SHKOLLA SHQIPE MBYLLI VITIN E GJASHTE

Ceremoni e bukur në shkollën shqipe “Gjuha jonë”

Të gjithë prindërit vënë re përparimin që po bëjnë fëmijët e tyre në ecurinë e gjuhës shqipe, por kur këtë përparim fëmijët e tregojnë së bashku para të gjithë prindërve në përfundim të vitit shkollor, jo vetëm që është më e dukshme, por një gjë e tillë të bën të jesh krenar sepsë gjuha jonë po mësohet me sukses edhe nga brezi i ri që ka lindur këtu apo që edhe mund të ketë ardhur në moshë të vogël nga atdheu ynë.

Kjo ndodhi edhe këtë vit në shkollën shqipe “Gjuha jonë” në Filadelfia.
Dita e Dielë më 21 Qershor 2009 ishte caktuar si dita mbyllëse e vitit shkollor në këtë shkollë. Gjatë kohëve të fundit, fëmijët veç mësimeve sipas programeve mësimore , gjenin kohë, dhe me ndihmën e mësueseve përgatiteshin për ceremoninë e mbylljes së këtij viti.

Dita e fundit e këtij viti shkollor ishte programuar disi më ndryshe se vitet e tjera. Veç programit artistik që do të jepnin fëmijët, si çdo vit tjetër, së pari ata do të kalonin një testim përfundimtar në diktim dhe hartim. Mbasi sollën fëmijët në orën e caktuar, prindërit qëndronin në ambientet e shoqatës ose ndiqnin në heshtje testimin e fëmijëve. Fëmijët zunë vend në tavolina dhe filluan testimin, së pari në diktim dhe më vonë në hartimin me një temë të lirë. Ishte kënaqësi kur shikoje se sa pastër shkruanin fëmijët çfarë u diktonte mësuesja, apo sa mirë i lidhnin fjalët në fjali në hartimet e tyre.

“Sot është një ditë e ngrohtë. Në qiell duken disa re të vogla, të bardha. Dallandyshet fluturojnë me shkathtësi. Ato po ndërtojnë një çerdhe në ballkonin tim…….”, shkruan Kristi në hartimin e vet.

“Këtë behar unë do të shkoj në Shqipëri. Do iki dhe në fshat e do të luaj me delet e me kuajt….”, shkruan Ilira në hartimin e saj.

Ndësa Danieri, me sinqeritetin e tij fëminor shkruan: “Në pushimet e verës, me ndihmën e babit do të studjoj gjuhën shqipe. Unë e pëlqej gjuhën e atdheut tim….”, etj, etj.

“Sot mbyllim sezionin e gjashtë të shkollës shqipe, tha në fjalën e tij z. Llazar Vero, Kryetar i Shoqatës “Bijtë e shqipes”. Ne krenohemi, se shkolla shqipe “Gjuha jonë” në Filadelfia, po vazhdon me sukses emisionin e saj, dhe ndofta mund të jetë shkolla me jetëgjatësi më të madhe në të gjithë diasporën. Por ne nuk kënaqemi me kaq. Synojmë për më shumë, sidomos në shtimin e numurit të fëmijëve që afrohen çdo vit në këtë shkollë”.

Më pas, në emër të kryesisë së shoqatës ai falenderoi fëmijët për dëshirën që tregojnë në mësimin e gjuhës shqipe, mësueset për punën e palodhur në plotësimin e kësaj detyre të nderuar si dhe prindërit për sakrificat që bëjnë për të sjellë fëmijët në shkollën shqipe.

Me “Hymnin e Flamurit”, kënduar nga grupi i fëmijëve dhe shoqëruar nga prindërit në sallë, fëmijët filluan programin e tyre artistik.

“Mirsekeniardhur në mbylljen e vitit shkollor “ iu drejtua Albana pjesëmarrësve në sallë. “Sot do u tregojmë se sa e rëndësishme dhe e bukur është gjuha shqipe”, e pasoi Kristi. “Faleminderojmë prindërit, shoqatën dhe mësueset tona të palodhura”, vazhdoi Klodiana.

Më pas, fëmijët e vitit të parë filluan të recitojnë me rradhë dhe mbas tyre një ndërthurje e bukur e këngëve në grup, dhe recitimet prej sejcilit nxënës “detyronin” prindërit që të duartrokisnin gjithë gëzim, mandej nuk mund të rinin pa shprehur edhe kënaqësinë e tyre. U kënduan këngë për atdheun, për abetaren, pranverën, luleshqerat, etj dhe u recituan vjersha për Shqipërinë, flamurin, pranverën, librin, zoqtë e lulet, dashurinë ndaj prindërve, si dhe pjesë nga poema “Bagëti e bujqësi”. Në këtë të fundit Klodiana e mbylli recitimin e saj me fjalët e Naimit të madh: “Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqipëtar”. E si të mos duartrokitej fort kjo mbyllje.

Pastaj z. Llazar Vero shpërndau dëftesat, vlerësimet e bëra nga mësueset si dhe çmimet e vendosura për nxënësin më të mirë të çdo klase. Për çmimet kishte kontribuar z. Benjamin Risilia, Anëtar Nderi i Shoqatës, veprim që ai e bën çdo përfundim viti shkollor, z. Muhamet Bici, prindër që sjell në shkollë tre fëmijët e tij, z. Sadik Elshani, anëtar i kryesisë së shoqatës si dhe sektori i financës së Shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Ishin moment emocionuse kur fëmijët që u thirej emri, uleshin në gjunjë përpara flamurit tonë, i drejtoheshin atij me fjalët: “ Të dua o flamur”, e puthnin atë dhe e vinin në ball. Mbas kësaj merrnin zarfin me dëftesën, vlerësimin dhe çmimin dhe gjithë kënaqësi uleshin përsëri në vendin e vet të shoqëruar nga duartrokitjet.

Këtu përfundoi ceremonia dhe u kalua në koktejlin që kryesia e shoqatës shoqëron vazhdimisht çdo veprimtari të saj. Para se të kalohej në koktejl, një ngjarje e bukur. Angela, që vazhdon këtë shkollë qysh prej tre vjetësh, kishte datëlindjen pikërisht në këtë ditë. Prindërit e saj kishin sjellë një tortë të madhe me 9 qirinj në të. Fëmijët të mbledhur rreth saj kënduan “shumë urime për ty” dhe ndërsa ata duartrokisnin, Angela shuajti qirinjtë e moshës së saj.

Më pas, fëmijët vazhduan në koktejlin e përgatitur për ta, por edhe për prindërit kishte menduar kryesis e shoqatës. Ndërsa fëmijët zhurmonin me zërat e tyre, prindërit shkëmbenin mendime me njëri tjetrin.

Mbas tre orëve salla filloi të boshatisej. Prindërit takonin duart kurse fëmijët përqafoheshin dhe mbasi uronin njëri tjetrin: “Kalofshi gëzuar pushimet e verës dhe mirupafshim në shtator”, hipnin nëpër makina dhe largoheshin. Të fundit u larguan anëtarët e këshillit drejtues të shoqatës, Llazari, Vlashi, Sadiku, Ivziu, Petriti, me kënaqësinë që u jep një punë e frutëshme, si ajo e mbylljes me sukses e vitit shkollor në shkollën shqipe “Gjuha jonë”, kënaqësi që dukej në fytyrat e tyre.

Filadelfia, 21 Qershor 2009