liri, bashkim dhe zhvillim. Në kuadër të këtij muaji të shënjtë për popullin tonë, kemi menduar që çdo ditë në Webin dhe FB e shoqatës të vendosim nga një poezi të poetëve tanë, kushtuar dashurisë për Atdheun, lirisë dhe pavarësisë, përparimit dhe nderimit. Po e çelim këtë nismë me vargjet e poezisë së Aleksandër Stavre Drenova (Asdrenit) botuar me 1908 dhe që shërbeu edhe si tekst i Himnit tonë Kombëtar: BETIMI MI FLAMUR Rreth flamurit të përbashkuar Me një dëshir’ e një qëllim, Të gjith’ atij duk’ ju betuar Të lidhim besën për shpëtim. Prej lufte veç ay largohet Që është lindur tradhëtor, Kush është burrë nuk frikohet, Po vdes, po vdes si një dëshmor! Në dorë armët do t’i mbajmë Të mbrojmë atdhenë në çdo kënt, Të drejtat tona ne si ndajmë; Këtu armiqtë s’kanë vent. Se Zoti vet e tha me gojë Që kombe shuhen përmbi dhe, Po Shqipëria do të rrojë; Për të , për të luftojmë ne! O flamur, flamur, shenj’ e shenjtë, Te ty betohemi këtu, Për Shqipërinë Atdhenë e shtrenjtë, Për nder dhe lavdimn’ e tij. Trim, burrë quhet dhe nderohet, Atdheut kush iu bë therror; Për jetë ay do të kujtohet Mi dhet, mi dhe si një shënjtor!