PRINDI ËSHTË KRYESORI PËR MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE FËMIJËVE – Nga Irena Çepele

Tema e rradhës në festimin e 10 Vjetorit të Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” ishte kjo që po publikojmë më poshtë.

 

“Mallkuar qoft ai bir Shqiptari, /Që këtë gjuhë të Perëndis,/Trashigim, që na la i Pari,/ Trashigim s’ia lën ai fmis,/ Edhe atij iu thaftë, goja,/ Që e përbuz këtë gjuhë Hyjnore /Që n’gjuhë t’huaj, kur s’asht nevoja,/ flet e t’vetën lën mbas dore..!!    “(GJËRGJ FISHTA)

Askush tjetër s’ka mundur ta shprehë më mirë se sa i madhi Gjergj Fishta me fjalë dhe vargje shqetësimin për gjuhën tonë. Si emigrantë të ardhurr nga gjiri i një prej popujve më të lashtë të Ballkanit, edhe i një kombi, beteja përjetësore e të cilit ka qënë kurdoherë për mbijetesë dhe identitet kombëtar; si prindër, e si individ të një shoqërie të civilizuar, ne shpesh pyesim veten përse, edhe pse shumica prej nesh nuk kanë jetuar më shumë se një dekadë jashtë atdheut, fëmijët tanë thërrasin nënën ‘mom’ dhe babën ‘dad’? Cila është arsyeja që edhe pse jetojmë në vendin më demokratik në botë, ku aftësia të zotërosh më shumë se sa një gjuhë, diversiteti, si dhe gjthëpërfshirja inkurajohen dhe mirëpriten, fëmijët tanë, të lindur në pjesën më dërrmuese nga të dy prindërit shqiptare, nuk mund të flasin dhe lëxojnë gjuhën e mëmës? Ë shprehur më qartë – cila është arsyeja që ne si prindër nuk u mësojmë e kërkojmë fëmijëve tanë të flasin shqip?

Pyetja sa e lehtë dhe e drejtpërdrejtë, kërkon dhe meriton një përgjigje gjithashtu të drejtpërdrejtë dhe aspak të ngjyrosur me justifikime dhe shtrëmbërime të së vërtetës. Edhe pse shpesh arsyet e dhëna nga shumë prindër nuk janë fare pa bazë, asnjë gjë nuk mund të justifikojë për asnjë moment, përse ne si prindër vazhdojmë me vetëdije të injorojmë listën e gjatë të përfitimeve dhe peshën tepër të rëndësishme që njohja e një gjuhe të dytë mbart! Përpara se të analizoj përse shumë prindër nuk i kushtojnë më tepër rëndësi mësimit të gjuhës shqipe, desha të përqëndroj vëmendjen në disa nga arsyet që e bëjnë përvetësimin e një gjuhe të dytë një domosdoshmëri. Le të harrojmë për një moment natyrën dhe ndjenjat  patriotike – të cilat për shumë, janë shkaku themelor përse duhet t’iu mësojmë fëmijëve shqip – dhe të përqëndrohemi në arsyet e tjera më praktike të cilat janë të shumta por që unë do të përmend më të rëndësishmet

1. Përvetësimi i një gjuhe të dytë ndihmon fëmijet në studimet shkollorë – Shumë prindër shprehin shqëtesimin se studimi i gjuhës shqipe i pengon fëmijët të mësojnë më mirë anglisht; sidoqë e vërteta është krejt ndryshe; nga hulumtimet e shumta, studiuesit kanë arritur në përfundimin që një lidhje e fortë me gjuhën e mëmës, i ndihmon fëmijët të lexojnë ë shkruajnë anglisht edhe më mirë. Studimi i një gjuhe të dytë i mprehtëson ata edhe më shumë.

2. Gjuha e mëmës është një burim kryesor i përvojave tona personale – të gjithë i kujtojmë me nostalgji ditët e së shkuarës, përrallat e gjyshëve, historitë e lavdishme të heronjve tanë të treguara nëpër libra apo rrëfime, legjendat marramëndëse të Mujit dhe Halilit – të gjitha këto janë të ngulitura në memorjen tonë përjetësisht dhe janë pjesë e një përvoje personale që do të jetojë me ne deri në ditën e fundit por fatkeqësisht do të qëndrojnë të pa trashëguar tek fëmijët tanë nëqoftëse atyre nuk u ngjallim interesin apo nuk u krijojmë mundësinë të mësojnë dhe lexojnë në gjuhën shqipe.

3. Gjuha na lidhë e bashkon – edhe pse ne si prindër mund të kemi arrituar të përvetësojmë anglishten dhe komunikojmë ashtu me fëmijët tanë, pjesëtarë të tjërë të rrethit tonë familjar dhe shoqëror të cilët janë kaq të rëndësishëm për edukimin shpirtëror dhe moral të fëmijëvë tanë që nuk flasin anglisht janë vë\etvetiu dhe në mënyrë të pashmangshme të përjashtuar nga jeta e tyrë (e fëmijëvë).

4. Trashëgimia kulturore – kur nuk përdorim gjuhën shqipe në shtëpi me fëmijët tanë, ne u dërgojmë atyre mesazhin e gabuar që gjuha, historia jonë, dhe familja në atdhe, të gjithë janë infërior përkundrejt kulturës, gjuhës dhe mënyrës së jetesës këtu në Amërikë. Është tepër e rëndësishme tu tregojmë fëmijëve që trashëgimia jonë kulturore është pjesë themelore e egzistencës tonë si komb dhe t’i ndihmojmë ata (fëmijët) me të gjitha mundësitë të qëndrojnë të lidhur me atë trashëgimi kulturorë dhe rrënjët e të parëve të tyre.

5. Më së fundi, përvetësimi i një gjuhe të dytë krijon më shumë mundësi dhe hap dyer për një të ardhme më të sigurtë për fëmijët tanë.  Jim Cummins, Profesor i Institutit të Ontarios për Studime dhe Edukim  prane Universitetin të Torontos, i cili njihet për punën e tij shkencore në gjuhët e huaja, shprehet se komunikimi në shtëpi ndërton themelet e linguistikës; por sipas Cummins, shpesh prindërit emigrantë duke qenë vazhdimisht të stresuar për punë dhe të shqetësuar për tu përshtatur sa më shpejt me vendin e ri, lënë pas dore edukimin e fëmijëve të tyre dhe mundohen edhe vetë të flasin gjuhën e vendit të ri me qëllim që ta mësojnë dhe përdorin për të gjetur  mundësi punësimi. Por komunikimi në gjuhën e nënës është shumë i rëndësishëm – thekson Cummins – dhe gjithashtu zhvillon fëmijët intelektualisht. Përvetësimi i një gjuhe të dytë mund të jetë vendimtar nesër kur ata duan  të vazhdojnë studimet në një universitet prestigjioz; për më tepër njohja e një gjuhe të dytë është një aset tepër i vyer që do i veçojë fëmijët tanë nga kandidatët e tjerë e do t’iu jap atyre perparësi dhe më shumë vlerësim për përzgjedhje kudo që ata mund të aplikojnë. Është pra tepër e rëndësishme që ne si prindër të gjejmë mënyrat më të frytshme t’i nxisim fëmijët tanë të mësojnë dhe përdorin gjuhën shqipe dhe të mos – për asnjë çast – të ndihen inferior ndaj kulturës dhe traditave tona shumëvjeçare. Si nënë e dy vajzave, njëra prej të cilave flet dhe shkruan shqip, dhe tjetra vetëm kupton pjesërisht por nuk flet dot rrjedhshëm, jam plotësisht e vetëdijshme për faktin që përgjegjësia për këtë bie pikërisht mbi ne, prindërit e tyre. Sigurisht dëshira është tepër ë\e madhe që edhe vajza e vogël të mësojë shqip ashtu sikundër dhe e madhja, dhe mundësitë janë të pranishme; por shpesh edhe pse të vëtedijshëm, ne harrojmë ti vendosim përparësitë tona në rendin e duhur. Dita është e gjatë dhe e lodhshme; shumë prej nesh të shtyrë nga qëllimi për një jëte edhe më cilësore, përveç punës shkojmë edhe vëte në shkollë, apo punojmë dy punë. Gjithë këto ngarkesa – puna, shkolla, punët shtëpiake – edhe pse të domosdoshme, e kryejnë më së miri demin e vet. Si rezultat, e duke qenë se ne u japim më shumë përparësi këtyre gjërave, harrojmë ose jemi tepër të lodhur t’i kushtojmë kohë edukimit në shqip të fëmijëve tanë. Koha e pamjaftueshme është ndoshta shkaku që shumë prindër paraqesin si arsyen dhe pengesën kryesore përkundrejt përkujdesisë që fëmijët të mësojnë dhe flasin shqip. Si nënë dhe bashkshorte, që vazhdimisht mundohet të balancojë jetën familjarë me atë profesionale dhe karrierën, unë jam e vetëdijshme që shpesh herë menaxhimi në mënyrë efektive i kohës është një betejë e ashpër dhe e pafund; gjithësesi, mundësitë egzistojnë dhe rrugëzgjidhjet janë të shumta edhe pse jetojmë një jetë tepër intensive. Sigurisht regjistrimi i fëmijëve në shkollën shqipe, aty ku çdo të dielë u jepet mundësia të mësojnë dhe komunikojnë shqip, është një prej mundësive; baballarët janë gjithashtu të inkurajuar të ndihmojnë në punët e shtëpisë që nënave t’u jepet mundësia të kalojnë sa më shumë kohë me fëmijët dhe të ndajnë me ta gjuhën dhe zakonet; në veçanti, studiues të shumtë sugjerojnë që ne si prindër tu krijojmë mundësitë fëmijëve të ndjanë kohën e lirë me të tjerë fëmijë bashkombas të tyre (shkolla shqipe “Gjuha Jonë” mundëson këtë gjë më së miri); t’i inkurajojmë fëmijët të kalojnë kohë dhe të flasin sa më shumë me gjyshërit dhe të afërm të tjerë shqipfolës; t’u lexojmë fëmijëve nga pak çdo natë një tregim apo përrallë në shqip; t’i inkurajojmë, dhe kur koha lejon, të shohim bashkë me ta vidio apo filma shqiptarë; të dëgjojmë herëpasherë, në praninë e tyre këngë shqiptare; dhe mbi të gjitha të mundohemi të komunokojmë me ta në shqip në familje. Në vazhdim, dua të theksoj se koha e pamjaftueshme, për mendimin tim, nuk është i vetmi fajtor apo pengesë që na bën të lëmë pas dore edukimin në shqip të fëmijëve tanë. Një arsye tjetër është ndoshta edhe mungesa (të paktën në pamje të parë) e një rreziku të jashtëm ndaj egzistencës tonë, prania e të cilit nëpër shekuj u ka ngjallur kurdoherë shqiptarëvë, brenda dhe jashtë kufijëve të Shqipërisë, një ndjenjë solidariteti dhe  instinkt për mbrojten deri në vetëflijim të gjuhës shqipe. Ndër shekuj armiqtë tanë shekullor janë munduar me mish e shpirt të na i vrasin traditat, kulturën, dashurinë për mëmëdheun duke u përpjekur të na e rrëmbejnë pikërisht atë, “GJUHËN”, e cila është simboli më jetik i një kombi; pa gjuhën e tij asnjë komb nuk do të egzistonte, dhe armiqtë tanë e dinë mirë këtë. Historia na rrëfen se kurdo kemi pasur armiq, ne shqiptarët jemi mbledhur sëbashku si një trung i vetëm dhe kemi luftuar të bashkuar nën një fe, komb, edhe gjuhe, duke arritur të ruajmë të pa dhunuara ato gjëra – kulturën dhe identitetin kombëtar – që na dallojnë nga të tjerët, e sidomos nga fqinjët tanë sllavë. Rasti më i freskët është lufta e organizaur e vëllezërve tanë kosovarë, si dhe përpjekjet pafund (për të ruajtur identitetin dhe gjuhën) të mbarë shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi, Preshevë e Bujanoc. Mirëpo, një fenomen sa i pashpjegueshëm aq edhe banal, që ndoshta është më shumë i pranishëm në mesin e emigrantëve në vendet perëndimor, meriton për mendimin tim vëmendje të  veçantë. Ky fenomen ka të bëjë me faktin që të përkëdhelur nga liria për të zgjedhur e për të bërë si dëshirojmë, dhe ndënë pretëndimin se tanimë nuk është e nevojshmë të sakrifikojmë, kur asnjë rrezik i dukshëm nuk na kanoset, ne – ndoshta edhe pa vetëdije – mohojmë egzistencën e një rreziku të jashtëm dhe ashtu të pandërgjegjshëm që armiku jemi pikërisht vetë, ndihemi në mënyrë krejt naïvë dhe të pashpjegueshëm inferior ndaj gjuhës dhe traditave tona. Duke mos ndjerë një rrzik apo armik përkundrejt gjuhës dhe kulturës shqipe, ne harrojmë të bashkohemi dhe i dorëzojmë armët si në kohë paqeje. Por e vërteta është që ne, fëmijët tanë, dhe e ardhmja e tyrë është e rrezikuar dhe armiku të cilin padukshmëria e bën edhe më të rrezikshëm është pikërisht ai naivitet i jonë dhe inferioriteti që ne dashur e padashur kemi filluar të ushqejmë për gjuhën dhe traditat e të parëvë tanë.

Zotëria që më kërkoj të përgatis këtë shkrim më shumë se me fjalë u shprëh me zemër që unë si prind dhe të tjerë shqiptarë të bëjmë c’është  mundur t’i mësojmë fëmijëve gjuhën tonë të bukur: “A e di si ndihemi ne gjyshërit kur nipërit dhe mbesat tona nuk mund të flasin dot me ne”, më pyeti? – dhe pyetja e tij ishte për mua vendimtare sepse e kisha ndjerë dhe dëgjuar këtë lutje më parë dhe nga prindërit e mi. E pra nëqoftëse për asgjë tjetër, le tu mësojmë fëmijëve tanë shqip që tu mundësojmë gjyshërve dhe gjyshëve të tyre të ndajnë me ta të njëjtën urtësi dhe përvojë njerëzore që ata dhe prindërit e tyre ndanë me ne dikur; në fund të fundit, ishte pikërisht ajo urtësi dhe mënçuri që na gdhëndi, formoi, dhe na bëri qytetarë të denjë në një botë të civilizuar; t’i mësojmë gjuhën shqipe fëmijëve tanë që edhe ata të mund të dëgjojnë zërin e jehonës shekullore të truallit të të parëve; që të mund të lexojnë trimëritë e Skënderbeut, vargjet e ëmbla të Naimit, legjendat e Gjergj Elez Alisë e të Rozafës; të mësojnë për Besen ë Konstandinit dhe krenarinë e shqiptarisë; që të mund të dëgjojnë këngët e bukura të trojeve tona dhe përrallat e gjysheve gojëmbla; dhe së fundmi, që të rriten të edukuar dhe të vetëdijshëm që dheu, gjuha, dhe kombi i prindërve janë trashëgimia e tyre.

 Irena Çepele – Prind i fëmijës që ndjek Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”.

Filadëlfia, 7 Qërshor 2014