95 VJETORI I PAVARËSISË NDËR SHQIPTARËT E FILADELFIAS

Vitet kalojnë njëri pas tjetrit duke lënë gjurmët e veta, por në sejcilin prej tyre ndriçon 28 Nëntori, dita e shpalljes së Pavarësisë, Festa e Flamurit. Shifra ndryshon çdo vit dhe ja këtë vit fiksohet 95, pra 95 Vjetori i Pavarësisë. Për nga rëndësia, është festa më e madhe për popullin shqiptar. Është festa që bashkon të gjithë shqiptarët, pa marë parasysh bindjet politike, idet fetare, veçoritë krahinore. Ata i bashkon flamuri ynë i ngritur 95 vjet më parë në Vlorën heroike, që hodhi poshtë robërinë shumëshekullore të popullit tonë, dhe shpalli para botës mëvetësinë e Shqipërisë.

` Festimi i kësaj ngjarje është bërë traditë e bukur edhe ndër shqiptarët e Filadelfias. Ka disa vjet rrjesht, që mbrëmjen festive e organizon shoqata “Bijte e shqipes”. Edhe këtë vit, kryesia e shoqatës, kishte marë masat për një festim dinjitoz. Por në ndryshim nga vitet e mëparshëm, duke patur parasysh kërkesat e shumta nga bashkatdhetarët për të marë pjesë në këtë festim, mbrëmja festive u organizua në dy netë, më 23 dhe 25 Nëntor.

Rreth 600 bashkatdhetarë, jo vetëm nga Filadelfia dhe rrethinat e saj por edhe nga Nju Jorku, Nju Xhersi, Baltimore e Bostoni, festuan së bashku për orë të tëra. Mandej duhen përmëndur edhe dy çifte të moshuar, nga Shqipëria, që kishin programuar ardhjen e tyre në Filadelfia, në ditët e kësaj feste.

Masat e mara nga kryesia e shoqatës, me programin e përshtatur pikërisht për këtë festë, bënë të mundur seriozitetin dhe bukurinë e mbrëmjeve festive. Të bënte përshtypje salla e përshtatur për këtë festim, veshjet dinjitoze të bashkatdhetarëve, rregulli e disiplina, tavolinat e shtruara bukur, ku binin në sy pecetat me ngjyrë të kuqë, serioziteti i shërbimit, menuja cilësore, këngëtarët, orkestra si dhe të papriturat e këndëshme gjatë gjithë mbrëmjes. Mernin pjesë edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Sh.B.A. z Aleksandër Sallabanda me gjithë zonjën, sekretari i ambasadës z. Arian Spase, presidenti i shoqatës arbëreshe “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, z. Toni Karafa me gjithë zonjën, miku i shoqatës tonë, avokati i njohur arbëresh, anëtar i kryesisë së shoqatës arbëreshe z, Mikele Gianpaolo me gjithë zonjën, të cilët i prezantoi para pjesëmarrësve, në fjalën e tij z. Llazar Vero, kryetar i Shoqatës “Bijte e shqipes”.

Po ashtu ishin ftuar këngëtarja e njohur Irma Libohova, e ardhur enkas nga Shqipëria për këtë festim, këngëtarja Luljeta Pëllumbi, humoristi Arjan Rrapushaj si dhe grupi orchestral “Alba” me drejtues artistik, instrumentistin e njohur, Edi Xhani.
Dalja e anëtarëve të kryesisë së shoqatës, para të pranishmëve, dha sinjalin e fillimit të kësaj mbrëmje.
Në fillim u egzekutuan hymnet kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë, që u shoqëruan në këmbë nga të gjithë pjesmarrësit.
Pastaj z. Llazar Vero, mbasi uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve si dhe “Gëzuar festën” ia dha fjalën z. Viktor Furxhi, anëtar i këshillit drejtues të shoqatës.

Në fjalën përshëndetëse z. Viktor Furxhi, midis të tjerave tha: “…. Është bërë traditë që edhe ne shqiptarët e Filadelfias, të angazhohemi familjarisht, që dita e 28 Nëntorit të përkujtohet me respekt. Të organizuar në shoqatën “Bijtë e shqipes”, po përpiqemi të mbajmë ndezur ndjenjën e atdhedashurisë, kulturën dhe zakonet e mira të shqiptarëve. Hapja dhe funksionimi normal i shkollës shqipe, organizimi i veprimtarive kulturore, përkujtimi i njerëzve tanë të shquar dhe kjo mbrëmje festive që kemi organizuar për këtë ditë të shënjtë, e tregojnë më së miri një gjë të tillë. Madhështinë e kësaj feste e shoqëron edhe momenti final i pavarësisë së Kosovës, për një shkëputje përfundimtare nga rregjimi shovinist sërb”. Ai e përfundoi fjalën përshëndetëse më: “Rroftë Dita e Flamurit. Gëzuar Festën”.
Dhe qysh në fillim me të papriturat e këndëshme. Nga Bostoni, kishte ardhur së bashku me zonjën, skulptori i njohur Arben Laze, nxënës dhe më vonë bashkëpunëtarë i Skulptorit të Popullit, Odise Paskali. Ai kishte ardhur për të festuar së bashku me ne, por për më tepër për të shoqëruar veprën e tij, për të cilën kishte muaj që punonte. Na kishte premtuar se do të bënte enkas, për Qëndrën Kulturore të Shoqatës tonë, dhe e kishte mbajtur fjalën. Solli bustin e Ismail Qemalit, bust me përmasa 46 x 42 inç. (1,15 x 1,05 metra), bust që kishte zënë vend në skenën e sallës. Për inagurimin e bustit, u ngjitën në skenë ambasadori z. Aleksanrër Sallabanda, anëtari më i moshuar i shoqatës, 89 vjeçari, z. Koço Duka, si dhe autori i veprës, skulptori Arben Laze, të shoqëruar nga z. Llazar Vero. Kur mbas rëzimit të perdes, u shfaq madhështia dhe bukuria e bustit, gjithë salla shpërtheu në duartrokitje të cilat përshëndesnin e falenderonin autorin e veprës, por ndërkohë shprehnin edhe gëzimin që Qëndra Kulturore e Shoqatës, do të pasurohej me këtë bust, të burrit tonë të shquar, autorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit. Është me të vërtetë një vepër dinjitoze, e ardhur nga Bostoni për të qëndruar përfundimisht aty ku e ka vendin, në Qëndrën Kulturore të “Bijve të Shqipes”.

Pastaj radhën e kishte orkestra dhe këngëtaret. Në fillim Irma, që mbasi uroi për festën dhe falenderoi për ftesën e bërë për të dytin vit rrjesht, shpërtheu me zërin e saj të fuqishëm. Mbas saj edhe këngëtarja tjetër, Luljeta Pëllumbi.

Të dyja këngëtaret, me interpretimet e bukura, ftonin në valet popullore apo edhe në vallëzime. Dhe festuesit nuk nguronin. Linin tavolinat me ushqimin e servirur dhe mbushnin pistën e vallzimit. Kënga e vallja shqiptarçe shoqëroi me orë të tera mbrëmjen e festës. Kërcenin fëmijët e të rinjtë, por nuk ngeleshin pas edhe të moshuarit, që megjithëse mosha ka bërë të vetin, në këtë festë të bukur nuk donin t’ia dinin.

E mori fjalën edhe ambasadori z. Aleksandër Sallabanda. Ai uroi pjesëmarrësit për festën e Pavarësisë. Duke falenderuar shoqatën për ftesën, shprehu kënaqësinë që po festonte së bashku me shqiptarët e Filadelfias. Midis të tjerave ai tha: “… Sonte, këtu midis jush , gjeta vendin tim, Shqipërinë. Po shoh , tek ky komunitet dashurinë për vendin tonë, dashurinë për njëri – tjetrin, dëshirën për të përkujtuar Ditën tonë të Pavarësisë. Prandaj këtu gjeta vendin tim të dashur, atdheun e përbashkët, Shqipërinë tonë…”.

Përsëri, këngë e valle. Kur këngëtarja Irma Libohova filloi të këndojë këngën e mirënjohur nga të gjithë shqiptarët “Lule borë”, nga salla u ngritën e u afruan tek këngëtarja, dy të reja, Dorela Agu dhe Anila Tuhraja. Sapo ato filluan të shoqëronin Irmën, ajo heshti dhe këngën e vazhduan Dorela dhe Anila. Duartrokitjet e sallës dhe të Irmës treguan se ato e kënduan shumë bukur “Lule borën”.

Ndërkohë edhe kameramani ynë, z. Florian Bezhani, anëtar i shoqatës, nuk bënte pushim. Ai filmonte sa nëpër tavolina dhe tek këngëtarët aq edhe tek ata që kërcenin.

Pastaj z. Petrit Zanaj, N/kryetar i Shoqatës, pasi falenderoi edhe një herë skulptorin Arben Laze për veprën e tij, përmëndi e falenderoi të gjithë donatorët që kanë ndihmuar për mbulimin e shpenzimeve për këtë vepër.

Z. Llazar Vero, komunikoi të pranishmëve inisiativën e Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, për ngritjen e monumentit madhështor të Skëndërbeut. “Pa Skënderbeun, Europa nuk do të ishte kjo që është dhe Amerika do të ishte ndryshe”, theksoi ai ligjëratën e thënë në Kongresin Amerikan, për heroin tonë legjendar. “Kështuqë ai e meriton të ngrihet madhështor edhe këtu në Amerikë” – vazhdoi ai. Më pas z. Llazar, bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, të kontribuojnë, për të bërë të mundur një gjë të tillë. Këtë inisiativë e përkrahën, në fjalën që morën, ambasadori z. Sallabanda dhe Presidenti i Shoqatës Arbëreshe “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” z.
Midis këngëve dhe valleve, humoristi Arjan Rrapushaj, interpretoi pjesë që sollën të qeshura në sallë. Po ashtu i riu nga Filadelfia z. Renato Shahu, u ngjit në skenë dhe këndoi i shoqëruar nga orkestra.

Kur në skenë doli vogëlushja Jesida Pajollari Kreka, nxënëse e vitit të dytë në shkollën shqipe “Gjuha Jonë”, në sallë u vendos heshtja. Mbasi prezantoi familjen e saj që ishte në sallë, me mikrofon në dorë, recitoi poezinë “Flamurit”.
Kurse e reja Iva Cipuri, tregoi talentin e vet në interpretimin e poezisë “Hymni i Flamurit” të Fan Nolit.

Të dyja recitueset u përshëndetën nga salla me duartrokitje.
Pastaj, përsëri këngëtaret vazhduan programin e tyre. Shpesh ato shoqëroheshin nga salla. Irma, në momente të caktuara, ndërpriste këngën dhe zgjaste mikrofonin në drejtim të sallës. Atëhere salla shpërthente. Ishin me të vërtetë çaste të bukura.

Programin e mbrëmjes e mbylli llotaria tradicionale e organizuar nga Këshilli Drejtues i Shoqatës, ku kurioziteti për fituesit shoqëroi çdo hedhje të shortit.
Mbas llotarisë mbrëmja festive nuk u mbyll. Ajo vazhdoi me këngë e valle deri në mesnatë.
Kështu u festua 95 vjetori i Pavarësisë ndër shqiptarët e Filadelfias.

Me shtrëngime duarsh dhe me urimin “Ta gëzojmë festën për jetë e mot”, si dhe “Kështu u mbledhshim përherë”, festuesit filluan të largohen të kënaqur.

Filadelfia, 28 Nëntor 2007