“KUQ E ZI” NE FILADELFIA”

Shënime dhe Mbresa Nga Takimi I Zotit Kreshnik Spahiu, Drejtues i “Alenacës Kuq e Zi, ” me Bashkatdhetarët në Filadelfia

Herë pas here, në bisedat e shqiptarëve të Filadelfias kishte zënë vend edhe puna që po bënte ne Shqiperi “Aleanca Kuq e Zi” . Dhe kjo sidomos në lidhje me organizimin e peticionit mbarëpopullor për kundërshtimin e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Bashkë me Alenacën Kuq e Zi në mediat dhe bisedat tona po zinte vend dhe emri i juristit me përvojë Kreshnik Spahiu, nënkryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe përfaqësues dhe drejtues i kësaj aleance, që me shkrimet dhe bisedat e tij të argumentuara dhe të mençura në median elektronike ka fituar respektin e shumë bashkatdhetarëve. “Kuq e Zi” e nisi një punë, organizimin e peticionit dhe e çoi deri në fund. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e quajti të padrejtë dhe të kundraligjshëm regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Pavarësisht se qeveria shqiptare nuk e mori parasysh edhe këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe e nisi regjistrimin me disa ndryshime të lehta, ajo ç’ka arriti “Kuq e Zi” me qëndrimin e saj ishte ndërgjegjësimi sa më shumë i bashkatdhetarëve për të marrë në duart e tyre fatet dhe problemet që shqetësojnë vendin. Kjo ishte njëra anë. Ana tjetër është rritja e ndjeshmërise sidomos ndaj problemve tona kombëtare. Jemi i vetmi komb në Europë që jetojmë në shtatë shtete të ndara nga njeri -tjetri. Pas 99 vjetëve të pavarësisë së pjesëshme që fitoi vendi ynë në Nëntor të 1912-s, kombi shqiptar, ndër më të mëdhenjtë në Ballkan, përjeton pothuaj të njëjtat probleme: Të ndarë midis nesh dhe të lakmuar po njëlloj nga fqinjët shovinist.
Të ngrohë zemrën edhe një fakt tjetër i bukur në këtë jetë të saponisur të “Aleancës Kuq e Zi”: pjesëmarrja e të rinjëve, studentë, gjimnazista apo dhe të tjerë.. I shikoje ata të grumbulluar rreth flamurit tonë kuq e zi, apo të mbuluar me të dhe të ndizej shpirti. Sot ata nuk janë pak por nesër do të jenë shumë e më shume. Për këtë besim tonin frymëzuese është çeshtja jonë e drejtë kombëtare, është dëshira dhe puna e palodhur që populli ynë të ecë në një rrugë të sigurtë, të pastër dhe bashkëkohore. Ësht me vlerë të theksohet se Aleanca që në hapat e para të saj kishte si synim që në të, të përfshiheshin jo vetëm bashkatdhetarët në Republikën e Shqipërisë apo edhe në trojet shqiptare, por edhe ata që kanë emigruar jasht vendit. Dhe kjo tregon më shumë pjekuri dhe dashuri në rrugën e nisur të Aleancës.
Me këto mendime, filluan përgatitjet për një takim të zotit Kreshnik Spahiu, drejtues i Aleancës Kuq e Zi, me bashkatdhetarët e Filadelfias. Shoqata Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, kishte pasur që më parë një “pikë takimi” me “Aleancën Kuq e Zi”. Ishte pikërisht organizimi i peticionit që kundërshtonte regjistrimin e popullsisë mbi bazë etnike dhe fetare që organizoi edhe kjo shoqatë, që i bashkonte ato dhe i bënte të njohura për njëra -tjetrën. Kryesia e shoqatës e priti ngrohtë njoftimin e anëtarit të kryesisë Dhimitër Xhoxhi për këtë takim. Ishte kjo një kërkesë edhe e drejtuesve të Aleancës në Filadelfia.. Kjo u ndje edhe në përgatitjet dhe interesimin e bashkatdhetarëve për të biseduar dhe njohur nga afër zotin Kreshnik Spahiu dhe Aleancën që ai drejtonte. Ai mbërriti nga Nju Jorku pak pas orës 11 të paradites, kur ende në klasat e Shkollës “Gjuha Jone”, vazhdonte mësimi. Në ballë të godinës së shoqatës kishte zënë vend një afishe e madhe rreth katër metra ku ishte shkruar emri dhe emblema e Aleancës “Kuq e Zi”. Një vizitë e shpejtë në klasat e shkollës, bibliotekën dhe muzeun e vogël të shoqatës dhe pastaj biseda me anëtarët e kryesisë së shoqatës, parapriu takimin e shumëpritur. Pas mbarimit të mësimit salla e veprimtarive të shoqatës u mbush plotë me bashkatdhetarë. Zoti Kreshnik Spahiu shoqërohej edhe nga një grup i kanalit televiziv”Top Chanell” të Tiranës. Pranë tyre ishte dhe kameramani ynë i “Albfilly-it” Florian Bezhani, që për vite të tëra ka regjistruar pa u lodhur, jetën dhe veprimtaritë e kësaj shoqate dhe të komunitetit shqiptar të Filadelfias.

Takimin e hapi kryetari i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” Sadik Elshani. Pasi paraqiti tek pjesëmarrësit zotin Kreshnik Spahiu, kryetarin e Shoqates “Albanian Roots” me qendër në Nju Jork, zotin Ervin Toro. profesor Ibrahim Gashin të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare me qendër në Tiranë, etj.,ndërmjet të tjerash ai tha se “Shqiptarët në të gjitha trojet e tyre janë të shqetësuar për çështjen kombëtare. Sot kemi shumë parti politike shqiptare, gjë që shpreh pluralizmin politik, lirinë e mendimit, por ideologjia e vetme e shqiptarit le të jetë: Shqiptaria. Zemrën duhet ta kemi vetëm kuq e zi. Dhe me këtë frymë le të bisedojmë si vellezër së bashku. Edhe njëherë mirëseerdhet!
Fjalën e mori më pastaj zoti Artan Bilali që është edhe perfaqësues i Aleancës “Kuq e Zi” në Filadelfia. Ai falenderoi për dëshirën dhe gatishmërinë që tregoi zoti Kreshnik Spahiu duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës për tu takuar me bashkatdhetarët në Filadelfia. Në fjalën e tij zoti Artan Bilali theksoi se Aleanca Kuq e Zi dhe zoti Kreshnik Spahiu si drejtues i kësaj levizjeje, me nismat e marra si ajo për kundërshtimin popullor për regjistrimin mbi baza etnike dhe fetare, apo për njësimin e teksteve dhe programeve shkollore në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët, dhënia e librave falas nga shteti për femijët shqiptar në emigracion etj, kanë ngritur ndjeshëm ndjenjën e patiotizmit dhe të ndërgjegjes së popullit për rëndësinë e veprimit të përbashkët për çështjet që kanë të bëjnë me interesin kombëtar. ” Për të kundërshtuar veprimet e gabuara të një qeverie nuk mjafton të kesh një detyrë të rëndësishme, por duhet të kesh kurajon intelektuale, atdhedashurinë , ndjenjën e përgjgjesisë historike për proceset që kalon kombi ynë, cilësi që zoti Kreshnik i shfaqi më së miri me nismat që ndërmori me Aleancën gjatë kësaj periudhe. – vazhdoi ai më tej. Zoti Artan e mbylli fjalën e tij me urimin që Aleanca Kuq e Zi të realizoj njëherë e përgjithmonë dëshirën e shqiptarëve për zhvillim, dinjitet dhe bashkim kombëtar.

Më tej e mori fjalën zoti Kreshnik Spahiu i cili i falenderoi mikëpritësit për organizimin e këtij takimi. “Realisht u ndjeva mirë atë ditë që mora vesh se nga Filadelfia kishin ardhur me qindra firma që bashkoheshin me peticionin e organizuar nga Aleanca. Kjo është një nga objektivat tona, që të gjithë shqiptarët kudo që janë të jenë pjesë e zhvillimit te Shqipërisë dhe pjesë në çdo vendim marrje. Askujt nga ne nuk i erdhi mirë që Shqipëria dhe Kosova mbeten të fundit ne Ballkan jasht BE-së , dhe kjo se qeveritarët tanë nuk e fillojnë punën nga këshillat e BE-së dhe të SHBA-s por nga tekat e sërbëve dhe grekëve”.

Duke e trajtuar çështjen kombëtare që në elementet bazë të kulturës kombëtare ai e zhvilloi bisedën me disa pyetje e përgjigje “të thjeshta”, si sa shqiptar janë sot në Botë, sa janë pronat e shqiptarëve sot në Ballkan, si në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Çamëri etj… Asnjë përgjigje. E gjitha përmblidhet në faktin se ne shqiptarët akoma nuk kemi filluar të ndërtojmë shtetin tonë, akoma nuk kemi një abetare të përbashkët. Ka vetëm diskutime aty këtu. Që nga ky moment fillon problemi. Duhet të pranojmë se nuk ka komb tjetër që të mos ketë respekt për trojet e veta, për pronat e veta, për simbolet e veta si kombi ynë, dhe kësaj situate i shërbejnë edhe sloganet që hidhen herë pas here në shoqërim të veprimeve tona të gabuara si “Shqipëria nuk bëhet”(!). sikur flasim për domate dhe pemë që nuk do të kenë fruta, nuk do të rriten. Shqipëria do të bëhet. Pasuritë e saj natyrore, klima e saj e mrekullueshme, pozita e saj e mirë gjeografike, njerëzit e saj punëtorë, i japin asaj të gjitha mundesitë për tu bërë, për të ecur përpara si vendet më të zhvilluara. Duke mos qenë kombtaristë në ato nivele që duhet të jetë çdo popull e komb, na akuzojnë për ultrakombtarist. Jo ne i respektojmë fqinjët dhe me të drejtë kërkojmë që edhe ata të na respektojnë ne me të njejtën mënyrë. Slogani “Shqipëria nuk bëhet”, iu shërben jo vetëm qarqeve shoviniste të fqinjëve tanë, për të thyer shpirtin e shqiptarit, shpresën e tij, për të ngulitur e rrënjosur indiferentizmin për hallet e vendit. Këtij qëllimi i shërbejnë edhe një pjesë e klasës politike në Shqiperi dhe Kosovë, që janë gati të shesin pjesë të trojeve tona për tu pasuruar dhe për të qëndruar në pushtet. Kështu shqiptari është i pafuqishëm në vendim marrje, komuniteti shqiptar në emigracion është i braktisur. Kjo po çon në largimin e shqiptarëve dhe largimin e tyre nga trojet e veta. Nuk ka si të spjegohet sesi numëri i shqiptarëve në Kosove tani na del aq sa ishte në vitin 1981, kur dihet niveli i lartë i lindshmërisë së shqiptarëve që ështe disa herë më i madh se i Serbisë dhe Greqisë. Asimilimi i shqiptarëve me të gjitha mjetet është synimi i qarqeve shoviniste. Për këtë ndihmojnë edhe “ligjet “që nxjerrin” qeveritarët tanë. Shumë lehtë për të ndërruar kombësinë, por shumë e vështirë për të marrë pasportën e vendit tënd. Më lehtë e merr një kinez apo afrikan pasaportën shqiptare se sa një shqiptar.
Aleanca Kuq e Zi mendon se detyrë parësore është zgjidhja e problemit të votës së lirë dhe pjesëmarrja e të gjithë shqiptarëve në vendimmarrje. Për realizimin e këtij objektivi kërkohet shumë më shumë përkushtim deri në në zgjidhjen e problemit.
Reth këtyre problemeve e morën fjalën mjaft pjesëmarrës në këtë takim. Ata folën me emocione, me mall dhe me përkushtim ndaj halleve të Shqipërisë.
Ç’po bëhet në Shqipëri ? – pyeti i emocionuar Hamdi Gjana, bashkatdhetari ynë që i kushtoi jetën e tij punës me muzikën dhe njerëzit e artit në Kukës. – Shohim një grup të rrezikshëm politikanësh që duan të shesin Shqipërinë. Në këto përmasa të problemeve që përjeton Shqipëria unë i ftoj bashkatdhetarët që të bashkohen me Aleancën për tu thënë ndal veprimeve të tilla. Ata të mos mendojnë se ne që ikëm nga Atdheu e kemi harruar atë. Jo. E kam barkun plotë por shpirtin bosh këtu. Në një këngë timen futa edhe këto vargje :” Ç’dua unë në këtë vend/Pa shokë e miq/ Pa gjuhën tonë/ Pa vendin tim….” Mendjen e zemrën e kam atje. Duke mbyllur fjalën e tij ai shtoi: Zoti Kreshnik, unë e kam ndjekur rregullisht punën tuaj me Aleancën dhe ju falenderoj për atë që keni bërë.”

Po kështu foli edhe ish pedagogu i Universitetit të Tiranës Spiro Duka: ” Shqipëria po vuan nga njerëzit e këqinjë dhe medioker. E respektoj zotin Kreshnik Spahiu për atë që ka bërë deri tani. Mbështesë çdo fjalë dhe punë të tij”.
Kështu, shkurt dhe sinqerisht, me zemër në dorë, si i thonë fjalës, flisnin të gjithë. “Disa herë e kam humbur shpresën edhe unë – thotë në fjalën e tij Eqerem Murati – Por kur ju pashë ju dhe lëvizjen tuaj mu ngjallë shpresa përsëri. Une e di se nuk është aspak e lehtë të bëhen këto punë në Shqipëri, po ju jeni nje burrë kurajoz dhe i mençur, zoti Kreshnik”.
Me këtë gjuhë folën edhe bashkatdhetarët e tjerë si Ilir Meçe, Suzana Vangjeli etj. Bile kjo zonjë e gjeti me vend të recitonte poezinë e Naim Frashërit “Shqipëria”: “Ti Shqipëri më jep nder/Më jep emrin shqiptar,…/” që u përshëndet me duartrokitje nga pjesëmarrësit.
Ndërkaq e merr fjalen profesor Ibrahim Gashi. – U takova me zotin Kreshnik në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit, dhe e quajta hero për atë që ka bërë. Ai ka kundërshtuar me trimëri dhe zgjuarsi politikat e gabuara qeveritare dhe armiqtë e Shqipërisë. Nuk është antiqeveritar por është kundërshtar i veprimeve të gabuara…”
Siç e shihni diskutimet vërtiteshin sa tek hallet që ka Shqipëria aq dhe tek kjo figurë e re dhe shumë premtuese e politikës Shqiptare.
Zoti Ivzi Cipuri bëri ndoshta edhe mbylljen me të bukur të diskutimeve: Aleancën Kuq e Zi e shoh si një aleancë sociale dhe e përgëzoj për atë që ka bërë. Unë e mbeshtesë dhe trajtimin që i beri zoti Kreshnik luftës kunder indiferentizmit që ka ndrydhur aq shumë forca dhe energji në Shqipëri, të fshehur pas mendimit “Unë nuk e ndryshoj dot gjëndjen.” Më lejoni me këtë rast të citoj një filozof që thotë: “Një mijë kandila të shuar nuk mund të ndezin një kandil tjetër, por një kandil i ndezur mund tu jap zjarr mijëra të tjerëve.”

Sikur të kishim më shumë kohë, biseda do të vazhdonte gjatë. Kjo u duk edhe në drekën që shtroi për bashkatdhetarin e nderuar pronari i restorantit “Via Napoli”, Artan Bilali, i cili është edhe përfaqësues i Aleancës në Filadelfia. Dhe gjatë drekës me gatime të mrekullueshme, vazhduan shkëmbimet e mendimeve dhe përvojës midis zotit Kreshnik Spahiu dhe anëtarëve të Kryesisë së Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia.

Ajo ç’ka mund të themi në fund të këtyre shënimeve është se takimi ishte shumë mbresëlenës dhe i dobishëm. Të gjithë ndjeheshim “Kuq e Zi”, më shqiptarë dhe më të fortë.

Llazar Vero
Filadelfia Tetor 2011