NË SHKOLLËN SHQIPE “Gjuha Jonë”FESTOHEN FESTAT E FUNDVITIT

Dita e dielë është dita kur fëmijët mblidhen për të mësuar gjuhën shqipe në shkollën “Gjuha Jojë” në Filadelfia, por ajo e dielë e dt. 17 dhjetor 2006 pati diçka jo të zakonëshme. Kjo dukej qartë po të shikoje fëmijët, para se të vinte ora 10 AM që grumbullohen duke patur në duar, veç librave dhe fletoreve edhe diçka tjetër.

Qysh një javë më parë ata ishin lajmëruar se dt. 17 dhjetor do të ishte dita e fundit e këtij semestri, prandaj veç mësimit të zakonshëm do të festoheshin festat e fundvitit. Prandaj ata sillnin me vete edhe ndonjë zbukurim, pije apo edhe ndonjë ushqim.

Ora 10-00 AM. i gjeti të gjithë nëpër klasat përkatëse ku u bë një orë mësimi e rregullt në përfundim të së cilës fëmijët morën detyra për t’i kryer gjatë ditëve të pushimit.

Në orën e dytë fëmijët u grumbulluan në sallën e aktiviteteve të Qëndrës Kulturore për të festuar. Së bashku me ta ishin edhe mësueset, Mirela Qirici, Mirjana Kina dhe Rajmonda Bardhi. Po ashtu festuan me fëmijët edhe z. Llazar Vero, Kryetar i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, z. Vlashi Fili, sekretar i shoqatës, z. Ivzi Cipuri dhe z. Sadil Elshani, anëtarë të kryesisë së shoqatës. Kur fëmijët ishin duke festuar u bashkuan me ta edhe prindërie që vinin një e nga një. Salla ku fëmijët gezuan, veç të tjerave ishte zbukuruar edhe me pëmën e Krishtlindjeve dhe të vitit të ri.

Festa u hap me himnin e Flamurit që fëmijët e kan mësuar në shkollën shqipe, të cilin e kënduan së bashku fëmijë e të ritur. Pastaj fëmijët në kor kënduan këngën e Flamurit;
Ty flamur të duam shumë / Ti për ne je nënë e babë
Për tu gjakun derrdhim lumë / O flamur i kuq me zhgabë.
Mbas kësaj kënduan këngën humoristike “Oh sa mirë, oh sa keq”. Po ashtu të gjithë së bashku recituan vjershën “Gjuha Jonë”.
Më pas fëmijët u vunë në “garë” me njëri – tjetrin, se kush do të recitonte më bukur dhe më mirë në gjuhën shqipe. Kështu recituan Ana, Malvini, Melisa, Jetoni, Kevin, Klodiana dhe Ledi.

Një recitim të bukur, me një shqipe pa gabime bëri një vogëlush 5 vjeçar në poezinë “Një zog i vogël”
Po ashtu Besard Çima dhe Vitjon Fili nxënës në nivelin e tretë të kësaj shkolle recituan pjesë nga poema “Bagëti e bujqësi” të Naim Frashërit.
Në përfundim të këngëve dhe recitimeve fëmijët kënduan në kor këngën “Viti i ri”:
Ja na erdhi viti i ri
Sa jam i gëzuar
Porsi unë të gjithë fëmijët
Presim për ta festuar.

Mbasi mbaruan këngët dhe recitimet fëmijët u drejtuan nga tavolina e ushqimit që kryesia e shoqatës kishin përgatitur për ta. Biskota, patatina, ëmbëlsira dhe pijë të ndryshme mernin fëmijët, mbushnin pjatat dhe me atë çiltërsinë e tyre fëminore hanin, pinin, flisnin me zë të lartë, qeshnin, bridhnin nëpër sallë.

Kur erdhi momenti përfundimtar z. Llazar Vero, duke i’u uruar fëmijët në emër të Kryesisë së Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, shpërndau fëmijëve çanta dhuratë për festë, të mbushura brenda me mollë, portokale, çokollatë, karamele, lëpirëse dhe tollombace kuq e zi.

Ja kështu festuan fëmijët e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia dhe në largim me urimin “Mirupafshim më 7 janar 2007″

Filadelfia, 20 dhjetor 2006