VJEN “E DIELA SHQIP” NË FILADELFIA

Të dashur bashkatdhetarë të Filadelfias !
Dita e hapjes së shkollës shqipe “Gjuha Jonë” për vitin shkollor 2017-2018, erdhi. Këtë të dielë, më 10 shtator, në orën 9:30 të mëngjesit, siç do vit që prej 14 vitesh, ambjentet e Qendrës tonë social-kulturore do të gumëzhijnë sërish nga zërat e ëmbël të fëmijve tanë, që do të ndjekin mësimin e gjuhës tonë të bukur shqipe, të historisë dhe kulturës tonë kombëtare. Është ditë feste për këta fëmijë që presin me padurim, por edhe për ne prindërit e tyre. Është ditë feste për mësueset e palodhura të kësaj shkolle, por edhe për të gjithë antarët e këshillit drejtues të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, të cilët gjatë kësaj periudhe vere kanë punuar të krijojnë kushte me të mira mësimi. E tillë, ditë feste, është edhe për veprimtarët e shumtë të shoqatës, dashamirësit e shtimit të nxënësve pranë kësaj shkolle, të cilët sipas mundësive kanë filluar të dhurojnë e të kontribuojnë edhe financiarisht në këtë drejtim.
Këtë vit, nxënësit e të 5 niveleve, nga klasa e parë deri në të pestën, do të kenë bluzat e tyre me stemën e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, falë kontributit të bisnesmenit nga Shqipëria, Mezan Malaj. Ishte Mezani së bashku me shokun e tij Bajram Berisha, të cilët vitin e kaluar bënë një vizitë në ambjentet e shoqatës, ku u emocionuan nga puna e madhe vullnetare që bëhet këtu. Ata ishin nga ata atdhetar, zemra e të cilëve rrihte dhe rritej në ambjente të tilla, prandaj u anëtarësuan në “Bijtë e Shqipes”, duke u bërë edhe kontribues të rendësishëm të saj. Ata ndihmuan grupin e fëmijve me autizëm në Paskuqan të Tiranës, ndërsa do të sjellin për festimin e 105 Vjetorit të Pavarësisë, flamuj kombëtar dhe bluza e kapele me simbolet tona kombëtare për nevojat e këtij manifestimi. Ju shprehim mirënjohje të pakufishme të dy bashkatdhetarëve tanë të nderuar, ashtu siç kemi falenderuar edhe familjen “Kokthi” dhe bisnesmenin Dorjan Kongoli, për dhurimin e 30 kostumeve kombëtare për nevojat e shkollës, apo edhe të tjerë anëtar të komunitetit që nuk kanë ngurruar të jenë pjesë e kësaj ndihme.
Këtë vit, presim që më shumë prindër të angazhohen e të sakrifikojnë për fëmijët e tyre. Le ta bëjmë këtë tani, pasi nesër do të jetë shumë vonë. “Çdo gjë, në kohën e vet”- thotë populli ynë. Prandaj të mos e lëmë kohën të na ikë, me rritjen e moshës të fëmijve tanë, vështirësitë e mësimit të gjuhës shqipe rriten. Mbi 600 fëmijë të bashkatdhetarëve që kanë ndjekur mësimin e gjuhës në këtë shkollë, tashmë shijuan pushimet, e u kënaqën me bisedat me njerëzit e tyre në Atdhe. Shumë prej tyre, dëshminë e gjuhës shqipe e kanë paraqitur në shkollat apo kolegjet ku ata studiojnë.
Prandaj, të nderuar bashkëkombas ejani me fëmijët tuaj ditën e dielë   në qendrën tonë social-kulturore, në vitin e ri shkollor duke kënduar Hymnin tonë Kombëtar e duke gëzuar fëmijët tuaj e nxënësit tanë, që do të jenë emri i ardhshëm i komunitetit shqiptar.
Ne ju mirëpresim si gjithnjë, krahë hapur e të palodhur së bashku me mësueset e shkollës, për të krijuar kushte normale mësimi e për të rregulluar së bashku çdo gjë që nuk është bërë si duhet deri tani.
Vit i mbarë për shkollën shqipe “Gjuha Jonë” !

Me  respekt
Këshilli Drejtues i Shoqatës
Bijtë e Shqipes”, Filadelfia

Filadelfia,me 11 Shtator 2017