NJË STINË E RE …PUNE

Erdhi vjeshta, shtatori, një stinë e re pune, veprimtarish, projektesh dhe dëshirash për të bërë sa më shumë  për komunitetin shqiptar në Filadelfia, për të ngritur sa më lart emrin e Shqipërisë, Atdheut tonë të dashur.
10 Shtatori ishte dita e parë e mësimit në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë” të Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia. Përgatitjet kishin filluar kohë më parë, me lajmërimet në fejsbukun dhe Web-in e shoqatës, në takimet e rastit apo të organizuara, me përgatitjet e bluzave me logon e shkollës për nxënësit, për librat e mësimit, një dhimbje e gjatë e drejtuesve të shoqatës për sigurimin e tyre gjatë përgatitjes së vitit të 14 të shkollës, etj.
Në mes gëzimit, merakut për fillimin sa më mirë të ditës së parë të shkollës, nga Nju Xhersi, vijnë një grup bashkatdhetarësh me Mihal Janon, mikun e vjetër të shoqatës. Pasi provoi për disa vite emigracionin në Greqi me gjithë familjen, ai fitoi llotarinë amerikane dhe u vendos në Nju Xhersi. Në Greqi ishte bërë i njohur midis bashkatdhetarëve për punën e palodhur për organizimin e tyre në shoqatë, për veprimtaritë kulturore dhe shoqërore, për kulturën e gjërë , sidomos rreth historisë së lashtë të Myzeqesë dhe trevave të Lushnjës e Fierit, ku lindi dhe u rrit. Ai kështu po ndiqte rrugën e hapur nga i ati, Llaqi Jano, një veteran i palodhur dhe i respektuar në të gjithë Myzeqenë dhe më gjërë.
Nuk kaloi shumë kohë pasi u vendos  në Fairview të Nju Xhersit, ai erdhi në Filadelfia për tu njohur nga afër me veprimtarinë e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”.
– Ju kam ndjekur me interes dhe respekt , për aq sa mundja, që nga Greqia , dhe më shumë gjatë kohës që jam fqinji juaj, nga Nju Xhersi.  Shkurt mund t’iu them “Ju lumtë ! Keni bërë një punë për tu patur zili dhe për tu marrë shëmbull.”
Pastaj ai hapi disa çanta që kishte sjell me vete dhe i dhuroi bibliotekës së shoqatës libra të autorëve emigrantë në Greqi por edhe botime të Tiranës.
Edhe këtë herë nuk erdhi vetëm. Me të ishin edhe Shpëtim Borova, Niko Gjoni dhe Nisi Nushi. Miku i vjetër i kurbetit në Greqi, labi nga Fieri, Sotir Goxhaj, me të cilin kishte ndarë hallet dhe gëzimet e organizimit të emigrantëve në atë vend,  e priste i përmalluar. Kishte sjell me vete, bashkë me mallin edhe një shishe raki.  A thua për ta shuar apo ndezur më keq atë mall që na djeg të gjithëve?! Nuk e di. Pastaj erdhi dhe një mik tjetër i tij, Amarildo  Lloshi me gjithë  një të afërm të tij.  Ku është Mihali janë patjetër edhe një grup shqiptarësh. Ai ndjell bashkim dhe dashuri kudo që është.
Edhe këtë herë nuk erdhi duar bosh. Disa çanta e rrethonin karrigen ku ishte ulur dhe pinte kafenë me një gotë raki rrushi, që të zotët e shtëpisë i kishin gostitur miqtë e sapoardhur. Ato prisnin të hapeshin. Vendin e parë e zinin librat e çmuar të specialistit të njohur të bujqësisë, gazetarit dhe studiuesit Ilo Foto, jo vetëm për nga numri, por jam i sigurtë edhe për nga cilësia e të shkruarit, thellësia e mendimit, dashuria pa fund për Atdheun tonë të dashur. E njoh prej disa dhjetëvjeçarësh firmën e tij nga shkrimet në shtypin e ditës  apo revistat e specializuara të bujqësisë në Tiranë. Në të kishte përherë diçka për të mësuar dhe për të ndryshuar.  Në to ndërthurret shqetësimi i specialistit të kualifikuar dhe qytetarit të shqetësuar, si psh: “Fshatarësia e tradhëtuar”, “Braktisja e fshatit”, “Bujqësia dhe mjedisi në tranzicion”, “Mushkëritë e plagosura të Atdheut”, …
Të më ndjejnë autorët e tjerë që na dhuruan librat e tyre nëpërmjet Mihal Janos, si Nokë Sinishtaj me librat e tij “Cui Bono”, “Dejka kujtimesh”, “Motive malësore”, apo librat e Gjon Markut “Antologjia e mendimit të sotëm për Mirditën”, “Mirdita vendi i kuvendeve veteqeverisëse”, “Mirdita në vizionin filatelik”,  që i lamë për në fund,por e respektuam Ilo Foton në fillim, jo vetëm për vlerat por edhe për moshën e bukur.
Do të vij koha që të flasim më gjërë për këto libra dhe autorë. Por për një gjë jam i sigurtë, se me to u pasurua më shumë Biblioteka e Shoqatës me emrin e të nderuarit, foneticienit të gjuhës shqipe, antarit të nderit të kësaj shoqate, Anastas Dodi.
Një falenderim i sinqertë ndaj të gjithë autorëve dhe të palodhurit bashkatdhetar dhe veprimtar Mihal Jano me miqtë e tij.
Ardhëshi përherë me duarplotë dhe zemrat plotë!
Kështu nisi një stinë e re pune  për Shoqatën Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes” me fillimin e mësimeve në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”, me pritje shokësh dhe miqësh, me planet per festimin sa më bukur të 105 vjwetorit të pavarësisë së Atdheut tonë të dashur, me përurime librash dhe autorësh, me pregatitjet për vitin 2018 si vit i Heroi tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbeut…
Qoftë një stinë e mbarë për të gjithë.
LLAZAR VERO
Filadelfia , 10 Shtator 2017