MESIMI I GJUHES SHQIPE NUK PENGON ASPAK FEMIJET PER PERPARIMIN E TYRE NE SHKOLLAT AMERIKANE – Nga Vlashi Fili

Materiali I më poshtë është diskutim në festimin e 10 Vjetorit të Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” nga Vlashi Fili

 
Shkollat shqipe në Diasporën Shqiptare të Amerikës, sidomos ato që funsionojnë në pjesën lindore të këtij vendi, pjesë e së cilave është edhe Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë” që ka hapur Shoqata “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, po bëjnë një punë të madhe për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë ndër fëmijët e Komunitetit Shqiptar. Përkushtimin dhe mundi i organizatorëve dhe mësuesëve të këtyre shkollave, po shpërblehet me rezultatet e fëmijëve në përparimin e tyre, në përvetsimin e gjuhës sonë të bukur.
Prof. Sejfi Protopapa, në një letër që na adresonte në vitet e para të hapjes së shkollës sonë, midis të tjerave na shkruante: “ ….Këtë që po bëni ju, për ruajtjen e gjuhës shqipe, në mos do ja u ditshin fëmijët dhe prindërit, do ja u dije Zoti….”
Përvoja jonë 10 vjeçare në shkollën “Gjuha Jonë”, veç përkushtimit të disa prindërve, për t’i sjellë fëmijët në këtë shkollë, ka treguar se jo pak prindër kanë mentalitete nga më të ndryshmet, për të justifikuar mos sjelljen e fëmijëve për të mësuar apo perfeksionuar gjuhën shqipe. Një nga këto mentalitete (apo justifikime, quajeni si të doni) është se, mësimi i gjuhës shqipe e pengon fëmijën për anglishten dhe ndikon në uljen e rezultateve të fëmijëve në shkollën bazë, atë amerikane. Përgjigjen e këtij justifilimi e kemi dhënë menjëherë në titullin e këtij shkrimi, por unë do ta argumentoj atë me disa shëmbuj të thjeshtë.
Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë” i zhvillon mësimet dy orë në javë, ditën e dielë. Në pushimin midis dy orëve salla kryesore e Qendrës tonë Kulturore, gumëzhin nga zërat e fëmijëve. Në një pushim të tillë, një ditë, tre vajza ishin pranë hartës së Shqipërisë që kemi të varur në mur dhe diçka bisedonin me njëra – tjetrën. U afrova dhe i pyeta.
– A e dini qytetin nga keni ardhur?
– Po, – u përgjigjën të treja njëherëshe.
– Unë jam nga Fieri, – më tha njëra prej tyre. U kthye nga harta e vendosi gishtin mbi qytetin nga ishte.
– Unë jam nga Tirana, – tha tjetra dhe u zgjat në majë të këmbëve për të vendosur gishtin në kryeqytetin tonë.
Vajza e tretë nuk foli menjëherë. Ajo ishte vajzë e zgjuar, sepse e kuptoi, që duke parë atë në sy, po prisja që të përgjigjej.
– Unë kam lindur këtu në Filadelfia, por babi dhe mami janë nga Librazhdi, – foli më së fundi ajo dhe vuri gishtin mbi atë qytet.
U gëzova shumë dhe ua shpreva vajzave, që ato dinin prejardhjen e tyre dhe për më tepër e dinin se ku binte qyteti i tyre. Është shumë kuptimplotë kjo. Kam bindjen se tre vajzat, kur të rriten, jo vetëm nuk do ta harrojnë prej nga janë, por do ta përforcojnë më tepër me mësimin e karakteristikave të tjera të qytetit prej nga erdhën së bashku me prindërit, apo edhe vetëm prindërit e tyre.
Më pas vazhdova t’i pyesja ato.
– Si jeni me mësimet në shkollën amerikane.
– Shumë mirë, – mu përgjigjën të treja.
– Po a ju ka penguar gjuha shqipe, që mësoni këtu, në mësimet në shkollën ku jeni.
– Jo, – u përgjigj ajo më e rritura. – Ne këtu vijmë vetëm në fundjavë, kurse në shkollën anglisht vemi ditët e javës.
Pra ja një përgjigje nga vet goja e fëmijëve.
Njohim shumë raste që fëmijët i flasin shumë mirë të dyja gjuhët, si anglishten edhe shqipen. Kur janë midis tyre ata flasin anglisht. Për ne është e kuptushme kjo, mbasi ata e kanë më të lehtë të shprehen në anglisht, por kur janë me prindërit komunikojnë në shqip.
Kam njohur qysh më parë dhe tani kam korespondencë nëpërmjet internetit, me tre vëllezërit që janë sot në tre shtete të ndryshme. Dy prej tyre hynë në ambasadat kur u hapën dyert, njëri në atë italianen dhe tjetri në atë gjermane. Sot jetojnë në shtetet përkatëse së bashku me familjet e tyre. Kurse të tretit i doli llotua amerikane. Fëmijët e tyre flasin gjuhën e vendit ku banojnë, anglisht, italisht dhe gjermanisht. Por prindërit e tyre kanë bërë një gjë të mirë. Në të tre familjet flitet shqip dhe fëmijët e flasin rjedhshëm gjuhën tonë. Kur prindërit e tyre bisedojnë në telefon u kushtojnë pak minuta edhe bisedave të fëmijëve. Pavarësisht se ata janë rritur e jetojnë në shtete të ndryshme ata kuptohen shumë mirë se komunikojnë në shqip. Kur shkojnë në Shqipëri, për pushime, programojnë që të jenë atje të tre së bashku. Fëmijët e tyre lozin bashkë se meren vesh mirë në gjuhën e prindërve.
Mendoni për një çast sikur ata të mos flisnin shqipen, çfarë pasoja do të kishin? Si do të mereshin vesh, në anglisht, italisht apo gjermanisht? Pasoja do të ishte shumë e rëndë. Ata nuk do të kishin asnjëherë dëshirë që të takoheshin bashkë dhe duke u rritur do të largoheshin nga njëri – tjetri. Fëmijët e të tre familjeve janë shumë mirë me përparimin në shkollat e tyre. Kur i provokova prindërit e tyre, në një  rast të vetëm, që u gjenda me ta, në të njëjtën kohë në Shqipëri, se shqipja sadopak i ka penguar në gjuhët e tyre, mu përgjigjën me bindje:
– Aspak!
I besova atyre mbasi këtë e mbështetin rezultatet shumë të mira në shkollat e tyre respektive. A nuk është kjo shumë domethënëse? Besoj se Po!
Njoh një vajzën e një bashkatdhetari këtu, që flet tre gjuhë, anglisht, shqip dhe spanjisht, ndonëse këtë të fundit ende jo shumë mirë. Vajza është në klasën e pestë të arsimit elementar.
Me të atin e saj, duke pirë kahe një ditë, e pyeta se si i ka mësuar. Ja si mu përgjigj ai.
– Dy gjuhët, anglisht dhe shqip, i mësoi qysh e vogël. Anglishten e mësoi nga televizori, mbasi ndiqte me shumë vëmendje emisionet e fëmijëve, sidomos atë “Dora ekspllorer”. Çfarë thoshte Dora në televizor ajo e përsëriste. Shqipen e mësoi nga ne, se në shtëpi flasim vetëm shqip. Kohët e fundit na ka ardhur me banim një fqinje spanjisht folëse. Një prej vajzave të kësaj familje është moshatare me tonën dhe lozin shpesh bashkë. Nga kontakti me të ajo po mëson edhe spanjishten. Kam vënë re se ka përparuar shumë.
Me të qeshur i thashë:
– I thuaj sat bije që t’i mësoi shqipen shoqes së saj.
– Pse jo, – mu përgjigj ai.
– Po a ka ndonjë problem në shkollë, që veç shqipes, po mëson edhe spanjisht? – e pyeta unë.
– Jo. Deri më sot nuk kam vënë re asnjë rënije sado të vogël, në mësime.
Është vërtetuar shkencërisht dhe e vërtetuar në praktikë, që njeriu mund të mësoj disa gjuhë pa penguar njëra tjetrën, mandej do të thosha se ato ndihmojnë njëra – tjetrën. Më e theksuar është kjo tek fëmijët. Truri i tyre është si një regjistër me fletë të bardha, ku mund të regjistrohet gjithshka, pa u ngatëruar me njëra – tjetrën.
Së fundi, duke sjellë shëmbujt e mësipërmë, hedh poshtë mendimin e atyre prindërve, se mësimi i gjuhës shqipe pengon fëmijët në anglishten duke iu përgjigjur këtij problem me titullin e këtij shkrimi: “Gjuha shqipe nuk i pengon fëmijët në përparimin e tyre në shkollat përkatëse”.
Ju faleminderit për vëmendjen.
Vlashi Fili
Filadellfia, 07 Qershor 2014