TAKIM MIQSH NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË LIBRIT

Data 23 Prill, Dita Ndërkombëtare e Librit, u përkujtua edhe nga një grup miqsh, anëtarë të shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia. Në këtë ditë është traditë që të dhurohet një libër, si burim i pasurimit të dijeve letrare, artistike dhe shkrncore të gjithkujt e në veçanti të zgjimit të dashurisë për librin tek të rinjtë.
Por si ka ardhur kjo ditë deri në ditët e sotme dhe pse është pikërisht kjo datë e tillë?
Në vitin 1995 UNESCO, me një rezolutë të posaçme shpalli 23 Prillin si Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe që u celebruas për herë të parë në Spanjë, në krahinën e Katalunjës. Më 23 Prill (1616) vdes Servantesi, Shekspiri dhe Garcia de la Vega. Kjo datë shënon gjithashte edhe lindjen ose vdekjen e shkrimtarëve të tjerë si, Maurice Druon, K. Laxness, Vladimir Nabokov, Josepfh Pla dhe Manuel Nejia Vallejo. Pikërisht për të nderuar dhe kujtuar këta autorë më famë botërore u caktua kjo ditë si dita Ndërkombëtare e Librit. Duke qenë e tillë, Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s i bënë me këtë përcaktim, homazh botëror librit dhe autorëve të tij.
Ishte planifikuar qysh ditë më parë nga z. Vlashi Fili, së bashku me një grup miqsh, dashamirës të librit, të mblidheshin në Qendrën Kulturore të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Ai kishte caktuar pikërisht këtë datë për të dhuruar librin e tij të fundit me titull “Magnet”, botuar në shtypshkronjën ADLORA, në Tiranë, nën kujdestarinë e z. Spiro Dede, kopjet e të cilit sapo kishin mbërritur tek autori, në Filadelfia.
Kështu në orën 11:00 të kësaj date u mblodhën zotërinjtë Tajar Domi, Petrit Zanaj, Eqerem Murataj, Hys Hasa, Haki Çollaku, Bujar Gjoka, Abedin Teme, Rrap Rrokaj, Sami Zaimaj, Ylli Gaba dhe autori i këtij shkrimi.
Z. Vlashi falenderoi miqtë që pranuan ftesën dhe shpjegoi arsyet e këtij takimi pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit.
“ E organizova këtë takim pikërisht në këtë datë për dy arsye: Së pari tu falenderoj të gjithë bashkë për ndihmën tuaj që bëri të mundur botimin e këtij libri dhe së dyti, tu dhuroj juve kopjet e para të librit, të titulluar “Magnet”, me rrëfime autobiografike”, – tha z. Vlashi.
Pastaj ai u dhuroi kopjet e librit të gjithë miqve.
U folë shumë nga të gjithë pjesëmarrësit që muarën fjalën, për shoqërine e shëndoshë dhe harmoninë që mbizotëron ndër anëtarët e shoqatës “Bijtë e Shqipes”, për punën e mirë që po bëhet në këtë shoqatë, por edhe për autorin e librit, si dhe organizimin e këtij takimi, ku autori i librit “Magnet” kishte prezent edhe pjesëtarët e familjes së tij.
Midis të tjerëve përshëndeti në emër të familjes së autorit, i biri, z. Artan Fili.
Me shumë interes u pritë përshëndetja e mbesës së autorit të librit, studentja e vitit të dytë në shkollën e mesmë, Angela Fili. Ajo ka lindur në Filadelfia, para 16 vjetësh, por jo vetëm që e flet shqipen rrjedhshëm, por edhe e pëlqen gjuhën e prindërve të saj. Jo pak herë ka vizituar edhe Shqipërinë.
“Gyjshi im më ka mësuar shumë gjëra edhe jam e sigurtë që do vashdojë. Një nga ato që më ka mësuar është që nuk është e lehtë të gjesh njerëz të mirë, që duan të shohi të kënaqur dhe te shtyjnë drejt të mirës. Jam e kënaqur që shikoj gjyshin tim të rrethuar me njerëz të mrekullueshëm. Më ka mësuar gjithashtu që të tëra ëndërrat mundet t’i realizoj por duhet të punoj shumë. Gjithmonë më ka ndihmuar për pasionet e mija dhe ndihem mirë që dëshirat e gjyshit për mua, unë po i realizoj. Jam shumë e kënaqur që jam këtu në këtë party. Duhet që tu falenderoj me gjithë zemër që u mblodhet dhe jeni pjesë në këtë moment të pa harueshëm”, – tha Angela.
Fjala e saj shkaktoi jo vetëm emocione por bëri që disa edhe të lotonin, midis tyre edhe gjyshi i saj, autori i librit, që në përfundim u ngrit e përqafoi dhe e puthi fort atë.
Atmosfera shumë miqësore që e karakterizoi këtë takim ishte në vazhdim të të gjitha veprimtarive që organizon shoqata, pavarësisht se ky ishte një takim i organizuar privatisht nga z. Vlashi Fili.
Në përfundim u bënë edhe disa foto si kujtim i kësaj dite të bukur.
Në ditët ë vazhdim autori i librit “Magnet” po vazhdon të shpërndajë kopjet e librit të tij ndër dashamirësit e letërsisë.
Vasil Filipi
Filadelfia, Prill 2016