BIK NDOJA, MJESHTRI I JARES SHKODRANE

“Paraja nuk ban art. Vetëm artisti ban art”. (Bik Ndoja)
Të dielën më 27 dhjetor u nda nga kjo botë këngëtari i madh, mjeshtri i jares shkodrane, Bik Ndoja. Bik Ndoja është njëri nga këngëtarët më të shquar të muzikës popullore e qytetare shkodrane të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Ai së bashku me kolegët e tjerë shkodranë: Marije Kraja,  Xhevdet Hafizi, Luçie Miloti, Shyqri Alushi, cifti Florinda e Ndrekë Gjergji, e shumë të tjerë, e ngritën këngën qytetare, jaren shkodrane, në nivelet më të larta artistike. Këta kanë qenë dhe do të mbeten gjithmonë bilbilat e Shkodrës, grupi i artë i interpretuesve të këngës shkodrane, ndërsa këngët e tyre përbëjnë thesarin e çmueshëm, jo vetëm të këngës shkodrane, por edhe tërë muzikës popullore e qytetare shqiptare. Kënga shkodrane nuk mund të paramendohet pa interpretimet mjeshtërore të Bik Ndojës. Zëri i fortë, i pastër e i ëmbël i tenorit, diapazoni i gjërë, duke filluar nga zëri më i ulët e deri te notat më të larta, janë karakteristika të mjeshtërisë, aftësisë, artistërisë interpretuese të tij. E kishte zakon që kur këndonte, shpeshë e vinte doren te veshi (pas kreje). Të habit fakti se ky këngëtar kaq i madh nuk kishte përgatitje profesionale, nuk ndoqi ndonjë shkollë apo akademi të muzikës. Po cila shkollë, cila akademi mund të përgatiste një artist si Bik Ndoja?! Bik Ndoja mishëron talentin, shpirtin artistik të popullit tonë, këngës ai i jepte shpirt, i jepte gjallëri.
Repertori i këngëve të Bik Ndojës është shumë i pasur dhe përfshin këngët e trimërisë, heroizmit, dashurisë, margaritarët e këngës qytetare. Me shumë dashuri i këndoi Shkodrës Loce. Këngët më të njohura të interpretuara prej tij janë: “Dedë Gjon Luli”, “Kënga për Oso Kukën”, “Kalaja e Shkodrës”, “Shkodër moj e shtrejta Shkodër”, “Kënke nur i bukurisë”, “Jare të due”, “Si dukat i vogël je”, “Vashës së bukur” e shumë e shumë të tjera. Këngët e Bik Ndojës janë dëgjuar e kënduar me shumë dashuri në të gjitha trevat shqiptare. Ai u paraqit në koncerte në të gjtha qytetet e Shqipërisë dhe trojeve tjera etnike dhe në shumë vende të botës, gjithmoinë duke e gëzuar adhurimin e të gjithë shijuesve të këngës së tij. Gjatë studimeve në Universitetin e Zagrebit, ne studentët shqiptarë, sa herë që mblidheshim nëpër dhomat tona studentore, shpeshë e këndonim këngën “Dedë Gjon Luli”:
“Dedë Gjon Luli shkrun nji letër
Vali t’ Shkodrës ja ka çue
Se Shqipnia nuk don tjetër
Veç don vetin me sundue.”
Ndërsa ne në këndimin tonë vargun e fundit e ndryshonim:
“Veç don vendin me bashkue.”
Bik Ndoja për mjeshtërinë e tij artistike nuk është vlerësuar vetëm nga publiku, por edhe nga kolegët e tij këngëtarë e artistë, ekspertë të muzikës. Këngëtari shumë i njohur nga Kosova, Ismet Peja, madje ia ka kushtuar edhe një këngë, “Nusëron jarja me ty”:
“O Bilbili të lumtë goja
Ma kalove o Bik Ndoja”
Ka nderim më të madh?! Ndërsa këngëtari i madh operistik Luk Kaçaj (ai që e këndon “Këngën e Skenderbeut” në filmin “Skendrbeu”) e ka vlerësuar lart teknikën e tij të këndimit:
“Ti e përdor diafragmën ma mirë se gjithë studentët e mi dhe ma mirë se unë.”
Ludovik Ndoj Gjergji, i njohur nga të gjithë si Bik Ndoja, lindi në Shkodër më 13 gusht të vitit 1925. Gjimnazin e kreu në shkollën e vjetër “Jordan Misja”. Për herë të parë ka kënduar në moshë shumë të re në një dasëm familjare. Siç është shprehur edhe vetë, kënga e tij zuri rrënjë në lagjen Rusi ku ai u rrit. Në vitet 1934 – 1946 ka punuar si rrobaqepës. U aktivizua ne shoqëritë “Antoniane”, “Dom Bosko”, “Rozafat”. Gjatë shërbimit ushtarak në Tiranë, ka dhënë shumë koncerte dhe ka kënduar me grupin popullor të  Radio Tiranës. Nuk e kanë pranuar si anëtar të rregulltë në Estradën e Shkodrës, por e kanë angazhuar si rrobaqepës në teatrin “Mgjeni” të Shkodrës. Marrëzirat e kohës! Ka kënduar me orkestrën e Radio Shkodrës. Veprimtaria e tij u zgjerua edhe më shumë nëpërmjet koncerteve që Biku dha në tërë Shqipërinë, në të gjitha trevat shqiptare dhe në shumë vende të botës. Më 1969 iu dha titulli “Artist i Merituar”. Titullin “Krenaria e Qytetit” e ka marrë në vitin 1999, ndërsa në vitin 2007, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike i jep titullin “Interpretues i shquar i jares shkodrane”.
Bik Ndoja i qëndroi besnik repertorit të tij të pasur dhe nuk këndoi këngë te tjera. Për muzikën e sotme popullore ai i ka shprehur shqetësimet kur e krahason me muzikën e brezit të tij: “Ka nji ndryshim negativ në ritëm, zhurma bam – bum po quhet muzikë, duket sikur po largohet çdo ditë nga origjina, nuk më pëlqen lakuriqsia në kangë që ashtë karakteristike vetëm për haremet turke. Në skenë duhet me u gërshetue gjithçka, por jo ma së pari me thanë: “Ah çfarë femnet ish”. Ka hy paraja, por paraja nuk ban art. Vetëm artisti ban arrt.” Porosia e tij ishte; “Mos marroni “jaren shkodrane” se Palok Kurti (1858 – 1920, kompozitori I parë shqiptar) I ka dhanë fytyrë shqiptare.”
Bik Ndoja u nda nga kjo botë, por këngët e tij, interpretimet e tij do të mbesin gjithmonë në zemrat e shqiptarëve dhe gjithë adhuruesve të këngëve, jareve shkodrane. Lamtumirë mjeshtër i madh!
Sadik Elshani
Philadelphia, 30 dhjetor, 2015