Nevojë e domosdoshme gjuhësore e kombëtare: Ta pasurojmë dhe ta pastrojmë gjuhën tonë

Ta flasësh e ta shkruash bukur, pastër gjuhën tënde nuk është vetëm kulturë, por është edhe atdhedashuri
Gjuha shqipe është pasuria jonë më e madhe kombëtare, vlera më e madhe shpirtërore që ka krijuar populli ynë ndër shekuj. Gjuha është elementi themelor që përcakton identitetin e një kombi. Ja si shprehet profesor Çabej për këtë element të rëndësisë parësore: “Gjuha pasqyron një kombësi, ajo është pasqyra më e qartë e një kombësie dhe kulturës së saj. Shkalla e pasurisë dhe e pastërtisë së gjuhës është një tregues i nivelit të kësaj kulture. Prandaj, ringjalljet nacionale kudo e në çdo kohë  kanë shkuar hap më hap me pasurimin dhe pastrimin e gjuhës”. Kjo është karakteristike edhe për njërën ndër periudhat më të ndritura të historisë sonë, të zgjimit dhe ringjalljes sonë kombëtare: Periudhën e Rilindjes Kombëtare.
Pasurimit dhe pastrimit të gjuhës shqipe i kanë kushtuar rëndësi të posaçme të gjithë gjuhëtarët dhe dijetarët tanë për të cilët dimë gjer më sot, që nga Buzuku e këndej. Gati të gjithë shkrimtarët, atdhetarët, veprimtarët e Periudhës së Rilindjes Kombëtare: Kristoforidhi, Veqilharxhi, De Rada, Naimi, Samiu e shumë të tjerë, i kushtuan një kujdes të veçantë pasurimit të gjuhës shqipe, duke e pasuruar gjuhën tonë me fjalët: jetëdhënës, ndërgjegje, pikë e prese, dritare, gjithësi, hapësirë, fletore, mësim, e shumë të tjera. Ndërsa poetët tanë më me zë: Naim Frashëri, Dom Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta, e shumë të tjerë pas tyre, vargjet më të bukura ia kushtuan gjuhës shqipe, duke i thurur himne gjuhës sonë të ëmbël.
Kur flasim për pastërtinë e gjuhës sonë, vlen të përmendet këtu ndihmesa e madhe e profesor Aleksandër Xhuvanit, i cili në vitin 1956 botoi librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”, ku ai sjell shembuj të shumtë të fjalëve të huaja që mund dhe duhet të zëvendësohen me fjalë përkatëse shqipe, që tingellojnë po aq bukur – ndoshta edhe më bukur. Edhe profesor Çabej me studimet dhe artikujt e tij u angazhua në këtë fushatë për pasurimin dhe pastrimin e gjuhës sonë. Në gazetën “Mësuesi” (28 mars – 4 prill, 1979) ai botoi një artikull të gjatë dhe që në fillim të këtij artikulli ai sjell fjalë të formuara e të vëna në përdorim nga shkrimtarët tanë të hershëm: Buzuku, Budi, Bogdani e Bardhi, fjalë si: popull, vegjëli, grykësi, pushim, rrëfim, vjershëtar, etj. Sipas prof. Çabejt, dy janë rrugët kryesore që ndiqen në pasurimin e gjuhës letrare: E para është marrja e fjalëve të gjalla në ligjërimin e popullit dhe e dyta është formimi i fjalëve të reja – nologjizmave. Po në këtë artikull prof. Çabej sjell shembuj nga trevat e ndryshme shqiptare, ku fjalët e huaja mund të zëvendësohen me fjalë të gjuhës popullore. Ja disa shembuj që jep ai: Çamëria zbutjes së një peme me anë shartimi i thotë zbutoj; Myzeqeja grykës së lumit që derrdhet në det i thotë gojkë, d. m. th. “gojë”; Zagoria për “që moti, lashte” thotë lashtërisht; në Kosovë një njeriu që ka të njejtin emër me një tjetër i thonë emnak, ndërsa për “kalldajë”, ngrohtore. Në fund të këtij artikulli prof. Cabej sjell një listë prej mëse 160 fjalësh të huaja që mund të zëvendësohen me fjalë shqipe pa humbur aspak vlerën kuptimore të këtyre fjalëve.
Në këtë shkrim të shkurtër, që nuk është një studim shkencor, do të përqendrohem në disa probleme me të cilat po ballafaqohet, po sfidohet sot gjuha shqipe. Janë këto disa probleme shqetësuese që janë duke i bërë dëm të madh gjuhës sonë. Duke shfletuar gazetat e shkruara dhe ato elektronike, duke dëgjuar radion apo duke shikuar televizionin, si dhe në të folmen e përditshme, dëgjojmë fjalë të çoroditura që e dhunojnë gjuhën tonë, fjalë si: “lluku” (pamje apo dukje, pah), “mazhorancë” (shumicë), “lidershipi” (udhëheqja, udhëheqësit, prijësit), “President” (kryetar), “divorc” (ndarje, shkurorëzim, çmartesë), “bodigardi” (truproja), “killeri” (vrasësi), e shumë të tjera që nuk mund t’i përmend tani, sepse fatkeqsisht lista është shumë e gjatë. Duke shfletuar “Fjalorin e Shqipes së Sotme, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (Tiranë, 2002) shoh shumë fjalë të zakonshme, të përditshme të gjuhës sonë që nuk janë në fjalor. Ndërsa ne fjalor ka shumë fjalë të huaja që mund dhe duhet të zëvendësohen me fjalë të gjuhës shqipe: “aktivitet shndërrues” (veprimtari), “aktivist” (veprimtar), “transfer” (zhvendosje), “transformues” (), “transmision” (përçim), “tendencë” (kahje, prirje, anësi), “leksion” (ligjeratë) e shumë të tjera. është për t’u habitur një dukuri që e hasim në fjalorët e gjuhës sonë: botimi i mëvonshëm i fjalorit ka më pak fjalë se botimi i mëparshëm. Duhet të jetë e kundërta: botimi i mëvonshëm duhet të ketë më shumë fjalë se botimi i mëparshëm, sepse gjuha vazhdimisht duhet të pasurohet me fjalë e shprehje të reja. Siç duket gjuha jonë pasurohet vetëm me fjalë e shprehje të huaja. Të gjitha gjuhët e botës marrin nga njëra tjetra, përfshirë këtu edhe gjuhët më të pasura që mbizotërojnë në botë, por jo në menyrë kaq të pakontrolluar siç është duke ndodhur sot me gjuhën shqipe.
Jo vetëm në fjalor, por edhe në sintaksë vërehen gabime të shumta. Thurja e fjalive, radhitja me vend e fjalëve në fjali ka rëndësi të madhe, sepse në të kundërtën i humbet kuptimi fjalisë, mendimit të shprehur. Po ashtu, gabimet drejtshkrimore janë të pranishme në shumicën e shkrimeve gazetaereske e publicistike, madje edhe në dokumente zyrtare. Kohëve të fundit po vërehet nje kahje në shkrimin e disa emrave te gjinisë femërore që duhet të mbarojnë me –nja, por ja që në shumicën e shkrimeve mbarojnë me –nia: historiania (historianja), politikania (politikanja), republikania (republikanja), e shumë fjalë të tjera të kësaj natyre. Ka gati dy vite që në të gjitha mediet e shkruara dhe ato elektronike, por dhe në gjuhën e politikanëve tanë analfabetë e hasim fjalën “vetting” dhe askush as që e çanë kokën që këtë fjalë të huaj ta zëvendësojë me një fjalë shqipe të cilën e kemi në fjalorin tonë. Vetting është një kontrollim, vizitë e hollësishme mjekësore.  Pra dicka që shqyrtohet, kontrollohet me hollësi e në mënyrë shumë kritike, sidomos për një kandidat që është emëruar për një pozitë udhëheqëse në administratën amerikane apo ndonjë organ a institucion te rëndësishëm. Për këtë ne në shqip e kemi fjalën: shoshitje. Nëse dikush e gjen ndonjë fjalë më të përshtatshme le të ma thotë, ama jo “vetting”!
Ne me të drejtë mburremi se gjuha jonë është njëra ndër gjuhët më të vjetra të botës, se është një gjuhë e bukur, e rrjedhshme e mjaft muzikale, por ja që nuk kujdesemi për të. Kur përdorim fjalë të huaja kur nuk është nevoaj, sikur po e mospërfillim gjuhën tonë, sikur po turpërohemi nga gjuha jonë, nga identiteti ynë. Kjo të lë përshtypjen se ne nuk krenohemi me gjuhën tonë, se vuajmë nga kompleksi i ultësisë (inferioritetit). Duke përdorur fjalë të huaj dikujt ndoshta vetja i duket më i kulturuar, më i dijshëm, më i qytetëruar se të tjerët. Përkundrazi, njerëz të tillë e tregojnë nivelin e tyre te ulët arsimor, injorancën (paditurinë), arrogancën e tyre. Bastardhimi i gjuhës nuk është kulturë, është kundërkulturë. Kur e dëgjon dike duke folur, mënyrën sesi shprehet, menjëherë e kupton se çfarë niveli arsimor, kulturor, atdhetar, ka ai njeri. Na mungon kultura gjuhësore.  Bukur është shprehur poeti ynë, Dritëro Agolli, për kulturën gjuhësore: “Kultura gjuhësore është e domosdoshme për çdo shkrimtar, për çdo gazetar, për çdo intelektual, për çdo njeri. Ai që nderon gjuhën, nderon atdheun. Përpikëria, qartësia, thjeshtësia dhe koloriti i gjuhës janë aq të nevojshme për çdo shkrimtar sa gjithë veglat e punës për punëtorin.”
Njëri ndër gjuhetarët tanë që vazhdimisht merret seriozisht me këto probleme të gjuhës sonë është akademik Gjovalin Shkurtaj, i cili ka botuar disa libra me studime në të cilat ai shpreh shqetësimet e tij prej shkencëtari për gjendjen jo të mirë të gjuhës që përdoret në mjetet e komunikimit masiv dhe në të folmen e përditshme. Për çdo fjalë të huaj ai jep edhe fjalët përkatëse shqipe.Një libër të tillë e ka  botuar kohëve të fundit: “Urgjenca gjuhësore”, ndërsa një doktorante e tij,  Dorina Minga, e ka mbrojtur doktoratën me titull: “Gjuha shqipe në mjetet e komunikimit masiv” (Universiteti i Tiranës, Tiranë, 2015). Siç tregon edhe vetë tituli, ky studim ka për objekt gjuhën shqipe që përdoret në mjetet e komunikimit masiv vështruar nga të gjitha anet gjuhësore. Por ja që edhe profesori i nderuar në titullin e librit të tij e përdor një fjalë të huaj që mund të zëvendësohet me fjalë shqipe.
“Nga se rrezikohet sot gjuha shqipe?” – pyet profesor Shkurtaj dhe vetë e jep përgjigjen: “Nga mospeëfillja, nga mungesa e kujdesit të organizuar e të drejtuar nga shteti, nga botimet e paredaktuara e të pakorrektuara, si dhe nga njëfarë ndjenje e përgjithshme nënvlerësimi ndaj saj.” Profesori i nderuar e përmend rolin e shtetit dhe vërtet në Kushtetutën e Shqipërisë, neni 59, pika 1g thotë: “Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private siguron: mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturës dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe”. Por gjendja jo e mirë e gjuhës shqipe në mjetet e komunikimit masiv, në dokumentet zyrtare dhe në përdorimin e përditshëm, tregon për moskujdesin, mospërfilljen, mosinteresimin e shtetit shqiptar ndaj gjuhës shqipe. Vetë kushtetuta, dokumenti më i rëndësishëm i një shteti, përmban shumë fjalë të huaja – shikoni citimin e meëipërm. Të shikojmë edhe nenin 86 që e perkufizon të parin, kreun e shtetit: “Presidenti i Republikes është Kryetari i shtetit dhe perfaqëson unitetin e popullit.” President është fjalë e huaj për Kryetar dhe fjala unitet në gjuhën shqipe duhet të jetë:  bashkim. Pra, ky nen nuk është i perpiluar si duhet, as nga pikëpamja gjuhësore dhe as nga ajo kuptimore. Më duket se nuk ka nevojë te komentohet më tutje, kur është fjala për pastërtinë e gjuhës shqipe, shteti shqiptar nuk e tregon as interesimin më të vogël.
Pasurimi dhe pastrami i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja të panevojshme duhet të jetë detyrë parësore për të gjithë shqipfolësit, posaçërisht e atyre që çdo ditë shkruajnë nëpër gazeta, revista, flasin në radio apo televizion, merren me botime të ndryshme. Një rol të rëndësishëm duhet të luajnë edhe shkrimtarët tanë, të cilët në veprat e tyre duhet të përdorin një gjuhë sa më të pasur e të pastër. Është për çdo lëvdatë puna që bën shkrimtari ynë i njohur, Ismail Kadare, i cili në veprat e tij ka futur mjaft fjalë të reja, të krijuara prej tij ose të vjela nga gjuha e popullit. Ndërsa institucionet akademike, shkencore duhet të merren më seriozisht me grumbullimin e fjalëve nga gurra e popullit dhe të formojnë fjalë të reja, duke angazhuar studiusit nga të gjitha trevat e ngulimet shqiptare dhe duke ecur hap më hap me kohën, me zhvillimet e reja teknologjike e shoqërore. Fjalët e huaja të panevojshme, fjalë që mund të zëvendësohen me fjalë të gjuhës shqipe duhet të hiqen menjëherë nga përdoerimi. Gjuha shqipe është një gjuhë me fjalor e gramatikë të pasur, është e zhdërvjelltë dhe ka aftësi shprehëse të shumta, por siç duket gjuhëtarët tanë janë të ngurtë, indifferent ndaj këtyre dukurive mjaft shqetësuese dhe vuajnë nga përtacia profesionale. Nuk duhet të jemi për pastrim gjuhësor të tejskajshëm, por kurresesi nuk duhet të jemi për ndotje të pakontrolluar e të panevojshme të gjuhës sonë. Duhet të marrim shembull edhe nga popujt dhe gjuhët tjera sesi ata ballafaqohen me këto sfida, me këto probleme gjuhësore. Te marrim shembull nga kroatët, të cilët gati çdo fjalë të huaj e kanë zëvendësuar me fjalë përkatëse kroate, përfshirë edhe fjalët, si: universitet, stacion, atmosferë, bibliotekë e qindra të tjera.
Gjërat kryhen vetëm atëherë kur dikush ngul këmbë, vendos se kështu nuk mund të vazhdohet më. Ka ardhur koha (besa edhe kaluar) që të themi: Mjaft është mjaft! Është koha që të veprojmë dhe jo vetëm të vëzhgojmë e të heshtim. Po e përfundoj këtë shkrim, këtë shqetësim timin me fjalët e prof. Çabejt të marra nga artikulli i cekur më lart: “Sot më fort se kurrë më shtrohet detyra që këtë gjuhë, një nga elementet e kombësisë sonë, ta pasurojmë me fjalë të visarit popullor dhe ta spastrojmë nga masa e lendës së huaj.”
Sadik Elshani
Filadelfia, korrik, 2017