Akademia Shqiptaro – Amerikane e Shkencave dhe e Arteve organizoi në Nju Jork një Konferencë Shkencore me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Viti 2018 është shpallur Viti i Skenderbeut në tërë botën shqiptare, sepse shënojmë 550 vjetorin e ndarjes fizike nga kjo botë të Heroit tonë Kombëtar. Po ashtu, shënojmë edhe 575 vjetorin e kthimit të tij në Krujë, për të shënuar kështu periudhën më të ndritur e më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Me këtë rast në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë do të organizohen manifestime të ndryshme kulturore – artistike, konferenca shkencore, simpoziume, etj. Siparin e këtyre veprimtarive e hapi Akademia Shqiptaro – Amerikane e Shkencave dhe e Arteve me seli në Nju Jork, e cila ne ditën e shtunë më 13 janar në mjediset e Monroe College në Bronx organizoi Konferencën Shkencore kushtuar figurës së Gjergj Kastriot – Skenderbeut me rastin e 550 vjetorit të kalimit të tij në botën e lavdisë së përjetshme. Në këtë konferencë mernin pjesë një numër i lakmueshëm i bashkatdhetarëve, por numri duhej të ishte edhe shumë më i madh për një veprimtari të nivelit të tillë, kur dihet se në Nju Jork dhe në rrethinën e tij jeton një numër i madh i shqiptarëve. Një befasi, një kënaqësi e këtij tubimi ishte edhe pjesëmarrja e trashëgimtarëve të familjes Muzaka (Musacchia), motër e vëlla, Victoria e Len, të lindur në Amerikë nga prindër me prejardje arbëreshe. Victoria jeton në qytetin Abelen të Texasit, ndërsa Len jeton në San Francisco. Ata vite më parë kishin mësuar për prejardhjen e tyre shqiptare dhe tani janë duke bërë hulumtime për gjurmët e familjes së tyre dhe gjer më tani kanë arritur gjer në vitin 1553. Në këtë tubim merrte pjesë edhe një grup veprimtarësh nga shoqata “Bijtë e Shqipes”: Tajar Domi, kryetar dhe Bujar Cela e Sadik Elshani, anëtarë të kryesisë.
Para se të fillonte punën Konferenca Shkencore, të pranishmit i përshëndeti ish kongresisti Joe Dioguardi dhe  bëri një pasqyrë të shkurtër të veprimtarive të Ligës Shqiptaro – Amerikane dhe përpjekjet e saj për përparimin e çështjes shqiptare, lobimin. Pastaj ai i njoftoi të pranishmit se ai është duke grumbulluar fonde për një film për Skenderbeun. Ai po ashtu, i porositi të pranishmit që shqiptarët duhet të votojnë për njerëz të ndershëm e jo për parti; ta ruajnë gjuhën shqipe se ajo e ka mbajtur kombin gjallë.
Pas këndimit të himneve kombëtare të SHBA-ve dhe Shqipërisë, Konferencën e hapi prof. dr. Skender Kodra, kryetar i Akademisë Shqiptaro – Amerikane të Shkencave dhe Arteve. Në fjalën e tij prof. Kodra foli për rëndësinë e figurës së Skenderbeut në historinë tonë kombëtare dhe rëndësinë e kesaj Konference Shkencore. Ai i falenderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë tubim, si dhe të gjithë ata qe kishin përgatitur kumtesa. Konferencën e përshëndetën edhe Armando Shandro, Konsull i Republikës së Shqipërisë, pranë Misionit të Kombeve të Bashkuara. Tajar Domi, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe Mëhill Velaj, nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikanë; dekani i Monroe College. Të gjithë të pranishmit i thanë fjalët dhe vlerësimet më të mira për shoqatën “Bijtë e Shqipes”, si njërën nga shoqatat më aktive e më të organizuara në Amerikë. Konferencën e drejtoi prof. dr. Bajram Doka. Ndërsa me organizimin e kësaj konference ishin angazhuar edhe dr. Bexhet Asani, inxh. Haxhi Dauti, z. Sab Gashi dhe prof. Bashkim Klloboçishta. Pedagogu i Monroe College, dr. Haxhi Berisha, si zakonisht për veprimtari të tilla, e kishte siguruar sallën.
Numri i kumtesave të paraqitura në këtë Konferencë ishte i madh dhe vinin nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora. Po përmendim vetëm disa: Besim Muhadri (e lexoi e bija) kishte përgatitur kumtesën me titull: “Pasqyrim i jetës dhe veprës së Gjergj Kastriotit në veprën e Bilall Xhaferrit e Fatos Arapit”; Bexhet Asani me kumtesën: “Poema Skenderbeu e rilindësit maqedonas, Grigor Përliqev”: dr. Pashko Camaj, shef i kabinetit të kryetarit të Vatrës, mbajti një kumtesë për veprimtaritë që ka organizuar Vatra ndër vite për të nderuar figurën e Skendrbeut, e kumtesa te tjera. Një pjesë e mirë e atyre që kishin përgatitur kumtesa nuk ishin te pranishëm, sepse nuk kishin mundur të udhëtonin për shkaqe vize. Rapsodi Tomë Gjergji dhe aktori Shaban Lajçi recituan vargje për Skenderbeun. Të gjithë ata që kishin përgatitur kumtesa dhe disa veprimtarë të tjerë u nderuan me nga një mirënjohje. Gjithashtu u nderua edhe shoqata “Bijtë e Shqipes”.
Për të gjithë të pranishmit në restorantin Maestro’s u shtrua një drekë e pasur, sponsorizuar nga inxh. Haxhi Dauti. Edhe këtu atmosfera ishte mjaft e përzemërt. U mbajtën disa fjalime të shkurtëra dhe u ndanë ca mirënjohje. Fjalën e mori edhe shkruesi i këtij shkrimi i cili paraqiti disa pjesë të shkurtëra nga kumtesa e tij: “Skenderbeu i lavdisë së përjetshme”, që është një reflektim, persiatje për rëndësinë e figurës së Skenderbeut dhe mësimet që duhet të marrim nga jeta dhe vepra e Heroit tonë Kombëtar.
Tubime të tilla janë edhe raste të mira për t’u takuar me miq e të njohur të vjetër. Kështu përveç emrave të përmendur më lart ne u takuam edhe me këta miq: piktorin Astrit Tota, dr. Adem Harxhi, Mihal Jano me miqtë e tij, Edmond Ismailati, anëtar i shoqatës sonë nga Nju Jorku, etj. Po ashtu, ky ishte edhe një rast i përshtatshëm për t’u njoftuar edhe me shumë veprimtarë të tjerë të bashkësisë shqiptaro – amerikane.
Me kaq kjo veprimtari u mbyll me sukses dhe ne i njofuam dhe i ftuam të gjithë të pranishmit që të marrin pjesë në veprimtarinë e shoqatës sonë qe do të mbahet më 20 janar për nder të këtij përvjetori të madh të Skenderbeut dhe gjithe shqiptarëve.
Sadik Elshani
Filadelfia, Janar 2018