Te veçanta

  100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë

PËR FLAMUR…

Ngrihet për herë të parë Flamuri Shqiptar në Filadelfia

Dhoma e Përfaqësuesve të Pensilvanisë nderon 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Komunitetin Shqiptaro – Amerikan

Këshilli i Bashkisë së Filadelfias nderon 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Si asnjëherë të bashkuar shqiptarët e Filadelfias festojnë 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Gjyshi im betohej shpesh “Për Flamur!”. Betohej edhe “Për këtë Diell!”, “Për këtë Tokë!”.. Por kur betohej “Për këtë Flamur!” fytyra i merrte tjetër pamje dhe sytë i ndizeshin. Ishte betimi më i shënjtë për të.
Kur vjen Nëntori e kujtoj më shpesh këtë betim. Ka një ditë të madhe ky muaj për të gjithë shqiptarët kudo ku janë, dhe që këtu në Amerikë ata i thonë “Dita e Flamurit”. Është dita e 28 Nëntorit, dita e Pavarësisë së Shqipërisë, dita kur plaku Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin dhe Isa Boletinin, ngritën flamurin e Skënderbeut në Vlorë, më 1912.
Ishte muaji prill i vitit të shkuar, kur në mbledhjen vjetore të Shoqatës Atdhetare – Kulturore Shqiptare – Amerikane “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, dikush propozoi që të mendonim që në atë moment për festimin sa më mirë të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. “-Kam mendimin që të organizojmë një fushatë për mbldhjen e fondeve për blerjen e flamujve nga shoqata dhe shpërndrjen e tyre falas në çdo familje shqiptare këtu në Filadelfia. Unë po filloj që sot”- tha ai dhe nxorri nga portofoli 80 dollarë, aq sa i ndodheshin në atë moment në të. Më vonë me të u bashkuan edhe antarët e tjerë të shoqatës, Eqerem Murataj nga Mallakastra, Vlashi Fili nga Kuçova, Eqerem Beqiri dhe Abedin Teme nga Çamëria, Hysë Hasa nga Kukësi, të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të shoqatës si dhe anëtarë dhe jo anëtarë të shoqatës.
Ky ishte vetëm fillimi. Duke u afruar dita e shënuar aq më shumë filluan të vihen në lëvizje anëtarët e kryesisë së Shoqatës. Filluan dhe ndihmat në të holla të shtohen. Ishte Arben Xheka ndër të parët që dha 400 dollarë nga xhepi i tij dhe më vonë edhe 500 të tjera nga llogaria e biznesit të tij. Pastaj dha ndihmesën e vetë në të holla, cifti Anila dhe Jorgo Xhori, që me agjencinë e tyre të fluturimeve dhe përgatitjes së taksave, me profesionalizmin dhe dashamirësinë që tregojnë janë bërë kaq të afërt me bashkatdhetarët, të cilëve u shërbejnë prej kaq vitesh në Filadelfia. Kishin dorë të mbarë se mënjherë pas tyre ofruan ndihmën e tyrë Leonard Pajo i kompanisë “ALB Granit” që dha për këtë qëllim 500 dollarë. Dhe nuk është hera e parë që e ndihmon shoqatën dhe komunitetin shqiptar. Bujarinë e tyre kemi vite që e kemi pasur pranë. Nuk do të zgjatem shumë në listën e njërëzvë që ndihmuan në këtë nismë të shoqatës por sa për të treguar një shtrirje gjeografike po përmënd zotin Mexhit Kobaci prej Kukësi që dha 1000 dolarë, Josif Rrapi nga Fieri që dha po 1000 dollarë për këtë qëëllim, apo Arti Ismailanji prej Korçe, që dha 500 dollare.
Por nuk mund të lë pa përmendur një veprim të bukur të një bashkatdhetari tonë nga Fieri që na dërgoi dy herë si dhuratë me mërgimtarët që shkonin e vinin simbole të 28 Nentorit: flamujë kombëtar, stema, stilolapsa etj të gjitha me flamur. E quajnë Kristaq Ziu dhe është kryetar i Shoqatës Atdhetare “Bashkimi i Kombit”, dega e Fierit, është ai që siç thonë fierakët i ka mbuluar rrugët e Fierit me flamuj kombëtarë. Që nga Ura e Sheqit dhe deri tek ish Uzina e Pambukut, në rruën për në Vlorë dhe nga kthesa e Patosit dhe deri ne periferi të qytetit kur shkon për në Seman, ka kohë që të dy anët e rrugëve janë mbushur me flamujë kombëtar. Nuk del një ditë a një muaj për të nderuar 100 vjetorin e Pavarësisë.
Ndërkaq në Filadelfia vazhdonte puna për organizimin e nje feste që nuk do të harrohej lehtë nga bashkatdhetarët. Kryesia e shoqatës prej kohësh kishte filluar përpjekjet për ngritjen e flamurit tonë nga Bashkia e qytetit të Filadelfias. Me ndihmën e pakursyer edhe të mikut të shqiptarëve dhe “Anëtar Nderi” i shoqatës ‘Bijtë e Shqipes”, gjykatësit të nderuar Matthew Karrafiello dhe të këshilltarit në Këshillin Bashkiak të Filadelfias, zotit Mark Squilla, u arrit që të merrej aprovimi për ngritjen e flamurit tonë kombëtar në shtizën e bashkisë së qytetit dhe pikërisht më 28 Nëntor 2012.
Në godinën e Shoqatës erdhi porosia e parë e flamujve tanë të madhesive të ndryshme. Por kishim edhe shumë për të bërë. Nënkryetarja e parë e Shoqatës vajza e palodhur dhe atdhetare e përkushtuar Erblina Koka, punonte çdo ditë për zgjidhjen e problemeve që na dilnin. Duheshin porositur edhe bluzat e stampuara me shqiponjë dhe datën përkujtimore, duhesh bërë dokumentet për te sjellë një kengëtare nga Shqiperia, duheshin përgatitur ftesat… Ndërkohë në këto ditë ajo priste të merrte diplomën për përfundimin e studimeve Master në shkencat shëndetësore. Dhe ajo erdhi. Midis telasheve te përgatitjes së festës e uruam dhe e përqafuam si vajzën tonë, me dashurinë dhe respektin që e meriton. Vlashi, Llazari, Sadiku, Petriti, Ivziu, Suzana, Bujari, Dhimua, Artani, etj. janë përherë të zënë me punët e shumta të organizimit të festës. Në këto përgatitje nuk hyjnë të papriturat, pengesat e paparashikuara etj, – veç realizimi i qellimit. E veçanta e këtyre përgatitjeve për një 100 vjeterin e Pavarësisë së Shqipërisë ishte grumbullimi i fondeve për blerjen e një numri të madh flamujsh kombëtar për t’ua dhuruar familjeve shqiptare. Dhe bujaria e bashkatdhetarëve tanë këtë herë ishte e vecantë. Përveçse në websajtin e shoqatës që mirëmbahet prej vitesh nga sekretari i saj zoti Vlashi Fili, çdo hap që bënim pasqyrohej tani edhe në facebook-un e shoqatës për të cilin kujdeseshin Erblina Koka, Bujar Gjoka dhe Suzana Vangjeli. Brenda një kohe të shkurtër kjo faqe elektronike ishte bërë e njohur midis te rinjëve shqiptar kryesisht edhe jashtë kufijëve të Filadelfias e Amerikës, por edhe në Europë, dhe në atdheun tonë të dashur Shqipëri. Kemi akoma shumë për të bërë për ta bërë komunikimin elektronik edhe më të fuqishëm edhe më të vlefshëm për komunitetin shqiptar në Filadelfia dhe për Shoqatën.
Ja, kështu, si një ditë e veçantë, në jetën e komunitetit tonë, erdhi mbrëmja për festimin e Ditës së Flamurit, siç e thërrasin tradicionalisht Ditën e 28 Nëntorit këtu. Dhe kjo është diçka e veçantë në jetën dhe veprimtarinë e emigracionit shqiptaro-amerikan për më shumë se një shekull. A nuk u ngrit në Boston për herë të parë Flamuri ynë Kombëtar më 1908, duke e bërë kështu të njohur edhe për shtetin amerikan. Kjo ishte zanafilla e asaj mbeshtetje një shekullore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin e vogël me histori të madhe – Shqipërinë. Këtu ngrihen fuqishëm figurat e atdhetarëve të shquar dhe intektualëve të mëdhenjë si Fan Noli dhe Faik Konica etj., qe ditën ku të mbështeten. “Dita e Flamurit” e thërrasin këtu 28 Nëntorin. I thërrasin kështu që kur nuk kishim shtet por ishim komb. Eshtë flamuri që zë vend që në vargun e parë të Himnit tonë Kombëtar: “Rreth Flamurit të përbashkuar…” Ndoshta jemi i vetmi apo ndër kombet e rrallë në Botë, që në qendër të himnit vendosim flamurin tonë kombëtar. Eh! Sa gjak është derdhur dhe sa sakrifica të pashëmbullta janë bërë për atë flamur që ka mbajtur gjallë shpirtin shqiptar në qindravjeçarë.
Mbrëmja festive e këtij viti për Ditën e Flamurit në Filadelfia, ishte e veçantë jo vetëm se i kushtohej nje jubileu kaq të bukur, 100 Vjetorit të Pavarësisë, por se ishte e mbushur me të papritura të bukura, kuptimplote, për këtë ditë të shenjtë shqiptare.
Kryesia e Shoqatës në hapjen e Mbrëmjes së Flamurit
Pas fjalës së hapjes nga kryetari i radhës i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes”, zoti Sadik Elshani, pasi përshendeti dhe i uroi mirëserdhjen kongresmenit të Shtetit të Pensilvanisë zotit Eduard J. Neilson, si dhe zëvendës ambasadorin e Republikës së Kosovës në Uashington zotin Jetish Jashari, që na nderonin të gjithëve me ardhjen e tyre, ftoi pranë mikrofonit zotin Petrit Zanaj, që mbajti fjalën e rastit. Ndër të tjera mbasi foli për luftrat shekullore të popullit tonë për liri dhe pavarësi, ai vazhdoi: “Ky qëllim dhe ideal i madh, i mbrujtur me krenarinë e të parëve tanë ilir dhe epirotë, me luftën heroike liridashëse të Skënderbeut të madhërishëm, me atdhedashurinë, mënçurinë dhe përpjekjet e palodhëshme të rilindasve tanë të shquar e luftëtarë, u bë realitet në atë ditë të madhe të 28 Nëntorit 1912. Me Ismail Qemalin, plakun e urtë e trim të Vlorës, ishin luftëtarë të shquar si biri iKosovës heroike Isa Boletini, intelektual të mënçëm dhe patriot si Luigj Gurakuqi, pinjollë të familjeve të mëdha me tradita të Shqipërisë……..…”

Pastaj këngë e valle nga të gjitha krahinat e Shqipërisë nga grupi mirënjohur muzikor i Raif Hysenit dhe Merita Halilit, që shoqëroheshin këtë herë nga këngëtari i talentuar Kino Garo. Pista e vallëzimit e restorantit në Hotel Radisson Notheast të Filadelfias mbushet me vallëtarë, kryesisht të rinjë të dashuruar pas valleve popullore. Pastaj këngë dhe përsëri valle                                                              .
Dhe ja erdhi çasti i të papriturës tjetër. Grupi i fëmijëve të Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” që ka hapur shoqata që prej 10 vjetësh do të këndonte këngën – himn të shkollës së tyre “GJuha Jonë”, të kompozuar dhe me tekst të kompozitorit dhe të drejtuesit të muzikës për shumë dhjetëvjecarë në rrethin e Kukësit, zoti Hamdi Gjana. Gjithëçka ishtë krijim i dorës dhe talentit të tij. Edhe zgjedhja e fëmijëve, që këndonin për herë të parë në fundjavat e ngarkuara me prova, kishin në qëndër punën dhe talentin e tij si krijues dhe atdhetar. Ja edhe rezultati i provës së parë në emigrim. Këndonin fëmijët, Vjonis Ramizi, Ari Ramizi, Enxhi Minga, Silvi Minga, Irini Ramizi dhe Nadja Sulçaj, me gjithë zemër, me zërat e pastër fëminor dhe Hamdi Gjanës që i shoqëronte në tastier i shkëlqenin sytë. Bravo Maestro! Ju lumtë fëmijë! – dëgjoshin nga tavolina në tavolinë. Aparatet fotografikë filluan të shkrepeshin. Ishin blicat e parë që binin në fytyrat e fëmijëve. Ndoshta ndonjë prej tyre që do të vazhdoj rrugën e vështirë dhe të bukur të këngës, nuk do ta harroj kurrë këtë mbrëmje,këtë këngë. Pas kësaj kënge i erdhi radha një kënge tjetër të këtij autori me titull “Atdheu”, një këngë me motiv ballade që zhvillohet si një dialog midis fëmijës dhe prindit rreth pyetjes : Ç’është Atdheu!? Grupin e fëmijëve tani e shoqëron këngëtari Ervin Cara, me përvojë në fushën e këngës së kultivuar dhe asaj popullore. Dhe përsëri bukur! Shumë bukur! Salla ngrihet në duartrokitje të fuqishme. Secili gjente në fjalet e këngës diçka nga jeta e vetë. Në Filadelfia po hidhen hapat e një asambli artistik. I qoftë rruga e mbarë! E them këtë se pas këtyre dy këngëve të para u erdhi rradha dy këngëve atdhetare të kënduara nga tri vajza ish nxënëse të Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”, Vesa Dobi, Anxhela Fili dhe Simona Loshi. Këto këngë u përgatiten nga profesionisti me përvojë në punën me fëmijët e talentuar zoti Gojart Dobi. Përsëri emocione dhe duartrokitje të forta.
Një bllok tjetër me këngë dhe valle nga të gjitha krahinat e vendit dhe përsëri një e papritur e bukur dhe me vlerë. Kongresmeni i Shtetit të Pensilvanisë, zoti Eduard J. Neilson i ftuar në këtë mbrëmje festive përshëndet të pranishmit dhe lexon para tyre Nderimin që Shteti i Pensilvanisë, Dhoma e Përfaqësuesve të këtij shteti i ben 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërise, popullit shqiptar dhe historisë se tij të pasur. miqësisë midis dy popujve dhe shteteve ShBA dhe Shqipërisë dhe ndihmesës që kanë dhënë shqiptaro – amerikanët në jetën e këtij vendi të madh. Ky nder dhe vlerësim i madh iu dorëzua Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes” që vepron në Filadelfia, përmes duartrokitjeve të zjarrta të të gjithë të pranishmëve që ishin ngritur në këmbë për të falenderuar mikun e nderuar dhe shtetin e Pensilvanisë për nderimin që u bënin. Nënkryetarja e parë e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Erblina Koka, qe përktheu fjalën e zotit Eduard Neilson, ishte akoma e emocionuar dhe vetëm përsëriste,: “Bukur! Shumë bukur!”. Dhe këto emocione i shihje në fytyrat e çdo bashkatdhetari në këtë mbrëmje të paharruar.
Të pranishmit i përshëndeti edhe zoti Jetish Jashari, zëvendës ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington. Fjala e tij u prit me emocion dhe dashuri. Ishte përfaqësues i ëndrrës së realizuar të pavarësisë së Shqipërisë dhe të atyre mijëra e mijëra luftëtarëve kosovarë dhe udhëheqësve të shquar të tyre si Isa Boletini me shokë, që përgatitën 28 Nëntorin 1912, që dhanë gjithcka për lirinë dhe pavarësinë e trojeve tona.
Dhe erdhi 28 Nëntori kur në qendër të Filadelfias, në shtizën e bashkisë së këtij qyteti historik, do të ngrihet flamuri ynë ikuq me shqiponjën e zezë në mes. Eh, 28 Nëntori 2012, ora 10:00 AM, ishte një datë e madhe, një orë e madhe për të gjithë bashkatdhetarët tanë, për Shoqatën “Bijtë e Shqipes”.
Kishim kohë që përgatiteshim për këtë ditë, por muaji nëntor ishte mjaft i ngarkuar. Punohej çdo ditë dhe nga disa antarë të kryesisë punohej paradite dhe mbasdite. Ishin Vlashi, Llazar, Erblina që i gjeje në godinën e shoqatës në çdo kohë. Kishin shumë punë për të bërë. U blenë flamujë të tjerë, të vegjël dhe të mëdhenjë, u përgatitën bluzat e kuqe me stampën e shqiponjës dhe nën të 1912-2012. u përgatit fotoekspozita kushtuar 100 vjetorit të Pavarësisë… Ka edhe më. Dikush tha që të provojmë për vendosjen e një përshëndetjeje elektronike me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në majë të godinës së lartë të Kompanisë Energjitike PECO, në qëndër të qytetit të Filadelfias. Dhe si gjithmonë e gatshme Erblina Koka, nënkryetarja e palodhur. Hyri në bisedime, përgatiti letër-kërkesën dhe ja më 27 dhe 28 Nëntor të gjithë lexuan urimin: “Happy 100th anniversary of independence, Albania!” Sidomos pasi binte muzgu i mbrëmjes kjo dukej nga të katër anët e qytetit. Ishte gëzim, ishte një ndjenjë krenarie që na ndizej në zëmër. Dy ditë me radhë kështu.                      Po më 28 Nëntor!?. Pas një dite të akullt me shi dhe rreshje dëbore, 28 Nëntori ishte një ditë e kthjellët, gjithë dritë dhe ajër të pastër. Temperaturat e ulëta nuk i penguan njerëzit të vinin në qendër të qytetit, atje ku do të ngrihej Flamuri ynë i shënjte, flamur nga më të vjetërit në botë dhe nga më të ndershmit. I ka prirë popullit në shekuj, gjithmonë në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së vet, në ndihmë të të tjerëve dhe asnjeherë për sulme, grabitje dhe pushtime. Ndaj kemi të drejtë të jemi krenar, përherë me kokën lartë dhe flamurin më lartë. Biznesmeni fierak Fred Xhema kishte vajtur që herët në mëngjes me dy-tre punëtor të tij për të ngritur dy tenda, që ishin porositur për çdo të papritur të motit. Për punën e tij në ndihmë të komunitetit dhe të shoqatës, ka shumë për të thënë. Por të ndalemi vetëm tek përgatitjet për 28 Nëntorin. Mori përsipër përgatitjen e flamurit të madh, 6 feet me 10 feet, që do të ngrihej në qendër të qytetit dhe e bëri. Menaxherja e kompanisë së tij ALBS Constraction, zonja amerikane Gail Maria, na u gjend pranë për çdo problem, që nga më të thjeshtët deri më të ndërlikuarit, sidomos në lidhjet me zyrat e City Hall-it, me shtypin dhe kanalet televizive lokale, përgatitjen e parrullave të mëdha etj. Ajo është e kudondodhur përherë për zgjidhjen e problemit. Dhe Fredi i gatshëm për çdo ndihmë. Nuk harroi të blinte as brief case, ku do të vendosej flamuri pasi të ulej, as kutinë trekëndëshe për vendosjen e flamurit në muzeun e shoqatës… Nga Montreali i Kanadasë bashkatdhetari ynë Artur Vero, na dërgon si dhuratë për këtë 100 vjetor 1200 stikera me flamurin tonë dhe vitet e mëdha në të dy anët:1912-2012. Ishin stikerat më të kërkuar në mbrëmjen e madhe dhe më 28 Nëntor 2012, në ditën e ngritjes së Flamurit.
Ja dhe 28 Nëntori 2012. Bashkatdhetarët sa vinin e shtoheshin. Kishin ardhur edhe nga Atlantik City. Ishin të rinjte ata që përbënin shumicën e pjesëmarrësve në këtë ceremoni. Dhe kjo na shtonte më shumë gëzimin. Kishte edhe fëmijë të vegjël në mes tyre. Ishte edhe Elira 8 muajshe me të motrën 3 vjeçare Vjosa Cumani që kishin ardhur me mamin, gjyshin dhe gjyshen në këtë manifestim të Ditës së Flamurit.
Mbi kokat e njerëzve valaviteshin flamujtë shqiptar dhe midis tyre ata amerikan. Edhe në duart e fëmijeve dhe të moshuarve kishte flamujë më të vegjël. Të rinjtë kishin hedhur shpatullave flamurin tonë. apo e valëvisnin atë fuqishëm në ajër, e ngrinin lart dhe bënin fotografi në grup.
Erblina me të vëllanë Armirin kishin marrë masat që ceremonia te transmetohej në rrugë elektronike edhe në Shqipëri dhe Europë. Telefonat dhe urimet e para erdhën nga Atdheu, Gjermania dhe Italia. Në qoshe të City Hall-it dëgjohet buria e disa makinave që ishin “veshur” me të kuq, mbuluar e valvitur me flamujtë tanë. Ishte Haki Çollaku prej Kukësi me të birin Drilonin dhe Azem Zekan, makina tjetër ishte e Ervin Rrokajt nga Vlora dhe Eldi Gjoçajt me shokë që e kishin dekoruar makinën mjeshtrisht dhe me dashuri… Florian Bezhani, kameramani i pasionuar që ka regjistruar jetën e shoqatës në këto 10 vjet, kalon nga një qoshe e sheshit në tjetrën me kameran e tij dhe interviston pjesëmarrësit. Të gjithë janë të gëzuar. Sa gjëra të bukura mund të bëjmë kur në mes është mirëkuptimi dhe dashuria vëllazërore, qëllimi i përbashkët.
Muzika dhe vallja shqiptare kishte kohë që kishte filluar. Ishte përsëri mjeshtri Gojart Dobi që me tastierën e tij kalonte nga një krahinë në tjetrën. Vajzat e kryesisë së Shoqatës Erblina dhe Krisa ishin të parat që ia nisën valles, pastaj Petrit Zanaj dhe të tjerë e të tjerë. Tri vajzat këngëtare, Vesa Dobi, Simona Loshi dhe Anxhela Fili kënduan këgë patritike.
Ndërkohë erdhën përfaqësues të Bashkisë së Filadelfias, këshilltarët Mark Squila dhe David Ho si dhe miku i shqiptarëve, gjyqtari Mattheë D. Carrafiello, i cili na ndihmoi që në hapat e para të realizimit të këtij qëllimi dhe deri në realizimin e tij. Ai ndjehej po aq krenar dhe i gëzuar sa edhe ne shqiptarët. “Është një miqësi e vjetër, gati 40 vjecare”, na tregon ai për shkakun e gëzimit të tij. Pas himnit të Amerikës, himni ynë kombëtar që u këndua nga këngëtari Ervin Cara, shoqëroi ngritjen e Flamurit tonë nga Sekretari i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” ing. Vlashi Fili.
Nga ora 10:10 AM të datës 28 Nëntor deri në ora 03 PM të datës 29 Nëntor Flamuri Shqiptar u valëvit krahas atij Amerikan
Shpërthyen duartrokitje të zjarrta dhe thirrjet :”Rroftë Shqipëria”, “Albania-USA” etj. Pjesëmarrësit valëvisnin furishëm flamujt e të dy vendeve miq dhe parrullat: “Thank you USA!”, “Rroftë 100vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë!” etj. Në përshëndetjen e kryetarit të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, zotit Sadik Elshani, pasi falenderoi pjesëmarrësit, qytetin e Filadelfias, ShBA dhe përfaqesuesit e City Hall-it, midis të tjerave tha: “Miqësia Shqiptare – Amerikane ka rrënjë të thella dhe histori të gjatë, duke filluar me përkrahësin kryesor, Presidentin Willson, i cili pas Luftës së Parë Botërore, mbrojti pavarësinë e Shqipërisë dhe parandaloi ndarjen e mëtejshme të teritoreve shqiptare. Presidenti Klinton shpëtoi popullin shqiptar të Kosovës nga pastrami etnik i regjimit të Slobodan Milosheviçit. Falë kësaj ndërhyrjeje dhe mbështetjes së vazhdueshme të Nato-s Kosova është një vend i lire dhe i pavarur. Për këtë shqiptarët u janë gjithmonë mirënjohës SH.B.A.-së dhe aleatëve të saj. Pas kësaj zoti Sadik ia dha fjalën Këshilltarit Mark Squilla që lexoi vlerësimin e qytetit të Filadelfias me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, kontributin e shqiptaro-amerikanëve në jetën e qytetit, etj. Ndërmjet të tjerash theksoi: “Këshilli i Qytetit të Filadelfias është i lumtur dhe krenar të nderoi gjithë shqiptaro-amerikanët në 100 Vjetorin e Pavarësisë të vendit të tyre. Ne jemi mirënjohës për miqësinë dhe mbështetjen e tyre ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe kulturës dhe traditave që emigrantët shqiptarë kanë ndarë me ne. Ne i urojmë Shqipërisë edhe shumë vite ardhmëri…………..”
Fjala e tij u mbyll në mes duartrokitjesh të zjarrta. Anëtarët e Kryesisë së Shoqatës Llazari, Vlashi, Ivziu, Erblina, Sadiku, Bujari, Petriti, Zana, Krisa, Elvira, Dhimo, Artani, ndjeheshin jo vetëm të gëzuar dhe krenar për atë ç’ka kishin arritur, por edhe lodhjen nuk e ndjenin si më parë. I meritonin përgëzimet dhe urimet nga bashkatdhetarët. “Gëzuar dhe për shumë vjetë Ditën e Flamurit!”, dhe ata duke buzëqeshur hidhnin sytë lart ku valëvitej krenar flamuri ynë me një përbetim brenda vetes ; “Për atë Flamur!”
Pas ceremonisë së ngritjes së Flamurit të gjithë u ftuan për koktejlin tradicional të shoqatës në godinën e saj. Gatimet ishin përballuar nga familjet e antarëve të kryesisë së shoqatës, nga shoqata vet dhe nga shumë bashkatdhetarë që hynin në derë me duar plotë për të sjellë diçka në këtë ditë gëzimi. Kënga dhe vallja vazhdoi deri vonë atë ditë. Ishim të gjithë të gëzuar dhe krenar për flamurin tonë, për atdheun tonë. Flamuri na bënte thirrje për të qënë gjithmonë bashkë, për ta nderuar dhe respektuar atë çdo ditë, se ai është brenda nesh, në gjakun dhe në zemren tonë.
Për dy ditë me rradhë Flamuri ynë i kuq me shqipen dykrenore, u valëvit në qendër të qytetit Filadelfias. Në familjet shqiptare, në qendra pune, në facebook, në kafenetë e shqiptarve të gjitha bisedat vërtiteshin rreth flamurit. Ndjeheshim të gjithë krenar.

Llazar Vero

Nëntor 2012