EDHE VESA KA DITELINDJEN

Një javë më parë kur në shkollën shqipe “Gjuha jonë”, festohej ditëlindja e një fëmije, dikush foli me zë të lartë: “Edhe Vesa ka ditëlindjen”, që u përsërit nga të gjithë fëmijët. Menjëherë Vesa i sqaroi shoqet dhe shokët e shkollës se nuk e kishte atë ditë, por mbas katër ditësh dhe të dielën pasardhëse do ta festonte aty, midis të gjithë nxënësve të shkollës.
Vesa Dobi është nxënëse e dalluar në shkollën e saj dhe është në vitin e pestë. Po ashtu ajo është e dalluar edhe në shkollën shqipe “Gjuha jonë” ku ndjek vitin e dytë. Më 18 Nëntor 2010 ajo mbushte 11 vjet, por meqënëse kjo datë binte ditën e enjte, me shoqet dhe shokët e shkollës ajo do ta festonte tre ditë më vonë.
Eshtë bërë traditë e bukur tashmë në shkollën shqipe të Filadelfias, që përveç festimit në familjet e veta, fëmijët festojnë ditëlindjen edhe me nxënësit e kësaj shkolle. Kështu ndodhi edhe me Vesën. Më 18 Nëntor ajo festoi ditëlindjen në familjen e saj, kurse tre ditë më vonë, më 21 Nëntor ajo erdhi në shkollën shqipe bashkë me gjyshin, të atin dhe motrën e vogël, për të festuar edhe me fëmijët e kësaj shkolle.
Në pushimin midis orëve të mësimit, fëmijët iu drejtuan tavolinave ku ishin shtruar ushqimet dhe lëngjet e frutave. Filluan të hanë e të pijnë, si e kanë fëmijët gjithë zhurëm. Edhe ata më të druajturit, që nuk para ndihen shumë, si Niku i vogël 5 vjeçar, në ato momente u gjallëruan dhe bisedonin gjithë gëzim e me zë të lartë. Të gjithë uronin Vesën për ditëlindjen. Së bashku me fëmijët edhe mësueset u gëzoheshin fëmijëve dhe Vesës që kishte ditëlindjen.

Në vazhdim, fëmijët në grup, së bashku me mësueset dhe anëtarët e këshillit drejtues të shoqatës që organizojnë këto festa, e vunë në mes Vesën dhe i kënduan në korr: “Shumë urime për ty……..”
Me aparatin fotografik fiksuam disa momente të kësaj festë të bukur për t’i patur si kujtim, Vesën që kishte ditëlindjen me prindërit dhe motrën e vogël, me shoqet e saj më të afërta, me grupin e fëmijëve, me mësueset e shkollës si edhe me mësuesen e klasës së saj, në veçanti. Po ashtu edhe ne mundëm të marim kujtime nga Vesa dhe prindërit e saj.
Edhe ne i uruam Vesës: “Gëzuar ditëlindjen Vesa. U bëfsh 100 vjeçe”

Filadelfia, 21 Nëntor 2010