FESTAT E FUNDVITIT NË SHKOLLËN SHQIPE “GJUHA JONË”

Fëmijët këndojnë e recitojnë para prindërve.

Traditë shumë e bukur kjo e fëmijëve të shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia. Dy herë në vit, ata përgatisin dhe japin shfaqe para prindërve dhe bashkatdhetarëve të tjerë që vijnë në këto raste, një program me këngë dhe recitime, për të treguar se sa kanë mësuar në shkollë. Herën e parë në përfundim të gjysmës së periudhës një vjetore të shkollës, me rastin e festive të fundvitit, Krishtlindjen dhe vitin e ri, ku marrin pjesë të gjitha klasat së bashku, me të njëjtin program. Herën e dytë në muajin qershor, në përfundim të vitit shkollor, ku program është i ndarë sipas klasave. Gjatë gjithë vitit mesueset Raimonda Bardhi, Kozara Doko, Adelina Ramizi, Irini Zenelaj dhe Shpresa Rama, krahas zhvillimit të mësimeve, sipas programeve të hartuara qysh në fillim të vitit shkollor, punojnë edhe për përgatitjen e fëmijëve për t’u paraqitur sa më mirë në programin që do shfaqin para prindërve. Kalimi nga programi dy orësh në atë treorëh në ditët mësimore, ndihmoi jo vetëm në përfitimin më të mirë të programit mësimor, por krijoi kohë e mundësi për përgatitjen e programit artistik të fëmijëve.

Dhe erdhën festat e fundvitit. Dita e Dielë e 21 Dhjetorit të këtij viti ishte ndryshe nga ditët e tjera. Fëmijët u grumbulluan si zakonisht, në të njëjtin orar, 9 e 30, por jo me librat dhe fletoret për të bërë mësim. Ata bënë një provë të përgjithshme për shfaqjen që do të jepnin.

Në ora 11-00, e caktuar për fillimin e shfaqies, prindërit mbushën sallën e Qendrës Kulturore të Shoqatës që ishte zbukuruar për festë. Pema karakteristike e festave të fundvitit dhe tullumbacet në sallë e plotësonin më së miri atmosferën e festës.

Dhe ja, fëmijët u grumbulluan në krye të sallës, para prindërve, të gatshëm për të filluar programin e tyre. Z. Bujar Gjoka, nën/kryetar i shoqatës, falenderoi pjesëmarrësit dhe i uroi ata për festat. Pastaj ai ia dha fjalën z. Tajar Domi, kryetar i shoqatës.

Z. Tajar, në përshëndetjen e tij, pasi uroi mirëseardhjen të pranishmëve, uroi fëmijët për përpjekjet e vazhdueshme që bëjnë për mësimin e gjuhës shqipe, prindërit për sakrificën që bëjnë për të sjellë fëmijët në këtë shkollë dhe mësueset e shkollës për përkushtimin e tyre që fëmijët të mësojnë sa më tepër. Po ashtu ai bëri thirrje që të gjithë së bashku, shoqatë, prindër dhe mësuese të punojnë me të afërmit, fqinjët dhe miqtë për të sjellë fëmijët në këtë shkollë. Me urimin: “Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2015” ai ia la radhën fëmijëve.

Programi i fëmijëve u hap me Himnin e Flamurit. Të gjithë pjesëmarrësit, të ngritur në këmbë, shoqëruan fëmijët dhe në fund i duartrokitën.

Para prindërve doli nxënësja e klasë së pestë, Vanesa Shehu për të paraqitur programin. Si fillim ajo mbajti një ligjëratë të shkurtër si më poshtë.
“Të dahur prindër, mësuese dhe të pranishëm të tjerë, mirësekeniardhur. Është bërë traditë që ne fëmijët e shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, çdo fundviti, t’ju paraqesim një program me këngë e vjersha shqip, me qëllim që t’ju argëtojmë e t’ju tregojmë se çfarë kemi mësuar.

Prania juaj këtu tregon dëshirën dhe kujdesin tuaj prej prindi dhe edukatori, që ne fëmijët shqiptar, të lindur e rritur jashtë Atdheut, të mësojmë traditat dhe të flasim pastër gjuhën e nënës.

Çdo të dielë që ne vijmë këtu, çdo këngë, fjalë shqipe që mësojmë, tregon etjen tonë për më shumë dije por dhe vullnetin dhe përpjekjet tuaja për të çuar në vend një amanet të vjetër e të shtrënjtë, për ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës tonë të ëmbël shqipe. Si një falenderim për këtë detyrë fisnike që ju keni marrë përsipër, ne fëmijët tuaj premtojmë, të mësojmë e të ruajmë gjuhën dhe zakonet tona arbërore, si edhe t’ua trashëgojmë këtë pasuri brezave të ardhshëm.

Duke përfunduar, në emër të gjithë fëmijëve të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”, ju falenderoj nga zemra ju prindër dhe mësuese. Një falenderim të veçantë shprehim dhe për shoqatën “Bijtë e Shqipes” për punën e tyre të palodhur dhe mundësitë që na afrojnë.

Gëzuar festat e fundvitit  dhe një vit të ri plot mbarësi për të gjithë shqiptarët kudo ku janë”.

Në vazhdim ajo bëri prezantimin e titullit të këngës apo recitimit si dhe emrin e fëmijës që do recitonte. Veç kësaj edhe fëmijët, një e nga një, para se të recitonin, thoshin emrin e vet dhe titullin e vjershës që do recitonin.
Si fillim, të gjithë fëmijët së bashku kënduan këngën “O ç’gëzim moj nënë” që u pëlqye dhe u duartrokit. Vogëlushja Alisa Qypi recitoi vjershën “Mësuesja jonë”. Vazhdoi përsëri i gjithë grupi me recitimin “Hapa – dollapa” e në vazhdim Vanesa, Alba, Anthony, Amalia, Silvana, Nadia dhe Albioni recituan për Shqipërinë, alfabetin, qershorin, bletën, pjesë nga “Bagëti e bujqësi”, kukullën si dhe treguan disa fjalë të urta.

Kënga “Xhamadani vija – vija”, e kënduar nga i gjithë grupi, u pëlqye shumë dhe i bëri të prnishmit për vete, aq sa refrenin e kësaj kënge e këndoi gjithë salla.

Përsëri recitime të bukura. Irini, Aris, Albiona, Ervini, Egi, Amber, Ema dhe Flavia recituan për Shqipërinë, nënën, baban, lepurushin, dredhit e dhelprës, fluturën, etj.

Programi u mbyll me këngët: “Globi rrotullohet” dhe “Ja na erdhi viti i ri”, kënduar nga i gjithë grupi si dhe me recitimin e prezantueses së programit, nxënësen Vanesa Shehu “Po të qeshin të gjithë fëmijët”.

Mësuesja Kozara Doko falenderoi fëmijët dhe përsëriti thirrjen e kryetarit të shoqatës, si një shqetësim nga të gjithë, që të shtojmë përpjekjet për të afruar sa më shumë fëmijë në shkollën shqipe.

Pastaj u ndanë dhuratat që shoqatë kishte përgatitur për të gjithë fëmijët. Me rradhë, nga klasa e parë, çdo mësuese, shpërndau dhuratat për nxënësit e klasës së vet, kurse z. Bujar Gjoka shpërndau dhuratat që shoqata kishte përgatitur edhe për mësueset.

Koktejli i shoqatës mbylli këtë veprimtari të bukur e mbreslënëse. Mbas disa orë të këndëshme të gjithë u larguan duke i uruar njëri-tjetrit festat e fundvitit.

Vlashi Fili
Filadelfia, 21 Dhjetor 2014