Në Filadelfia u festuan me madhështi e dinjitet festat e 7-8 Marsit

Tashmë është bërë një traditë e bukur në Filadelfia që Dita e Mësuesit, 7 Marsi dhe Dita Ndërkombëtare e Gruas, 8 Marsi, te festohen me madhështi e dinjitet, ashtu siç u ka hije këtyre ditëve të shënuara. Edhe këtë vit, shoqata “Bijtë e Shqipes” kishte filluar përgatitjet që më parë për t’i organizuar këto festa sa më mirë, për t’i nderuar njerëzit tanë më të dashur, nënën dhe mësuesin/mësuesen. Rolit dhe pozitës së gruas në familje, shoqëri dhe në bashkësinë shqiptaro – amerikane, shoqata jonë i kushton një rëndësi të madhe, sepse është nëna, ajo krijesë e dashur, që rrit fëmijën, ia mëson gjuhën tonë të ëmbël dhe e mbanë familjen të shëndoshë. Po ashtu,shoqata jonë një rëndësi të madhe i kushton edhe ruajtjes së gjuhës shqipe, trashëgimisë sonë kulturore e historike, traditave dhe vlerave tona kombëtare. Për të dhjetin vit, pranë shoqatës sonë me shumë sukses funksionon shkolla shqipe “Gjuha jonë”, ku femijët tanë mesojne gjuhën shqipe, historinë dhe traditat tona kombëtare dhe brumosen me ndjenjat e atdhedashurisë. Për këtë përvjetor, shoqata jonë në maj të këtij viti do të organizojë një manifestim madhështor.

Festimet e 7 – 8 Marsit filluan herët në mëngjes me nxenësit e shkolles sonë. Mësueset dhe drejtuesit e shoqatës u folën atyre për historinë dhe rëndësinë e shkollës shqipe dhe përse ata duhet të mësojne gjuhen shqipe. Me këtë rast Zoti Haki Collaku kishte sjellur ca ëmbëlsira dhe lëngje të ndryshme dhe me fëmijët u organizua një festë e vogël.

Pasdite, festa për gratë dhe vajzat shqiptare dhe mikeshat e tyre amerikane dhe kombësive të tjera u organizua në restorantin Cannstater V. V. Salla e zbukuruar si për festë, ishte mbushur plot gra e vajza të reja. Në këtë festë e ftuara e nderit ishte poetesha dhe mikja e shoqatës sonë, Zonja Iliriana Sulkuqi. Dhe si gjithmonë, ajo nuk vjen vetëm, por sjell edhe libra për bibliotekën dhe shkollën tonë. Ishte e ftuar edhe Zonja Pranvera Coba, një mike tjetër e shoqatës sonë dhe organizatorja e festivalit të parë te këngës për fëmijët shqiptaro- amerikanë.

Mbrëmjen e hapi Zonja Suzana Vangjeli, anëtare e kryesisë së shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe njëra nga organizatoret e palodhura të kësaj feste. Ajoi i përshëndeti të gjitha të pranishmet, u uroi mirëseardhjen dhe u uroi festën. Pastaj fjalën e rastit e mbajti Zonja Lora Kotori, e cila foli për rëndësinë e 8 Marsit dhe përpjekjet e grave ndër vite për t’i fituar të drejtat e tyre. Ajo u bëri thirrje të gjitha grave që të jenë më të angazhuara në komunitet dhe në shoqëri.

Në emër të shoqatës “Bijtë e Shqipes” këtë tubim madhështor e ërshëndeti Zoti Sadik Elshani, kryetar i shoqatës. Ai i uroi gratë dhe mësueset për këto ditë të shënuara dhe u bëri thirrje grave dhe vajzave që të marrin pjesë në veprimtaritë e shoqatës, t’i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe. Ndër të tjera ai uroi që kjo dite të jetë një ditë e posaçme për të gjitha gratë, por edhe çdo ditë e vitit të jetë dita e nënës, dita e gruas, dita e mirëkuptimit dhe dashurisë në familje e shoqëri.

Pastaj radhën e mori muzika, kënga dhe vallja shqiptare. Të pranishmet i argëtoi DJ i talentuar Ervin Cara dhe kengëtarja e njohur e bashkësisë shqiptare të Filadelfias, Zonja Kristina Fejzo, e cila me një artistëri të rrallë i interpreton këngët shqiptare. Pas një blloku mjaft dinamik muzikor, u be një pushim i shkurtër për t’i nderuar mësueset tona qe çdo te diel i lënë punët e veta dhe vijnë në mjediset e shoqatës sonë për t’u mësuar fëmijve tanë gjuhen shqipe. Ato u nderuan me nga një buqetë me lule. Me këtë rast Zonja Rajmonda Bardhi, drejtoreshë e shkollës “Gjuha jonë”, foli për punën e mirë që bën shoqata dhe shkolla jonë për t’u ofruar fëmijve tanë mundësi dhe kushte sa më të mira për mësimin e gjuhes shqipe. Zonja Bardhi u bëri thirrje nënave që t’i sjellin fëmijët rregullisht në shkollën shqipe, t’ua mësojnë fëmijve gjuhën shqipe, sepse nuk i thonë kot gjuha e nënës. Ne krenohemi me mësueset tona, Rajmonda Bardhi, Kozare Doku, Jerini Zenelaj dhe Adelina Ramizi që me dashuri e përkushtim e kryejnë detyrën e tyre atdhetare.

Zoti Josif Rrapi, nje biznismen i suksesshëm dhe përkrahës e sponsorizues i shoqatës sonë, edhe këtë radhë nuk kishte ndenjur duarkryq. Për të gjitha mësueset e tanishme dhe ato që kanë punuar më herët në shkollen tonë dhe për disa gra veprimtare të dalluara te komunitetit , ai kishte përgatitur 40 kartëdhurata (“gift cards”), secila me vlere 20 dollareshe. Si gjithmonë, falenderojmë Josifin dhe i urojmë që punët t’i shkojnë edhe më mbarë.

Kënga dhe vallja, bisedat e ngrohëta me njëra – tjetrën vazhduan deri vonë. Atmosfera ishte mjaft e gjalle dhe ngazëllyese, çdo gjë shkoi si është më mirë. Organizatorët, zonjat Suzana Vangjeli, Elvira Budo, zonjusha Kris Kotori, anetare te kryesisë së shoqatës dhe veprimtaret tjera si, Suela Teme, Rukie Sulollari, anëtarët tjerë të kryesisë të angazhuar për organizimin e kësaj feste, zoterinjtë, Bujar Gjoka, Vlashi Fili, Llazar Vero e Sadik Elshani,edhe pse të ngarkuar me shumë punë e detyra, nuk e ndien fare lodhjen.Të gjithë u ndanë të kënaqur me dëshirën: U takofshim së shpejti në festat dhe veprimtaritë e tjera të shoqatës dhe patjetër për të festuar 7 -8 Marsin.

Sadik Elshani, Filadelfia, Mars 2014

Më poshtë dote shikoni disa foto nga kjo veprimtari.