Nëna Jonë Shënjtore!

“Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë vetëm gjëra të vogla me një dashuri të madhe”. (E Lumja Nënë Tereze)
Lajmet që na vijnë kohëve të fundit nga trojet etnike nuk janë edhe aq të mira. Gjendja e acaruar politike ne Kosovë, poashtu edhe ne Shqipëri, sjellin një tabllo të mjegulltë, të zymtë dhe jo aq optimiste. Por ja që në këtë sezonë festash na vjen një lajm shumë i gëzuar, jo nga trojet tona, por nga Vatikani: Papa Francesku ka aprovuar mrekullinë e dytë të së Lumës Nënë Tereze dhe ajo mund të shpallet Shenjtore në shtatorin që vjen. Ky është një lajm shumë i gëzueshem për të gjithë shqiptarët, është një dhuratë mbarëkombëtare e përmasave historike e botërore. Jo vetëm këto dy mrekulli, por edhe vetë shfaqja e Nënë Terezës në këtë botë ishte një mrekulli, jeta e vepra e saj ishin mrekulli. Ne përkulemi me nderim të thellë para figurës dhe veprës së saj, por edhe e mbajmë kokën lart për nderin dhe lavdinë që i ka dhënë kombit tonë dhe gjithë njerëzimit. Ajo ishte dhe mbetet një rast i rrallë në historinë e njerëzimit dhe është rast i pashoq, i vecantë (unikat) në historinë, jetën dhe botën shqiptare. Është kurorë dafine e vlerave tona kombëtare. Një grua me një trup të imtë, por me shpirt të gjërë e fisnik, me zemër të madhe e plot dashuri për të gjithë, arriti që pa asgjë, pa asnjë pasuri të bëjë shumë. Këtu mendojmë vetëm për pasurinë materiale, sepse Nëna jonë ishte e begatuar me virtytet më të mira njerëzore, ishte e brumosur me ndjenjat e sakrificës, vetëmohimit, me dëshirën e vullnetin e fortë për të bërë dicka më shumë se vetja e saj. Janë këto veti, pasuri  hyjnore që lënë nën hije të gjitha pasuritë, joshjet e lakmitë materiale. Ajo kurrë nuk bëri dallime në mes njerëzve të botës, pa marrë parasysh kombësinë, besimin fetar, ideologjinë, etj. I ndihmonte të varfërit e të vuajturit neë shumicën e vendeve të botës, sepse për te cdo jetë kishte vlerë dhe cdo qenje njerëzore e meritonte të trajtohej me dinjitet. Ishte dhe gjithmonë do të mbetet një personalitet që rrezatonte mirësi, dashuri njerëzore. Në të gjallë të saj ajo ishte një shenjtore në tokë,  tani që ajo ka kaluar në amshim, do të jetë një shenjtore edhe në qiell.
Nënë Tereza është mishërim, personifikim i dashurisë, mëshirës dhe mirësisë njerëzore:
Për të varfërit ajo ishte jetesë
Për të dëshpëruarit, shpresë
Për të verbërit, dritë
Për të molisurit, shpirt
Për të pashpresët, shpëtim
Për të sëmurët, shërim
Për mëkatarët, falje e pajtim
Për të pastrehët, vatër e shtëpi
Për të padashurit, dashuri
Për të braktisurit, ngrohtësi e përzemërësi
Për njerëzimin, paqe e mirësi
Nder e krenari për kombin tonë
Gonxhja jonë, Nëna jonë, Shenjtorja jonë!
Të gjitha këto ajo arriti t’i bënte me këmbëngulje, me përkushtim, me flijim të tejskajshëm dhe gjithmonë me një dashuri prej nëne, dashuri të pakufishme për qenjen njerëzore. Vetë ajo është shprehur: “Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë vetëm gjëra të vogla me një dashuri të madhe”. Dhe është pikërisht dashuria, respekti për njëri – tjetrin që janë duke munguar sot ne shoqërinë shqiptare, shoqërinë njerëzore. Nënë Tereza nuk e kërkoi votën e askujt, nuk e kërkoi miratimin e askujt, nuk priti urdhra nga askush, por ajo e ndjeu thellë në ndergjegjen e saj një thirrje nga Qielli, se mund të bënte dicka për të mirën e  njerëzimit, u ngrit në këmbë dhe iu përvesh punës. Kjo quhet prijësshmeri, udhëheqshmeri (lidership) – mos prit për askend, por prij, të tjerët do të ndjekin pas. Shembulli i Nënë Terezës është një ilustrim i mirë që tregon qart se shenjtorët nuk janë vetëm ato figura të pasqyruara nëpër ikona, afreske kishtare, në faqet e Biblës dhe librave tjerë fetarë, por janë edhe njerëzit e zakonshëm, njerëzit e thjeshtë që me angazhimin e tyre me plot përkushtim, arrijnë të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme, të bëjnë mrekullira. Ajo është bërë ambasadorja jonë më e denjë në tërë botën, ajo mishëron vlerat tona të larta kombëtare e njerëzore, ajo është bërë letërnjohtimi ynë, pasaporta jonë, duke e ngritur lart emrin e Shqipërisë, emrin e kombit tonë. Sikur të kishte jetuar poeti ynë kombëtar, Naim Frasheri, në kohën e saj,  me siguri do t’i kishte kushtuar ndonjë varg: “Ti Nënë Tereze na jep nder….” E kam përjetuar nga afër forcën e personalitetit të saj. Si sot më kujtohet vizita e saj ne Zagreb (mesi i viteve të 80-ta). Unë atëherë kam jetuar dhe punuar në Zagreb dhe kur dëgjova për vizitën e saj në Katedralen e Zagrebit, menjëherë shkova atje. Përpara Katedrales ishin tubuar shumë njerëz dhe tepër të entuziazmuar, deri në ekstazë,  e thërrisnin emrin e saj,  mundoheshin, shtyheshin që të afroheshin sa më afër saj , ta preknin me duar, të merrnin bekimin e saj.
Kur flasim për jetën dhe veprën e saj, mrekullitë e saj, edhe unë kam për të treguar për një mrekulli, nëse mund ta quaj kështu, që lidhet me Nënë Terezën. Kur isha student në Zagreb, një ditë një kolege nga Hercegovina më tregoi se, një shoqe e saj i kishte thënë se që nga çasti që ajo e kishte marrë vesh që Nënë Tereza ishte shqiptare, ajo kishte filluar t’I respektonte shqiptaret. Ndoshta një e dhënë e parëndësishme, por duhet theksuar se në atë kohë në pjesën dërmuese të ish Jugosllavisë, shqiptarët nuk shikoheshin me sy te mirë për shkak të paragjykimeve të tyre të gabuara, madje mund të thuhet edhe raciste. Por ja që emri I Nënë Terezës ka bërë që t’ia ndërrojë mendjën një vajze të re që në nënvetëdijen e saj ka pasur paragjykime të tilla. Me siguri ajo ka ndryshuar edhe shumë e shumë mendje të tjera. Njerëzit e mëdhenj, si Nënë Tereza në këtë rast, përfaqësojnë dhe rrezatojnë vlerat e vërteta të një kombi dhe bëjnë që ai komb të nderohet edhe nga të tjerët, të shihet me sy të mirë. Veprat e mira bëjnë përshtypje të mira, perhapin një jehonë të mirë.
Ne më shumë dashuri, respekt e krenari e nderojmë dhe mburremi me Nënë Terezën, Nënën tonë, Shenjtoren tonë. Populli ynë në të gjitha trojet etnike i ka ngritur përmendore Nënë Terezës, rrugët, sheshet, institucionet, organizatat, shoqatat e fondacionet e shumta e mbajnë emrin e saj. Por, përmendorja më e madhe që ne mund t’i ngremë Nënë Terezës, nderimi më i madh që ne mund t’i bëjmë asaj dhe të gjitha figurave madhore të kombit tonë, duhet të jetë përkushtimi ynë që të vazhdojmë veprat e tyre, t’i mbajmë gjallë e t’i zbatojmë në jetë mësimet e porositë e tyre të vlefshme, të ndjekim shembullin e tyre. Kur i kujtojmë, kur i vlerësojmë figurat e mëdha të kombit tonë, duhet t’ia parashtrojmë edhe vetes sonë disa detyra e peëgjegjësi, të pyesim veten tonë: Po ne c’mund të bëjmë, pse jemi duke ndenjur duarkryq? Dhe t’i përvishemi punës për të bërë dicka më shumë se vetja jonë, brenda mundësive tona, dicka për kombin tonë dhe pse jo edhe për tërë njerëzimin. Edhe qeveritarët tanë, ministrat e deputetët duhet t’ia bëjnë vetes të njejtën pyetje. Tekefundit, ata e kanë kërkuar votën e popullit për ta drejtuar shtetin, institucionet shtetërore dhe duhet t’i kryejnë me përkushtim përgjegjësitë e tyre, të kujdesen për mirëqenjen e popullit dhe jo mirëqenjen e tyre, te familjarëve e klaneve të tyre. Të marrim shembull nga jeta dhe vepra fisnike e Nënë Terezës! Ky do te ishte nderimi më i madh qe ne mund t’i bëjmë Nënës Sonë!
Të shpresojmë se viti 2016, që do të jetë edhe Viti i Shenjtërimit të Nënë Terezës, do të sjell energji të reja, energji pozitive, mirëkuptim, dashuri e respekt per njëri – tjetrin në të gjitha trevat tona, ne jetën e cdo shqiptari. Gëzuar!
Sadik Elshani
Philadelphia, Dhjetor, 2015