U FESTUA ME MADHËSHTI FESTA E FLAMURIT NË FILADELFIA

Për disa ditë me radhë ambjentet dhe shtëpitë e komunitetit shqiptar në Filadelfia ishin jo si zakonisht; Flamuj Kuq e Zi, portrete e postera për ditën e Flamurit i shihje jo vetëm nëpër kafenet e restorantet shqiptare, në makinat e tyre, por edhe në ambjente të tjera amerikane si në “Dankin’Donuts café”, etj. ku shqiptarët çlodhen e bisedojnë më shpesh. Gëzimin e lexoje në fytyrën e çdo njerit. Si çdo vit edhe këtë radhë, Shoqata Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes”, kishte kohë që kishte filluar përgatitjet për të shpalosur me krenari ditën e Flamurit, 102 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Prezantimi i parë për këtë eveniment u bë nëpërmjet një reklame të madhe elektronike që kompania energjitike “PECO” bën në majën e ndërtesës së saj të lartë, në qendër të qytetit, ku për tre net rresht u shfaq urimi ” Happy Indipendence Day of Albania”, nga e cila, secili bashkëkombas e ndjente veten krenar, dhe nga brenda vlonte dashuria për Atdheun, për Shqipërinë.

Në këtë atmosferë festive, erdhi 28 Nëntori i këtij viti, i cili do t’i gjente shqiptarët këtu, me Flamuj Shqiptar e Amerikan në duar, në sheshin pranë bashkisë së qytetit, ku për të tretin vit rresht ngrihet lart solemnisht Flamuri ynë dhe do të qëndrojë aty krahas atij amerikan për pesë ditë. Kënga dhe vallja shqiptare mbushën sheshin, ku pas një grupi nxënësish të shkollave të mesme, rrethi i valles zgjerohet me të gjithë pjesëmarrësit. Më pas Himni Amerikan, e menjëherë pas tij i vjen radha Himnit tonë Kombëtar dhe Flamuri i madh Shqiptar i porositur dhe dhuruar enkas për këtë ngjarje nga bisnesmeni Fredi Xhema, filloi të ngjitet në shtyllën e lartë të sheshit nën kujdesin e Zana Vangjelit dhe dy vajzave të veshura me kostumin tonë kombëtar Orela Suku dhe Jonida Pajollari. Tashmë dy flamujt, të dy kombeve miq, valviten përkrah njëri-tjetrit. Pas kësaj e mori fjalën z. Tajar Domi, kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, që në emër të Këshillit Drejtues të saj, përshëndeti pjesëmarrësit. Midis të tjerave ai tha: “Jemi mbledhur sot në këtë shesh të qytetit të Filadelfias, shumë larg Atdheut tonë të dashur, për të vazhduar traditën e festimit të ditës së Flamurit, të 102 Vjetorit të shpalljes së Shqipërisë Shtet i Pavarur. Festojmë kështu brez pas brezi këtë ditë të simbolit tonë, të Flamurit. Ai është kuq e zi; ai është historia e një kombi të coptuar e të masakruar, por kurrë të shuar; histori lufte dhe sakrificash , burrash, trimash, që e kanë bërë vdekjen si me le. … Derisa vijmë tek 28 Nëntori 1912 kur 40 burra të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, të udhehequr me mençuri nga atdhetari dhe burri i lartë i kombit Ismail Qemali, shpallën Shqipërinë të lirë dhe të mosvarme, dhe me firmat e tyre nënshkruan historinë. Figura të tilla si Luigj Gurakuqi, Dom N. Kacorri, Bab D. Karbunara, Rexhep Mitrovica, Haxhi V. Dibra, Murat Toptani, Lef Nosi, Mithat Frashëri e të tjerë, populli i përjetësoi në këngë, në libra, i ngjiti në piedestal veprimtaritë e tyre, krenohet me to dhe nuk i harron kurrë”. Më tej z. Domi vazhdoi: “Mirënjohje për SHBA, shtetin më të fuqishëm të botës, për çfarë ka bërë dhe bën për shqiptarët, pasi do të ishte presidenti Willson ai që në vitin 1919 do t’u vinte fre kryqëzatës për coptimin e Shqipërise, ashtu si 80 vite më vonë presidentet Bush dhe Clinton do të udhëhiqnin përpjekjet e NATO-s për t’i dhënë lirinë gjysmës tjetër të kombit, Kosovës. Ky përvjetor i ditës së Flamurit, tha Ai, përkon me 70 Vjetorin e Çlirimit të Atdheut, ku Shqipëria duke luftuar për mbrojtjen dhe çlirimin e vendit, u rreshtua në krah të SHBA, Anglisë e BS, dhe mijëra luftetarë, djem e vajza, ranë në fushën e betejës, duke u bërë të pavdekshëm në altarin e lirisë së kombit”.

Sot, 102 vite më vonë nga shpallja e Pavarësisë, ne jetojmë në një realitet tjetër. “ShBA-të janë krenarë që e kanë Shqipërinë si aleate, mike dhe partnere të ngushtë. Ajo është një partnere e palëkundur dhe kontribuese për sigurinë globale”- thotë presidenti Barack Obama-, në përshëndetjen që i dërgoi popullit shqiptar në këtë përvjetor. Edhe në këtë realitet të ri, sfida jonë e përhershme, këtu dhe kudo, është bashkimi. Të bashkohemi me moton: ” Bashkë jemi më shumë, së bashku mund të bëjmë më shumë”. Le të qëndrojmë së bashku për të mirën tonë, të fëmijve tanë, për të ruajtur gjuhën tonë, historinë, kulturën dhe traditat tona. Pas përshëndetjes, sheshin, të dekoruar që më parë nga Haki Çollaku, Llazar Vero, Sadik Elshani e Bashkim Bërdufi, e pushton përsëri kënga dhe vallja shqiptare e përzgjedhur me mjeshtëri nga DJ. Ervin Cara, dhe për rreth dy orë të tjera, të rinj e të reja, fëmijë e të moshuar e mbajtën ndezur atdhedashurinë. Gëzimit tonë iu shtuan mjaft vizitorë të rastësishëm të cilët u bashkuan në vallet tona, ndërkohë që gostiteshin me kafe dhe ëmbëlsira nga Eldion Pajollari (State Farm Agent) i cili i kishte ofruar ato falas, për të gjithë pjesëmarrësit. Këngetarja Anila Halili me dy këngë për Atdheun dhe për Flamurin, i dha mjaft emocione publikut, i cili e duartrokiti me shumë dashuri. Më këngë në gojë e flamuj ne duar njerzit po shpërndaheshin të gëzuar dhe krenar për atë çfarë demonstruan lidhur me historinë e kulturën shqiptare, në Filadelfia, në qendër të këtij qyteti, i cili ashtu si dhe Vlora në Shqipëri, është vendi ku më 4 Korrik 1776 u shpall pavarësia e Amerikës.

Gëzimi dhe hareja e kësaj dite do të vazhdojnë të nesërmen më datën 29 Nentor tek restoranti Cannstater Volksfest-Verein, ku shoqata “Bijtë e Shqipes” ka pronotuar darkën tradicionale për mbrëmjen e Flamurit. Te ardhur si asnjë herë tjetër, jo vetëm nga Filadelfia, por mjaft miq, shokë e të afërm, edhe nga Nju Jorku, Nju Xhersi, Dolistaun etj, të gjithë së bashku mbushën sallën e madhe të këtij lokali me më shumë se 400 vende. Fytyra të qeshura, njerëz që shtrëngojnë duart, që takohen për hërë të parë dhe i urojnë njëri-tjetrit festën, do të zënë vendet e tyre në tavolinat e shtruara me hijeshi e me disa elementë kuq e zi, për të nderuar gëzimin e shqiptarëve. Me shqetësimin që u japin  të tilla veprimtari organizatorëve, Bujari Gjoka, nën/kryetar i shoqatës, nuk lodhet kurrë, dhe së bashku me anëtarët e Këshillit Drejtues, Llazarin, Petritin, Ivziun, Vlashin, Zanën, Sadikun, Fridën, Dritanin, Bashkimin, etj mundohen që gjithçka të shkojë sa më mirë, çka dhe iu arrit. Nën tingujt e Himnit Amerikan dhe Shqiptar, pjesëmarrësit qëndrojnë të ngritur në këmbë dhe salla ushton shqip sërish. Pasi uron mirëseardhjen dhe gëzuar festën e Flamurit e atë të Çlirimit, të gjithë të pranishmëve, kryetari i shoqatës, ia jep fjalën znj. Frida Sulo antare e Këshillit Drejtues, e cila bëri përshëndetjen për 102 Vjetorin e Pavarësisë dhe 70 Vjetorin e Çlirimit. Pasi foli për, 28 Nëntorit 1912, ajo u përqëndrua tek bashkimi i shqiptarëve, si domosdoshmëri për ruajtjen e gjuhës e të vlerave tona. “Nëse dje, kombi u kërkoi atdhetarëve të japin jetën për Atdheun, koha sot na kërkon neve të qëndrojmë bashkë, tu mësojmë fëmijve gjuhën shqipe, historinë e traditat tona të mira e të mos i harrojmë kurrë ato”,- tha mes të tjerash znj. Frida. Dhe menjëherë, muzika i fton pjesëmarrësit në valle, pastaj këngëtarët Edi Duro e Klementina Morina si dhe instrumentistët Sokol Asllani e Shuaip Sela, nuk kanë të ndalur. Ata e mbajnë sallën të elektrizuar me këngët dhe vallet nga të gjitha trevat shqiptare, deri në fund të mbrëmjes. Kësaj larmie muzikore i shtohet edhe grupi artistic i fëmijve të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, pranë shoqatës “Bijtë e Shqipes”, të cilët, nën drejtimin e mjeshtrit Hamdi Gjana, kënduan disa këngë që i kushtoheshin Flamurit e Çlirimit të Atdheut. Zëri i tyre i brishtë u përhap si fllad pranveror në sallë. Gjithashtu Ervin Cara me këngën e H. Gjanës “Kërkoj” si dhe Anila Halili me dy këngë popullore, morën duartrokitje të nxehta nga publiku.

I ftuar në këtë mbrëmje, ishte i pranishëm edhe senatori i shtetit të Pennsylvanisë, Mr. Anthony H. Williams, i cili mori pjesë edhe dy vjet më parë me rastin e 100 Vjetorit, dhe duke marrë fjalën, pasi uroi shqiptarët për festën e Flamurit, vlerësoi cilësitë dhe kontributin e tyre në Amerikë. Më tej ai kërkoi mbështetjen e këtij komuniteti në zgjedhjet e ardhëshme për bashkinë e qytetit, ku z. William do të garojë si kandidat i PD për Kryetar ( Major ) i kësaj bashkie, kërkesë e cila u duartrokit si shënjë e sigurimit të kësaj mbështetje, në këto votime.

Por ndërsa ndjeheshim të respektuar nga prania e senatorit me stafin e tij në këtë festë kombëtare, në anën tjetër u ndjemë të neglizhuar ( për të mos thënë më shumë) nga të dyja përfaqësitë tona diplomatike në Amerikë, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, të cilat jo vetëm që nuk morën pjesë me asnjë përfaqësues të tyre, por nuk gjetën as kohën për t’iu përgjigjur ftesës tonë me një urim të thjeshtë në një copë letër. Nuk është vetëm ky rast që përfaqësuesit e shtetit tonë në këto ambasada, i kalojnë në heshtje njoftimet apo ftesat e shoqatës “Bijtë e Shqipes”, duke harruar ndoshta se një nga punët e tyre, është edhe vlerësimi i këtyre momenteve, sidomos kur ato organizohen nga grupime apo shoqata që kërkojnë të mbajnë gjallë gjuhën dhe kulturën tonë kombëtare.

Por le të kalojmë tek mbrëmja, për të cilën u ofruan shumë persona e bisnese si sponsorizues të kësaj veprimtarie, e në mes tyre përmendim Albtravel me pronar Jorgo Xhorrin, Terra Insurance Service, Laë Office of Todi Jacobs, Alexa Farmacy me pronar Josif Rrapi, Amici Restaurant në Nju Xhersej me pronar Alex Dakun, La Fontana me Rafail Kupën, Bellini Grill me Shpëtim Dakun e shumë të tjerë, të cilët i falenderojmë miqësisht. Vargjet e këngës ” Xhamadani vija-vija”, ndezin përsëri atmosferën e mbrëmjes, më këngë, valle e surpriza. Një e tillë ishte për datëlindjen e një dyvjeçari i cili u muar vesh që ishte në salllë, dhe menjëherë u ftua së bashku me të atin, të njihej nga publiku. E urojmë Elvisin e vogël me 100 të tjera. Në mes të duartrokitjeve iu dhurua nga Këshilli Drejtues i Shoqatës një çek prej 100 dollarësh.

Surprizat e kësaj mbrëmje nuk kanë të sosur. Mbrëmja vazhdon, ndërsa Dritan Matraku, nën/kryetar i shoqatës, i cili mori përsipër dhe realizoi mjaft mirë rolin e moderatorit të kësaj mbrëmje, njofton për fillimin e shitjes të biletave të llotarisë tradicionale të mbrëmjes. Së bashku me Bashkim Bërdufin e Bujar Gjokën e menaxhuan këtë proces me mjaft transparencë, deri në shpërndarjen e objekteve tek fituesit, secila me vlerë mbi 100 dollarë, të ofruara nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, TeleAlba dhe Elidon Pajollari. Nën tingujt e vazhdueshëm të muzikës, koha iku pa u ndjerë, por edhe gezimet kanë një fund. Ndërkohë dëgjohet zëri nga organizatorët: “Ju falenderojmë shumë që ndamë së bashku kënaqësine e kësaj mbrëmje dhe gëzuar festat”. Duke u përshëndetur me njerëzit që po linin lokalin, afrohen një grup mysafirësh nga Nju Jorku : “Ju faleminderit juve që na kënaqët sonte me këtë organizim dhe muzikë të shkëlqyer, që na bëtë të ndjehemi si në Atdheun tonë. Rroftë Flamuri kuq e zi”.

Tajar Domi
Kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”
Filadelfia, 1 Dhjetor 2014