SHFAQET FILMI “SKENDERBEU” – EDHE KESHTU ESHTE BUKUR

Një veprimtari e re në Shoqatën “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia

Sa herë që mbidhen anëtarët dhe dashamirësit e Shoqatës në Qëndrën Kulturore, ka përherë një “sebep”, një ngjarje historike, një promovim libri, bisedë me një artiste shqiptare, ceremonia e hapjes apo mbylljes së vitit shkollor, etj. Por a nuk mund të mblidhemi një herë në muaj ashtu kot, për muhabet, për të ndenjur së bashku, për të pirë një kafe apo një soda dhe kush të dojë edhe për të parë ndonjë film shqiptar ? Këto ishin fjalët në fund të mbledhjes mujore të Kryesisë së Shoqatës, zotit Sadik Elshani. Të gjithë panë njëri tjetrin dhe buzëqeshën. Pse jo? Ky ishte aprovimi.- Shpenzimet për ujë, soda, lëngje frutash dhe ca gjëra të vogla për t’i shoqëruar, këtë herë do t’i heq unë – vazhdoi Sadiku.

U pelqye propozimi i tij dhe u la data. Nuk është hera e parë qe Sadikut i ngjisin si me zamkë idetë që hedh. Para disa vitesh ai propozoi që në muajin dhjetor të çdo viti të përkujtoheshin të gjithë lëvruesit e shquar të gjuhës shqipe, që kishin përvjetorë të plotë lindjeje apo vdekjeje. Këtë mbrëmje përkujtimore, nderimi dhe respekti, që tani ka vite që mbahet, e quajtën “Fjala e Gjuhës së Zjarrtë”. Sadiku përgatit çdo vit materjalin kryesor të mbrëmjes. Pastaj vijojnë edhe materjale për  autorët më të shquar të atij viti, recitime dhe koktejli. Kjo mbrëmje tanimë ka marrë pasaportën e qytetarisë, ka hyrë në traditën e jetës së shoqatës.

Po kjo që propozoi këtë herë  Sadiku, si do të shkojë? Dhe erdhi e djela e fundit e majit. Dalëngadalë salla po mbushej. Bashkatdhetarët vinin familjarisht, vinin me bashkëshortet, me një shok a mik, merrnin një kafe, ujë apo soda dhe uleshin diku ne sallë apo shkonin nga pas godine për të ndezur ndonjë cigare e shkëmbyer ndonjë fjalë. Në sallë nga ekrani i madh i tevizorit filloi të shfaqej filmi ‘Skënderbeu”. Njerëzit filluan të afroheshin, merrnin nga një karrige e shikonin filmin. Duket sikur i kishte marrë malli për të parë këtë film kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit tonë të madh.

-E dini që bëtë mirë që na mblodhët dhe që shfaqët këtë film, – tha xha Mili, nje mik i veprimtarive të shoqatës sonë. Edhe shumë pjesëmarrës të tjërë e pëlqyen këtë nismë.

– Le te mblidhemi të paktën një herë në muaj kështu, –  tha një tjetër  Duket sikur prova kaloi me sukses. T’ia lemë të ardhmes të flasë për jetëgjatësinë e kësaj nisme. Për një gjë jemi të sigurtë: Edhe kështu është bukur. Kemi nevojë për njëri-tjëtrin, qoftë edhe për të këmbyer një fjalë e bisedë.

LAVER NIKU

Filadelfia, 30 Maj 2009