DERË DHE ZEMËR E HAPUR

Për traditë më shumë, stina e verës edhe për  Shoqatën Atdhetar-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia mendohet si periudhë pushimi.  Shoqata jonë së bashku me miqtë që na nderuan, festoj bukur 15 vjetorin e krijimit më 11 qershor, Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë” e mbylli vitin e 13 shkollor, me koncertin e fëmijëve më 18 qershor, pastaj më 25 qershor  pikniku vjetor  i shqiptarëve të Filadelfias që shënon edhe fillimin e pushimeve për drejtuesit dhe veprimtarët e kësaj shoqate. Kjo më shumë si mendim se nuk ka veprimtari të planifikuara se sa si fakt. Pas ores 9.00 am sekretari i shoqatës është pothuaj çdo ditë në qëndrën kulturore të shoqatëa. Përherë ka diçka për të bërë: sistemimin   e dokumentacionit të muajit më të fundit, për  sistemimin e librave në bibliotekë, për regjistrimin e anëtarëve më të rinj në shoqatë, për freskimin e web-it të shoqatës me shkrime dhe foto  te reja, etj. Por jo vetëm Vlashi. Edhe kryetari  i shoqatës zoti Tajar Domi nuk rri i qetë. Po afron viti i ri shkollor. Duhet të ketë diçka të re.  Kanë menduar që nxënësit e shkollës shqipe këtë vit të kenë bluzat e tyre me emblemën e shkollës. Llazar Vero dhe nënkryetari  i pare i shoqatës  Bujar Gjoka, kanë kohë që kanë menduar për këtë. Do të jetë një  dhuratë e bukur për  fëmijët e shkollës. E veçanta e kësaj të papriture qëndron edhe në faktin se këto bluza do të përgatiten në Tiranë si dhuratë nga antarët e shoqatës “Bijtë e Shqipes” zotërinjtë Bajram Avdija e Mezan Resuli, pjesëtarë të grupit shoqëror  “Zjarri”, në Shqipëri. Por edhe puna për festimet e 105 vjetorit të Pavarësisë së Atdheut tone të dashur nuk është larg. Sadik Elshani me përpikmërinë e tij të zakonshme  me kohë është lidhur me personat përgjegjës në Bashkinë e Filadelfias për ceremoninë e ngritjes së flamurit në sheshin kryesor të këtij qyteti  historik per  SHBA. Llazari ka porositur stikerat me flamurin tone kombëtar për këtë ditë të shënuar. Ka edhe më por zoti Tajar Domi ka merak të ruajmë disa gjëra pa thënë, për më vonë.
Këto përbëjnë një pjesë të rutinës  së punës së kryesisë së Shoqatës “Bijtë e Shqipes “  gjatë  “pushimeve “ të verës. Por nuk është ky qëllimi i këtyre shënimeve.   Kryesia dhe antarët e shoqatës u kushtojnë vëmëndje edhe miqëve të shumtë që vizitojnë shoqatën. Por ky kujdes nuk mbyllet brënda një kafeje apo një vizite në ambjentet e qëndrës kulturore të shoqatës, por  në çdo rast ka diçka më shumë, më miqësore dhe njërëzore. Ja para pak kohësh erdhi për një vizitë tek djali e tij  ing. Refat Hasa, major  i nderuar   i ushtrisë  tonë. E kishte pak vështir lëvizjen pas dy operacioneve të shkallës së lartë vështirësive, por  përveç të afërmëve atë e shoqëronte çdo ditë veprimtari  i  palodhur i shoqatës  Eqerem  Murataj, dhe ai nuk e ndjeu asnjëherë se ishte larg  Shqipërisë dhe familjes. Duke u njohur me punën e shoqatës  dhe për respektin që gjeti nga drejtuesit e saj, ai u bë edhe antar i kësaj shoqate.
Korriku, më shumë se qershori, solli shumë shokë dhe miq të tjerë në ambjentet e shoqatës. Ja Kiço Kokthi i papërtuar, solli mikun e tij dhe të familjes,  përmetarin e mire dhe bisnesmenin punëmbarë  nga Tirana,  Dorjan Kongoli, që për shoqatën tone ka qënë i njohur dhe i falenderuar vite më pare për ndihmën që i ka dhënë për sigurimin e librave për shkollën tone shqipe apo edhe për kostumet kombëtare për fëmijët e kësaj shkolle. Dorjani fjalëpak dhe punëshumë pasi bëri një dhuratë në të holla për shoqatën mori përsipër që edhe këtë vit të siguroj librat për nxënësit e shkollës shqipe të shoqatës. Dhe e kurorëzoi respektin për punën që bëhet në këtë shoqatë duke u bërë anëtar  i saj.
Kafja e të mërkurës në ambjentet e shoqatës bashkon shokë dhe miq, veprimtarë të saj  por dhe vizitorë, miq dhe të afërm të bashkatdhetrëve tanë.  Për të gjithë dera dhe zemra është e hapur. Javen e fundit të korrikut na gëzoi ardhja e prof, dr, Fatmir Zanaj nga Tirana, vëllai i shokut dhe mikut tone të nderuar, ish kryetar i shoqatës Petrit Zanaj.  Me Fatmirin njihem prej vitesh dhe siç thonë në Vlorën e tij, është burrë i rëndë, për fjalën dhe punën e tij të mënçur.  Vëllai i tij më i vogël, Petriti e shikon në dritë të syrit, e do dhe e respekton  me shpirt.  Të mbetur pa nënë që të vegjël, dhe më vonë edhe pa babanë, Fatmiri u bë si një prind i dytë për të dhe të motrën më të vogël. Petriti e ndiqte me vëmëndje fjalën edhe këshillën e tij, dhe mbi të gjitha shëmbullin e tij. Ai u bë një oficer i talentuar i ushtrisë tone dhe më vonë një pedagog i aftë i Shkollës së Bashkuar që përgatiste oficerë për ushtrinë tonë. Ishte e bukur ajo e mërkurë kur i kishim bashkë të tre bashkatdhetarët tanë tënderuar Refat Hasën,  Dorian Kongolin dhe prof, dr, Fatmir Zanaj. Kishte më shumë dritë dhe gëzim ajo ditë. Kishin ardhur njërëzit tanë nga Shqipëria jonë dhe kishin sjellë aromën dhe dashurinë e saj.  Do t’i kishim ata për disa ditë midis nesh.  Profesor Fatmiri, megjithëse me një rrogë modeste si mësimdhenes në Fakultetin e shkencave sociologjike në Tiranë , nuk  u kursye dhe u bashkua me dhuruesit për blerjen e një godine të re per shoqatën.  Por i pasur është ai që jep, thotë një fjalë e urtë, jo ai që ka.
Duke u ndarë atë të mërkurë Petriti na ftonë për një kafe ditën e shtunë, për të nderur vëllain e tij dhe falenderuar shokët  për pritjen e ngrohtë.
E shtuna ishte me të vërtetë një ditë tjetër e bukur. Petriti kishte ardhur më herët së bashku më të vëllanë dhe kishte shtruar tavolinat tek salla e kafesë  së shoqatës. Vlashi Fili, si djalë i ri, përherë në krye të detyrës. Pastaj erdhën Kiçua me Dorjanin, Eqerem Murataj, Sami Zaimaj… Në derë duket Enver Parllaku i palodhur,  shoqëruar nga disa bashkëkrahinas dhe miq të tij. Vendos shishen e rakisë së Skraparit në tavolinë dhe thotë “Kam gëzim sot. Më ka ardh goca e axhës, motra ime me të shoqin nga Brukseli.”  Me ta ishte edhe kryetari i shoqatës, Tajar Domi dhe i kudogjënduri  Hysë Hasa. Ishte prania e tyre dhe dëshira e miqëve për të vizituar ambjentet e shoqatës që i solli të gjithë bashkë në “Shtëpinë e Shqiptarit “ siç i thonë bashkatdhetarët qëndrës kulturore të shoqatës. Miqtë e largët, zonjën Mine Bllaka dhe bashkëshortin e saj prej Istogu Rahim Bllaka, ulëm në krye të vendit. Enver Parllaku qeshte  i  tëri dhe gjithë kohës me dorën ne qafë me motrën Mine. Malli do kohën e vetë të shuhet. Ne tavolinën që shtohej dhe shtohej me tavolina të tjera zuri vend edhe kryetari i grupit vëllazëror të kukësianeve, anëtarë rë “Bijëve të shqipes”, zoti Ahmet Shabani. Përshëndetjet dhe urimet nuk kishin të sosur. NË to nuk mungonin as pergëzimet për punën e madhe të shoqatës  që i mbanë dyert dhe zemrat të hapura dhe shqiptarët të bashkuar. Ishte me të vërtetë një festë e vogël por me dashuri të madhe. Ishte Atdheu ynë i dashur që na bashkonte. Në atë tavolinë ishte e gjithe Shqipëria. Ja Abedin Teme nga Çamëria, që u uron mirëseardhjen miqëve, pranë tij Sadiku nga Suhareka, Kiçua dhe Dorjani nga Përmeti, Fatmiri dhe Petriti nga Vlora, Llazari nga Fieri, Vlashi nga Kuçova, Enver Parllaku, Rifat Hasa, Tajar Domi, Hys Hasa, Xhemali Elezi dhe Hamdi Gjana nga Kukësi, Bujari nga Durrësi, bashkëshortët Bllaka nga Istogu, Eqerem Muratraj dhe Sami Zaimaj nga Mallakastra, Rrap Rrokaj nga Fieri, Anastas Golemi nga Tirana si dhe Shpëtim Braka dhe Miftar Dauti ardhur nga Nju Jorku.
Dhe si zakonisht para se të largohen miqtë kërkojnë të kenë disa kujtime me flamurin tone kombëtar, me Gjergj Kastriotin dhe Ismail Qemali, me Nënë Terezën dhe Eqerem Çabejnë. Një Shqipëri e vogël ku vlonë një dashuri e madhe që nuk shuhet kurrë!
LAVER NIKU
Filadelfia, 31 Korrik 2017