GJUHA SHQIPE ESHTE E BUKUR

Në shkollën shqipe “Gjuha Jonë”, fëmijë, mësues dhe prindër festojnë mbylljen e vitit shkollor 2007-2008

Ishin lajmëruar qysh më parë fëmijët dhe prindërit, që shkolla shqipe “Gjuha Jonë” do të mbylli vitin shkollor më 8 Qershor 2008. Po ashtu fëmijët me mësuesit kishin kohë që po përgatiteshin për ceremoninë e mbylljes sëkëtij viti, mbasi është bërë traditë e bukur në këtë shkollë që mbyllja e vitit shkollor të bëhet me një ceremoni tëbukur, ku fëmijët nëpërmjet një programi me recitime, këngë solo dhe në grup, tregojnë para prindërve se çfarëkanë mësuar në këtë shkollë. Po ashtu edhe Këshilli Drejtues i Shoqatës “Bijtë e shqipes” kishte përgatitur gjithçka për këtë ceremoni.

Pa vajtur ora 10:00 AM, orë në të cilën fillon mësimi në këtë shkollë, një nga një e grupe – grupe hynin nësallën e aktiviteteve në Qëndrën Kulturore të Shoqatës fëmijë e prindër. Dhe salla u mbush plot. Jashtë bënte një i nxehtë tepër i madh aq sa nuk mund të rije dot, kurse brenda një ambjent shumë normal që lejonte fëmijët të bënin gjthshka pa ndonjë vështirësi.

Ishte programuar që një orë do të bëhej një demostrim i fëmijëve më shkrim. Të ulur në karige, me letër e laps në dorë fëmijët sipas porosisë filluan të shkruanin një temë të lire në formë hartimi. Ndërsa ata ishin tëpreokupuar për të treguar më të mirën, mbas tyre prindërit ndiqnin me sy lëvizjet e lapsave në dorën e fëmijëve kur shkruanin. Sigurisht edhe prindërit kishin emocionet e tyre, mbasi ishte viti i parë ky që organizohej një testim i tillë. Në fund të orës fëmijët i dorzuan letrat zotit Llazar Vero, kryetar i shoqatës, për t’i parë ato dhe për t’i ruajtur nëfondin e dokumentave të shkollës. Ky testim ishte pjesa e parë e ceremonisë së mbylljes së vitit shkollor.

Në vazhdim, zoti Llazar Vero, në emër të shoqatës përgëzoi fëmijët për përparimin në gjuhën shqipe si dhe falenderoi prindërit për interesin e treguar për të sjellë fëmijët në shkolën shqipe. Po ashtu ai shtroi para prindërve edhe disa veshtirësi që has shkolla gjatë gjithë vitit në mënyrë që secili prind të ndihmoj për ta mbajtur gjallë sa mëgjatë këtë shkollë.

Në pjesën e dytë fëmijët u grumbullunan në krye të sallës për të dhënë programin e tyre. U fillua me himnin e flamurit. Këndonin fëmijet në grup të shoqëruar nga prindërit që u ngritën menjëherë në këmbë sapo u dëgjuan notat e para të himnit.

Pastaj programi përmbante këngë në grup si dhe të veçanta për secilin nivel të shkollës. Të parët e filluan tëvegjlit e nivelit të parë, ata të abetares, që kënduan së bashku por edhe recituan një nga një. Ishte kënaqësi tek shikoje vogëlushët Jasilda Pajollari, Anna Thanasi, Shefit dhe Jetmir Kobaci, Albi Vata, Olta dhe Martin Marku, tek këndonin e recitonin sa bukur aq edhe me pasion në gjuhën që ka bilbilur i madhi ynë Naim Frashëri. Pas tyre e patën radhën nxënësit e nivelit të dytë me Aurora Cenaj, Angela Fili, Xhesida Pajollari, Daniel, Klodiana e Saimir Bici, Daner Baxhija, dhe më pas ata të nivelit të tretë e të katërt. Të pranishmit në këtë ceremoni duartrokitnin çdo interpretim duke i përkëzuar fëmijët “bravo, ju lumtë”. Të qeshurat shpërthenin në sallë kur sipas programit, fëmijët kërkonin përgjigje nga prindërit për gjë a gjëzat që tregonin. Dhe kur nga salla dëgjohej përgjigja shpërthenin duartrokitjet dhe të qeshurat.

Në përfundim të programit që u pëlqye nga prindërit, të gjithë në grup kënduan këngën satirike “Macja ime ka që mbrëmë” dhe këngën “Për alfabetin”.

Mbas kësaj u kalua në pjesën e tretë, në dhënien e dëftesave dhe vlerësimeve. Po ashtu, këshilli drejtues i shoqatës kishte përgatitur për sejcilin fëmijë edhe nga një dhuratë simbas shkallës së rezultateve që ata kishin arritur. Kjo ishte edhe pjesa më emocionuse e kësaj ceremonie.

Një nxënës që kishte veshur një bluzë të kuqe me shqiponjën dy krenare në gjoks u vendos në krye të sallës dhe mori flamurin tonë kombëtar. Tek ai do të afroheshin fëmijët me radhë, kur Llazar Vero do u thëriste emrin. Do të uleshin në gjunjë para flamurit, do të thonin fjalët formulë: “Të falem o flamur”, do ta puthnin atë e do ta vinin në ball. Pastaj, duke falenderuar do të mernin zarfin në të cilin ishte dëftesa, vlerësimi për rezultatet e arritura dhe dhurata. Mbas kësaj do të uleshin në vend për t’i lënë radhën tjetrit. Një ritual të tillë do ta kryenin të gjithëfëmijët, duke filluar nga ata më të vegjlit, të nivelit të parë, deri tek ata të nivelit të katërt.

Këtë ceremoni e mbylli përsëri z. Llazar Vero. Ai falenderoi edhe një herë fëmijët dhe prindërit si dhe mësueset e palodhura të kësaj shkolle zonjat Mirela Qirici, Kismete Begollari, Mirjana Kina dhe Raimonda Bardhi, puna e të cilave ka qënë e palodhur në këtë shkollë.
Pastaj ai ftoi të gjithë, fëmijë e të rritur të kalonin në shoqërinë e një koktejli tradicional.

Gjatë kësaj kohe kontaktuam lirshëm me shumë fëmijë për të na dhënë mendimet e tyre dhe dëshirat për shkollën shqipe. Ishte me të vërtetë interesante sepse pothuajse të gjithë fëmijët me të cilët folëm, dhanë të njëjtin mendim:

” Mësimi, në shkollën shqipe “Gjuha jonë”, na pëlqen se gjuha shqipe është e bukur”

Me urimin “Mirupafshim në shtator”, fëmijë e prindër u larguan dhe shkolla shqipe në Filadelfia i mbylli dyert edhe për këtë vit shkollor, për t’i hapur përsëri në shtator në vitin e gjashtë të saj.

Filadelfia, 10 Qershor 2008