MBREMJA LETRARE – Fjala e gjuhës së zjarrtë në shekuj

Është i dyti vit që Kryesia e Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia organizon Mbrëmjen Letrare: “Fjala e gjuhës së zjarrtë në shekuj”. Idea e kësaj veprimtarie lindi vitin që shkoi, për të përkujtuar të gjithë ata njerëz të kombit tonë atdhetarë, letrarë, artistë e muzikantë që kanë përvjetorë të plotë. Dhe këtë vit, ishin jo pak të tillë, që fillonin me autorin e formulës së Pagëzimit, Pal Ëngjëllin në 590 vjetorin e lindjes, dhe që vazhdonin me shumë të tjerë midis të cilëve Naum Veqilharxhi në 210 vjetor, Asdreni nw 135 vjetor, Fan S. Noli në 125 vjetor, Mitrush Kuteli në 100 vjetor, Musine Kokolari në 90 vjetor, etj. etj. dhe që përfundonin me Betim Muço dhe Agim Vinca në 60 vjetor, të cilët mbyllnin listën e gjatë prej më shumë se 60 emra të shquar. Po ashtu këtë vit ishte edhe 120 vjetori i çeljes së shkollës së parë shqipe në Korçë, 50 vjetori i hapjes së Universitetit të Tiranës si dhe 50 vjetori i formimit të shoqatës së studentëve shqiptar në Universitetin e Beogradit “Përndjekja”.
Në këtë mbrëmje letrare morrën pjesë anëtarë të shoqatës si dhe bashkatdhetarë të tjerë.

Merrnin pjesë gjithashtu: Sekretar i Ambasadës Shqiptare në Washington z. Arjan Spase me gjithë zonjën, nga Nju Jorku, shkrimtari ynë i mirënjohur z. Naum Prifti si dhe nga Virxhinia shkrimtari e poeti z. Petraq Pali me gjithë zonjën, të cilët i prezantoi dhe njëkohësisht i falenderoi, në fillim të kësaj veprimtarie z. Llazar Vero, Kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”.
Në fjalën e hapjes me titull “Për ata që bëjnë Atdhe – Për ata që i japin shpirtin Atdheut” z. Llazar Vero midis të tjerave tha:
“… Kjo veprimtari është e thjeshtë si shfaqe por e madhe si qëllim. Ne duam të nderojmë e të respektojmë të gjithë ata njerëz të penës që mbajtën dhe mbajnë gjallë historinë, kulturën, traditat, shpirtin e popullit tonë, që e ngritën fjalën shqipe në majat më të larta. Këta janë një pasuri e madhe që kap kufijtë e gjithë shekujve. Kjo është pasuria më e çmuar e një populli. Dhe ne thjeshtë duke i kujtuar dhe nderuar u themi “Ju faleminderit”…..”
Veprimtarinë e filloi z. Sadik Elshani me materialin”Fjalët e gjuhës së zjarrtë ndër shekuj”, në të cilin ai dha një pasqyrë të të gjithë njerëzve tanë të shquar që kanë përvjetorët e plotë. Në këtë pasqyrë përmëndeshin, shkurt, për sejcilin, meritat kryesore për atë që kan dhënë kombit tonë

Më pas, u fol më gjerësisht për disa nga këto figura, ku folësit paraqitwn materialet e përgatitura. Kështu z. Petrit Pasholli kishte përgatitur materialin me temë: “Asdreni, poeti i zërit të fuqishëm”; z. Vlashi Fili: “Fan S. Noli, personalitet i shquar në thesarin e kulturës kombëtare”; z. Naum Prifti: “Ali Asllani, kritiku i fjalës së bukur”, ku edhe shtoi disa kujtime të vetat me Ali Asllanin; z. Petraq Pali: “Mitrush Kuteli, prozatori që diti ta ringëlloi prozën e tij vetëm me tinguj kutelian”; z. Ivzi Cipuri: “Preng Jakova dhe Çesk Zadeja, dy kompozitorë të mëdhenj”; z. Sadik Elshani: “Ali Podrimja, poeti që me pak fjalë shpreh shumë”, dhe e mbylli ciklin e materialeve z. Llazar Vero me “Naum Prifti, njeriu i shquar i tregimit shqiptar”.

Të gjithë folësit dhanë një pasqyrë të gjerë të jetës dhe veprës të këtyre njerëzve si dhe cilësonin veçoritë e tyre në fushat ku ata kanë dhënë më shumë. E përbashkëta në të gjitha materialet shquhej dashuria e tyre për kombin, kulturën, traditat dhe gjuhën shqipe.

Të gjitha materialet u vlerësuan nga auditori.
Midis folësve u interpretuan edhe pjesë nga krijimtaria e njerëzve tanë të shquar. Kështu znj. Suzana Vangjeli recitoi poezinë “Për Atdheun” të Asdrenit si dhe poezinë “Jam shqiptar, jam kosovar” të Mitrush Kutelit. Znjsh. Iva Cipuri recitoi nga krijimtaria e Fan Nolit poezitë “Hymni i Flamurit” dhe “Rent or Marathonomak”, si dhe nga krijimtaria e Ali Podrimjes poezinë “Unë, biri im”. Z. Llazar Vero lezoi një shkrim të shkurtër të Naum Priftit me titull “Pse Shqipëria ka kaq shumë male”. Të gjitha interpretimet u pëlqyen shumë jo vetëm për vlerat e krijimeve, por edhe për interpretimin e bukur e me kulturë të tyre, çka e treguan më së miri duartrokitjet e gjata.

Veprimtarinë e pasuruan më tej dhe plotësimet me kujtime. Kështu z. Naum Prifti veç kujtimeve të tij me Ali Asllanin, tregoi edhe disa kujtime me Mitrush Kutelin që ai e quajti tregimtar të talentuar dhe që e kishte mësuesin e vet, si dhe një kujtim nga takimet me Çesk Zaden. Po ashtu edhe Prof. Anastas Dodi solli kujtimet e tij.

Në këtë veprimtari e mori fjalën edhe z. Arjan Spase. Ai vlerësoi veprimtarinë dhe në përgjithësi punën e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Ndër të tjerat ai tha:
“…Është kënaqësi që vij për herë të dytë në Filadelfia. Shoqata juaj, ndofta jo shumë e madhe, me punën që po bën po e prezanton veten si një shoqatë e madhe. Këtë e tregon edhe kjo veprimtari që keni organizuar sot. Ky kujtim që u bëni njerëzve tanë të shquar është mjaft i rëndësishëm sepse ju vini në dukje emrat e njerëzve tanë të shquar por edhe vlerat e tyre. Kjo ju nderon juve si shoqatë…”

Pastaj një e papritur e këndëshme për pjesmarrësit dhe sidomos për tregimtarin tonë z. Naum Prifti. Këshilli Drejtues i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” e kishte vlerësuar z. Naum Prifti me “Nderi i Komunitetit”, të cilin ia dha të shoqëruar me një dhuratë simbolike dhe një tufë me lule, z. Llazar Vero. U ndodh i papërgatitur z. Naum, para këtij vendimi të Këshillit Drejtues të Shoqatës, por falenderimi i tij shprehu shumë.

Po ashtu z. Llazar Vero, falenderoi edhe shkrimtarin e poetin qeparotas me banim në Virxhinia, z. Petraq Pali, për pjesmarrjen aktive në këtë veprimtari, por edhe për dhuratën e bukur që i bëri shoqatës, disa libra të tij dhe të të atit të vet, Janko Pali, “Mësues i Merituar”, si dhe një çek prej $ 100 për shkollën shqipe “Gjuha Jonë”.

Veprimtaria u mbyll me një banket të pasur ku pjesëmarrësit shijuan gatimet e shijshme të amvisave tona, të cilat i falenderoi para pjesëmarrësve, z. Llazar Vero. Ndërkohë edhe me nga një kafe në dorë, pjesëmarrësit qëndruan gjatë në biseda të lira. Nuk munguan dhe fotot e shumta si kujtim.

Shumë vonë, mundi të qetësohej ajo sallë e vogël e Qendrës Kulturare të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, por që tashmë ruan vlera të mëdha Kombëtare.

Filadelfia, 22 Dhjetor 2007