Një vit nga humbja e “xhaxhos” Behar Alimadhi

Të dielën në 27 Gusht, në ambjentet e shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, u zhvillua një veprimtari në përkujtim të një burri të nderuar, kryefamiljari, shoku e miku të mirë të komunitetit shqiptar, “xhaxhos” tonë buzagaz e zemërbardhë Behar Alimadhi.
Një telefonatë në drejtim të shoqatës për Llazar Veron, nga miku i ngushtë i xha Beharit, zoti Benjamin Risilia, që njoftonte se djali i “xhaxhos”, Gentiani kishte ardhur nga Italia në Filadelfia për të përkujtuar një vjetorin e humbjes të të atit, na vuri të gjithëve ne të njohurve të tij në lëvizje. Gentianin e njihnim që më parë pasi është një emër i njohur i emigracionit shqiptar në Itali, themelues dhe kryetar për një kohë të gjatë i shoqatës atdhetare “Scanderbeg” në Parma, anëtar i shoqatës sonë në Filadelfia, si dhe një sfidant serioz në garën e fundit për kryetar të bashkisë së Parmës. Është tradita dhe zakoni ynë i shqiptarit t’i bëjmë këto përkujtimore, por këtu në kurbetin e largët, këto ditë përkujtimesh kanë përveç dhimbjes së humbjes së njeriut të dashur, edhe dhimbjen e mungesës së njerëzve më të afërt, shokëve e miqve më të mirë, të cilët ashtu sikurse ne, janë shpërndarë nëpër botë në kërkim të një jete më të mirë dhe nuk mund të gjendeshin bashkë me ne, për të na treguar më shumë. Dhe paraditen e së dielës u mblodhëm shokë e miq të tij për të pirë një kafe e një gotë raki në përkujtim të këtij njeriu të mirë, bashkëshort shëmbullor e baba model për fëmijët e nipërit e tij.
Për xha Beharin u fol shumë para një viti kur ndërroi jetë. Qindra bashkeatdhetarë shqiptarë u bënë bashkë në ditën e përcjelljes së tij në banesën e fundit, dhe kujtimet e shokëve të tij, atë ditë për të, e lartësuan akoma më shumë figurën e tij në komunitetin tonë. Folën për një shqiptar patriot e atdhetar që me mall kujtonte rrënjet nga kishte ardhur, që i digjej shpirti për vendlindjen e tij e të parëve të tij, por që me të njëjtën forcë shpirti donte e respektonte miqtë e shokët këtu në kurbet, duke dëshiruar për secilin nga ne vetëm lumturi në familjet tona. Një njeri që kaloi me njëmije halle jetën nën kalvarin komunist për shkak të biografisë së tij jo “të pastër” dhe kurrë nuk e hoqi buzëqeshjen nga goja, që edhe kur i hoqën makinën se nuk e “meritonte”, luftoi dhe me zotësi fitoi karrocën për të punuar e mbajtur gjallë familjen. Me këto halle i rriti dy fëmijet e tij, të cilët megjithëse shumë të zotë nuk e kishin shansin të shkolloheshin në atë kohë. Ashpërsia e jetës që kalonte nuk e pengonte dot xha Beharin për të qenë aq i butë me gruan e fëmijet e tij, të lexonte aq shumë klasikët e letërsisë dhe të reflektonte fisnikëri në rrethin e tij shoqëror e të miqësisë. Ato bejtet e tij të bukura e me atë humorin plot finesë kanë ngelur në fondin e çmuar të bisedave të ditëve të diela në shoqatën tonë. Megithëse në moshë jo shumë të re, dhe i lodhur nga jeta, xha Behari së bashku me shokun e tij të mirë Benin, dhanë një kontribut real në rimodelimin dhe përshtatjen e godinës së shoqatës “Bijtë e Shqipes”, në kohën kur kjo godinë u ble si rezultat i dhuratës që bëri familja patriote vlonjate në Filadelfia, me përfaqesues Benjamin Risilinë. Ata të dy bashkë, morën përsipër pjesën më të vështirë të punës, rregullimin e tubacionit të ujrave të zeza të banjave që vinin nga katet e mësipërme të zyrave të përshtatura, deri në bodrumin e kësaj ndërtese. Humori i këtyre dy miqve të mirë të shoqatës, dhe dy shokëve tanë të kurbetit ishte i veçantë, sidomos kur lodheshin pak dhe bënin disa minuta pushim. Si me shaka Beni i këndonte atë këngën e hysmeqarit “I ziu që kur kam lerë, hysmeqar derë më derë, tërë jetën nën urdhër, qeseja si kokër hudhër”. Dhe kur ne të tjerët që punonim pranë tyre i ngacmonim, ata me lezet na përzinin duke na thënë se po i pengonim në punën e tyre në ndihmë të komunitetit shqiptar në Filadelfia. Njerëz të mirë, patriotë të vërtetë, duar e mendje flori dhe me zemër të madhe.
Prandaj u ndjemë shumë mirë që do takoheshim përsëri me Benin dhe Gentianin për të kujtuar edhe një herë xha Beharin e për të folur për hallet tona të përditëshme si në Amerikë edhe në Itali. Në një tavolinë të shtruar thjeshtë e bukur nga të palodhurit veteranë të shoqatës sonë Vlashi e Llazar, u shërbyen kafet dhe rakia në përkujtim të mikut tonë të larguar nga jeta. Kryetari i shoqatës zoti Tajar Domi i cili hapi këtë takim përkujtimor ndër të tjera theksoi se, ne si shoqatë përherë do i përkujtojmë dhe nderojmë bashkëatdhetar të nderuar si zoti Behar Alimadhi. Për ne theksoi ai nuk është shumë e vështirë të flasim e kujtojmë xha Beharin sepse ai na ka lënë shumë kujtime e ndjesi të bukura, në çdo rast kur ai vinte në shoqatë. Jo vetëm për dashamirësinë e tij por edhe për fjalën e urtë dhe shëmbullin si baba, gjysh e bashkëshort shëmbullor. Duke reflektuar edukatën që u dha kjo familje vazhdoi zoti Tajar edhe fëmijët e tij, Frida e Gentiani janë nga shëmbujt më pozitivë të integrimit të emigrantëve shqiptarë në vendet ku jetojnë, duke përmendur sidomos kandidimin e djalit të xha Beharit, zotin avokat Gentian Alimadhi në garën për kryetar të bashkisë në qytetin e Parmës në Itali si dhe dhuratën që i bënë shoqatës sonë Gentiani dhe motra e ti Frida pas vdekjes se të atit të tyre në respekt e mirënjohje për gjithçka që shoqata jonë bënë në të mirë të komunitetit shqiptar në Filadelfia. Dhe për lartësuar më tej trashëgiminë e kësaj familje, ai përmendi edhe 6 vëllezërit e xha Beharit të cilët banojnë në të njëjtën lagje me të, në qytetin e Tiranës, dhe janë po aq atdhetarë, të nderuar, mikpritës e dashamirë ashtu sikurse ishte vëllai i tyre këtu në Filadelfia.
Duke na falenderuar të githë pjesmarrësit në këtë takim përkujtimor, zoti Gentjan Alimadhi shprehu edhe një herë mirënjohjen më të thellë të familjes Alimadhi për shoqatën “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, e cila ka qenë kurdoherë një shtëpi e dytë për babanë e tij, familjarët  dhe gjithë rrethin e tyre shoqëror. Edhe kjo përkujtimore e thjeshtë sot në dukje, për nga simbolika ka një vlerë të madhe për ne si familje theksoi ai. Babai ynë ka qenë një nga shtytësit kryesor me edukatën që na ka dhënë për të qenë sa më aktiv për të mirën e Shqipërisë, të njerëzve tanë në emigracion dhe të reflektojmë kudo që jetojmë një qytetari të lartë dhe atdhedashuri të përhershme. Ai na ka mësuar të luftojmë, të përballojmë ç’do vështirësi në jetë. Të jetojmë me ndershmëri, por edhe të bëhemi të zotë e të kulturuar. Dhe duke treguar pak detaje nga jeta e xha Beharit ai solli në kujtesën tonë histori nga e kaluara në Shqipërinë e viteve para 90. “Kur iknin dritat në darkë – vazhdoi bisedën ai-nuk kishim fare frikë, por as nuk mërziteshim. Mund të them se ishte një nga momentet më të bukura për ne si fëmijë. Babai shtrihej me ne fëmijët në krevat dhe na tregonte aq bukur histori nga librat që kishte lexuar, sa dukej sikur i përjetonim ato histori. Akoma në kujtesen time kanë ngelur historitë e treguara për betejat e Napoleon Bonopartit. I tregonte aq bukur sa na dukej sikur po ë shikonim në ekran të kinemasë.” I pyetur për garën për kryetar bashkie të Parmës ai, duke i dhuruar kryetar Tajarit një kopje të një reviste prestigjioze italaine në të cilën një artikul i gjatë për kandidimin-“Zbarkimi i shqiptarit që sfidon Pizzarottin (Kryebashkiakun aktual të Parmës), Parmën dhe PD”, i shoqëruar meë fotografinë e tij, sqaroi: “Në Itali është pak më e vështirë se këtu në Amerikë. Ishte një sfidë personale por edhe politike, e nxitur nga shumë shokë e miq të mi shqiptarë e italianë. Më nxitën duke thënë se ka ardhur koha për të provuar dhe sfiduar shoqërinë e politikën italiane se edhe një emigrant mund të kandidojë e drejtojë një qytet si Parma. Të kuptohemi ishe gara para elektorale (primary), në të cilën unë u rendita i treti.” Ashtu si miqtë e shokët e tij shqiptarë dhe italianë, edhe ne e përgëzuam edhe njëherë për veprimin e guximshëm por edhe intelektual e atdhetar për përfaqësimin jo vetem të shqiptarëve por gjithë migrantëve në politikën italiane
Bisedat e kujtimet për xha Beharin vazhduan me historitë e humorin e tij personal me secilin nga pjesmarrësit në këtë përkujtiomore. Në ato pak fjalë të ndjera që Llazari tha për xha Beharin dukej dhimbja për ikjen nga jeta të një miku e shoku të mirë, një atdhetari  që ka kontribuar më shumë se të tjerë për shoqatën dhe komunitetin shqiptar. “Kur filluam përshtatjen dhe rimodelimin e godinës për ambjentet e shoqatës – tregon ai- erdhën të dy xhaxhot, Beni me Beharin dhe kërkuan të bënin ndonjë punë, të jepnin edhe ata një dorë në rregullimin e saj. Të gjithë ne i pamë me pak mosbesim, por ata këmbëngulën që jo vetëm të punonin, por do merrnin përsipër pjesën më të vështirë që mund të bëhej. Dhe punuan e mbaruan zëvendësimin e montimin e tubove të shkarkimit të ujrave të zeza të godinës. Me humorin  e tyre, ashtu hokatarë dhe të duruar, e bënë atë punë më mirë se kushdo tjetër që do ta merrte përsipër.”
Shumë i prekur, me lot në sy dhe i mallëngjyer zoti Benjamin Risilia, në ato pak fjalë që tha, me një zë të mbytur, shprehu dhimbjen se miku e shoku më i mirë i tij, xha Behari i mungon shumë dhe askush nuk mund ta zëvendësojë. “Kur nuk i shkoja ndonjë ditë në shtëpi, më kritikonte pse nuk kisha shkuar. Gati ç’do ditë rrinim bashkë. Ai edhe hidhte ndonjë gotë por kënaqeshim me muhabet e humor. Edhe këtu te shoqata gjithmonë vinim bashkë, edhe kur u ndertua, edhe kur vinim të takonim shokët.”  Duke na uruar të gjithëve për punën e mirë që ka bërë shoqata “Bijtë e Shqipes” në këto 15 vjet, ai vazhdoi “….bisedova pak edhe me kryetarin, Tajarin. Ju duhet një godinë e re, dhe me sa mora vesh jeni në diskutim e sipër për këtë gjë. E dyta është rekomandimi për të afruar sa më shumë të rinj në shoqatë, në drejtimin e saj. Ju si brez bëtë aq shumë dhe u lini si trashëgim të tjerëve më të mirën e mundëshme. Tani në Filadelfia është krijuar një brez i tërë i fëmijëve tanë të shkolluar këtu, që do ta çojnë më shpejt përpara punën tuaj në të mirë të komunitet tonë.”
Në përshëndetjen time theksova se pasqyra më e mirë e karakterit atdhetar, familjar, shoqëror të xha Beharit, janë fëmijët e tij. Gentjani është një atdhetar i palodhur i komunitetit shqiptar në Itali, themelues e drejtues ë shoqatës atdhetare “Scanderbeg” në Parma dhe avokat i sukseshem në atë rajon. Përfshirja në plolitikën italiane ishte një sfidë që ai i bëri klasës politike tradicionale italiane, dhe një tregues i karakterit të formuar dhe edukatës të marrë nga familja ndër vite. Kurse Frida, motra e tij, të cilën unë kam patur fatin të njihem gjatë viteve studentore në universitetin Temple këtu në Filadelfia është një zonjë, nënë dhe profesioniste e shkëlqyer. Megjithëse në moshë të rritur, nënë e dy fëmijëve dhe përgjegjëse për familjen e saj, për të cilën duhej të punonte, ajo ishte një nga studentet e shkëlqyera të universitetit, dhe u punësua në një nga 4 kompanitë më të mëdha për audit dhe taksat në Amerikë. Por në këtë ditë të perkujtimit të xha Beharit theksova në ato pak fjalë se kjo bijë e mirë së bashku me nënën e saj, i shërbyen babait të shtëpisë deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Të gjithë pjesmarrësit folën fjalë të ndjera dhe shprehën kujtimet më të mira për këtë mik e shok tonin. Në fjalën e tyre pjesmarrësit si Hys Hasa, Eqerem Murati, Kiço Kokthi, Hamdi Gjana, Sami Zaimaj, Bashkim Bërdufi, Bujar Gjoka, Idajet Ago, Gëzim Hasani, Fatos Suvaria e vlerësuan familjen dhe shoqatën në përkujtimin  e këtij njeriu të mirë.  “Xha Behari ka qenë një behar i vërtetë për të gjithë komunitetin shqiptar në Filadelfia –shprehu mirënjohjen zoti Hys Hasa-Ai ka qenë anëtar i shoqatës “Bijtë e Shqipes”  dhe një veprimtar i dalluar, ku dorën e tij të ngrohtë të tij e ka ndjerë gjithkush që ka patur mundësinë ta kërkojë e përjetojë.” Me shumë emocion u përcollën kujtimet dhe vlerësimet e zotërinjve Eqerem Murati dhe Kiço Kokthi. Me fjalë shpirti këta dy shokë por edhe gjithë të tjerët e vlerësuan xha Beharin për ato vlera që ai kishte si njeri, si atdhetar i vendosur, si një bashkëshort e baba shëmbullor. Por ata e vlerësuan më shumë për atë trashëgimi morale, edukative, familjare  e atdhetare  që ai u la fëmijëve, nipërve e mbesave të tij e të vëllezërve të tij, miqve e shokëve kudo nëpër Shqipëri e nëpër botë ku jetojnë e punojnë.
Orët kaluan si pa u ndjerë dhe para se të përfundonim këtë veprimtari përkujtimore e mori fjalën sekretari i shoqatës sonë zoti Vlashi Fili, i cili shtruar jashtë natyrës së tij tha ngadalë. “Për xha Beharin mund të themi vlerësimet më të mira. Jo vetëm ne këtu në këtë takim përkujtimor po kudo ku kemi qenë dhe është përmendur emri i tij, fjalët e vlerësimet më të mira janë thënë për të. Por me këtë rast duke nderuar kujtimin e shokut e mikut tonë Behar Alimadhit dhe familjes së tij, ne si këshill drejtues shoqate kemi një vlerësim për të dhënë.” Më pas ai theksoi se kryesia e shoqatës ka vlerësuar me “Mirënjohje” zonjën Frida Sulo, të bijën e xha Beharit, për kontributin e madh qe ajo ka dhënë në përparimin dhe zhvillimin e çështjes së komunitetit shqiptar në Filadelfia, si dhe për ndihmën e madhe që ajo ka dhënë për fëmijet dhe prindërit e tyre në vitet që punoi si pjëstare e stafit të shkollës së distriktit të Filadelfias. Një vlerësim që kjo zonjë e meriton, dhe të gjithë të pranishmit e përgëzuan këshillin drejtues të shoqatës për vlerësime të tilla që kontrbuojnë në vlerësimin e bashkëatdhetarëve më të vendosur për ruajtjen dhe përparimin e traditave, kulturës dhe historisë së kombit tonë shqiptar në Filadelfia por edhe kudo në Amerikë.
Më pas disa fotografi në sallën e mbledhjeve të shoqatës ku në sfond është Skënderbeu, Ismail Qemali e Nënë Tereza. Dhe patjetër në të dy këndet e sallës flamuri Shqiptar dhe ai Amerikan.
Me një ndjenjë lehtësimi largohemi nga shoqata pas kësaj veprimtarie të ndjerë, duke uruar Benin, Gentianin e gjithë të tjerët.
I paharruar qoftë kujtimi i mikut e shokut tonë të mirë Behar Alimadhit, këtij burri ardhetar, bashkëshort e baba i dhëmbshur, fjalë ëmbël e zemërbardhë si ai.
Krenarë të jenë fëmijët për babanë e tyre dhe t’ua lënë këtë trashëgimi brezave që vijnë.
Petrit Zanaj