ATA QË SHKRUAN LIBRIN E ATDHEDASHURISE TONE

Shoqata Atdhetare – Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, nderon jetën dhe veprën e Jeronim De Radës dhe Sami Frashërit.

Tashmë është bërë një tarditë e bukur në Shoqatën “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia nderimi i jetës dhe veprës së figurave të ndritura të historisë dhe kulturës tonë. Lidhja e vlerave të së shkuarës  me të sotmen është konceptuar dhe vlerësuar  si pjesë e pandarë e jetës tonë. Është vazhdimësia dhe ruajtja e trashëgimisë një tjetër vlerë që u lëmë brezave të rinjë.

“Eshtë kjo një mirënjohje ndaj atyre që ringjallën Shqipërinë, që i dhanë frymë nga fryma e tyre. – tha në fjalën e hapjes së veprimtarisë që u organizua të shtunën më 26 tetor 2014, zoti Llazar Vero. Ata shkruan biblën e atdhedashurisë dhe ngritën një fe  mbi të gjitha fetë, një fe që quhet SHQIPTARI. Ungjillorët e saj ishin Bogdani dhe Buzuku, De Rada dhe Naimi, Samiu dhe Fishta, Migjeni dhe Lasgushi, Driteroi dhe Ismaili…Shumë shqiptarë nuk dinin shumë nga Bibla dhe Kurani i shënjtë, po dinin përmëndësh “Këngët e Milosaos”, “Bagëti dhe Bujqësi”, Lahutën e Malësisë”, “Vargjet e Lira” etj. Me fjalën e bukur ata mbajtën gjallë gjuhën shqipe dhe mendimin e tyre të mënçur dhe të guximshëm, i dhanë jetë një kombi të tërë. Ndaj me të drejtë mund të themi se pa letërsi shqipe nuk do të kishte Shqipëri.”

Pasi e shtjelloi pak më gjërë këtë ide, zoti Vero foli për dy botimet më të fundit nga antarët e shoqatës. Ai përmendi së pari romanin e Vlashi Filit “Zëmer Nëne” që shënon dhe arritjen më të mirë të autorit si lëvrues i prozës së gjatë. Autori tjetër është Hatem Dervishaj që këtë vit botoi romanin “Përtej Iluzioneve”, një vepër aktuale për temën që trajton .

Në vazhdim të veprimtarisë  fjalën  e mori zotit Sadik Elshani që foli gjërësisht për jetën dhe veprën e Jeronim De Radës me rastin e 200 vjetorit të lindjes së tij.

“Jeronim De Rada  – tha zoti Sadik Elshani në fjalën e tij – është padyshim shkrimtari më i mirënjohur i letërsisë arbëreshe dhe figura më e shënuar e lëvizjes kombëtare shqiptare në Italinë e shekullit të XIX. Me angazhimin e tij te drejtëpërdrejtë në rrjedhat e levizjes kombëtare shqiptare për liri dhe pavarësi dhe me veprimtarinë e tij të gjithanshme letrare, kulturore, arsimore, atdhetare, ai u bë emblem e kësaj lëvizjeje vendimtare në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe fuqive të fjetura të popullit tonë, duke i kujtuar atij të kaluarën e lavdishme dhe heroike të bijëve të arbërit. Prandaj është shumë e qëlluar dhe mjaft domethënëse që në nderim të kësaj figure madhore të kombit tonë, viti 2014 është shpallur viti i Jeronim De Radës dhe është karakterizuar me një varg veprimtarish të llojlloshme në të gjitha trevat shqipfolëse. E tillë është edhe veprimtaria që ne po zhvillojmë sot, ne që në një vend të largët nga Dheu Mëmë po mundohemi të mbajmë gjallë shpirtin dhe qënien shqiptare, duke ndjekur shëmbullin e De Radës dhe Rilindasve tanë mëndjendritur.”

Më tej, zoti Elshani, foli më hollësisht për jetën dhe veprën e Jeronim De Radës. Ishte vetëm 22 vjeç kur botoi për herë të parë poemën e tij më të njohur “Këngët e Milosaos” dhe tri vjet më vonë “Këngët e Serafina Topisë”. Më 1948, vit i revolucioneve në disa vende të Europës ai themeloi gazetën “Shqiptari i Italisë” ( “L’albaneze d’Italia”), një gazetë dygjuhëshe ku botoheshin artikuj politikë, letrarë, moralë, etj. “Ishte i pari periodik në gjuhën shqipe që është botuar ndokund.”- theksoi zoti Elshani. Si një figurë qëndrore e Rilindjes Kombëtare, Jeronim De Rada pati një letërkëmbim aktiv me figura udhëheqëse të kësaj lëvizjeje si Thimi Mitko, Sami Frashëri, Dora D’Istria si dhe me shumë studiues të huaj të interesuar për Shqipërinë si Gustav Majer, Ogyst Dozon etj. Ndërkohë veprat e De Radës ishin përkthyer në gjermanisht dhe disa gjuhë të tjera europiane.

Gjysma e dytë e shekullit të XIX për De Radën shënon një veprimtari të gjërë studimore dhe botuese. Kësaj periudhe i  përkasin “Parimet e estetikës”,  “ Lashtësia e kombit shqiptar dhe afërsia e tij me grekët dhe latinët”, “Sa liri dhe mirëqënie ka në shtetin me përfaqësues”  si dhe  “Skënerbeu i pafan”. Ai ishte përkrahës i zjarrtë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe më 1883 themeloi revistëm mujore “Fiamuri i Arbërit”, që lexohej edhe nga shqiptarët në Ballkan. Më 1895 organizoi të parin Kongres Gjuhësor Arbëresh në Koroliano Kalabro. Mori pjesë aktive edhe ne kongresin e dytë që u organizua në Unger.

“Siç shihet  De Rada ka qënë një figurë e gjithanshme – vazhdoi kumtesën e tij zoti Sadik Elshani – Ai është metaforë e shpirtit, qëndresës dhe mbijetesës së arbëreshëve të Italisë dhe simbol i intelektualit atdhetar që më tërë qënien e tij u angazhua për zgjimin kulturor të bashkombasve dhe për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.. Ai ka qënë mbledhës i folklorit, estetist, poet, mësues, studiues, publicist e gazetar, gjuhëtar, përkthyes, politikan, revolucionar atdhetar.” Duke përfunduar ai theksoi se “De Rada vdiq i varfër por është pasuri kombëtare- na ka lënë ar e përmbi ar, i la trashëgim kombit tonë veprën e tij të vlerë, shpirtin e tij të pastër, fisnik dhe atdhetar.”

Pas kumtesës për De Radën fjalën e mori kryetari i Shoqatës “Bijtë e Shqipes” zoti Tajar Domi, që foli për një tjetër figurë të ndritur të Rilindje sonë Kombëtare e pikërisht për Sami Frashërin, që këtë vit u mbushën 110 vjetë nga vdekja e tij.

Pas përfundimit të studimeve në gjimnazin Zosimea të Janinës ku ai mori një kulturë të gjërë klasike dhe  përvetësoi disa gjuhë të huaja  europiane  si  greqisht, italisht, frëngjisht, u orientua në mësimin e gjuhëve turke, arabe dhe perse.

“Më 1872 –tha zoti Domi,- Sami Frashëri shkoi në Stamboll ku u lidh menjëherë me atdhetarët shqiptarë si Pashko Vasën, Ismail Qemalin, Jani Vreton, Hoxha Tahsimin etj, dhe megjithëse nga më të rinjtë, me formimin e Shoqërisë Shqiptare të Stambollit, ai u zgjodh kryetar i saj, dhe deri në fund mbeti një nga drejtuesit kryesor të saj.

Veprimtaria e tij shumëplanëshe  e bëri Samiun një nga personalitetet dhe ideologët më të rëndësishëm të Rilindjes sonë Kombëtare. Samiu , krahas veprimtarisë kombëtare botoi 57 vepra në gjuhën shqipe,turke dhe arabe, përfshi këtu edhe revists e gazetat që ai drejtoi. Ai ishte një intelektual me kulturë të gjërë enciklopedike: ishte studiues, gjuhëtar, sociolog, dramaturg, filozof, publicist dhe gazetar. Në çdo parathënie të librave të tij ai mban qëndrime ndaj problemeve më të mprehta të kohës si për racat etj. “ Njeriu, ka dicka-shkruante Samiu- që nuk e ka  askush, mëndjen dhe inteligjencën. Por dallimin midis njerëzvë nuk e bën ngjyra e lëkurës apo rroba që ka veshur, por e bën fuqia e tij mendore e shkencore, pra qytetërimi i tij.” Për Samiun thelbi i qytetërimit dhe masa e zhvillimit të tij është Dituria.

Në një botim tjetër ai shkruan për rëndësinë që ka të mësuarit dhe të ruajturit e gjuhës amtare.: “ Dëshmi e kombit është gjuha. Cdo komb ka gjuhën e vet. Një komb që harron gjuhën e vet, pra gjuhën e mëmës duke përdorur një gjuhë tjetër, ai humb nacionalitetin e vërtetë të tij dhe bëhet pjesë e nacionalitetit gjuhën e të cilit përdor.”

Sami Frashëri, vashdoi më tej zoti Tajar Domi, padyshim është një nga themeluesit e shkollës shqipe. Vec të tjerave për këtë dëshmojnë  hartimi dhe botimi i disa teksteve shkollore si: “Abetare e gjuhës shqipe”-1886, “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika), “Dheshkronja”(gjeografia) – 1888, etj. Ky ishte konkretizim i porosisë që jepte në një artikull të tij: “Në se do të korrësh për një vit, mbill misër dhe grurë, në se do të korrësh për 100 vjet mbill arsim dhe kulturë.”

Në fushë të botimeve shqip të Sami Frashërit vendin kryesor e zë  vepra e tij “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe çdo të bëhet”, që u bë burim frymëzimi për të gjithë luftëtarët e lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë. Që në kapitullin e parë të kësaj vepre ai shkruan: “Shqiptarët janë populli më i vjetër i Europës dhe pasardhës direkt të pellazgëve… Ilirët dhe epirotët, duke iu referuar historianëve grek të antikitetit, flasin të njëjtën gjuhë dhe kanë të njëjtat zakone dhe tradita; prej gjuhës dhe zakoneve të tyre erdhën më vonë ato të shqiptarëve të sotëm.”. Në këtë pjesë ai një vend të veçantë i jep figurës së Skënderbeut dhe epokës së tij që e cilëson : “më të bukur dhe më të bekuar të të gjithë kohërave për vendin tonë.”, kur kombi ishte i bashkuar dhe i nderuar në të gjithë botën. Në pjesën e dytë ai jep nje tablo tronditëse të Shqipërisë pas reformave të Tanzimatit dhe rrezikut që i kanosej vendit tonë nga synimet grabitqare të fqinjëve tanë. Në pjesën e tretë të kësaj vepre Samiu Frashëri shkruan  se Shqipëria duhej të shkëputej nga Perandoria Otomane dhe shqiptarët të formonin shtetin e tyre.”Shqiptarët duhet t’i marrin ato që duan me pahir, t’i kërkojnë me fjalë, por të kenë edhe pushkën plot.” Si  mendimtar demokrat dhe iluminist ai parashtron një projekt të gjërë për të ardhmen. Ai nuk e pranon idenë e monarkisë, Shqipëria duhej të ishte një republikë parlamentare, me një shtet të një demokracie borgjeze. Me këtë  vepër Sami Frashëeri u bë ideologu më i shquar i Rilindjes sonë Kombtare.

Në këtë plan ishte edhe një artikull i vitit 1899  me titull “Punërat e përgjithshme” ku ndërmjet të tjerash shkruan: “Pas diturisë, kujdes i shqiptarëve dhe më e madhe nevojë do të jetë për punët e përgjithshme, të cilat do të sjellin begati dhe pasje të madhe në Shqipëri.Udhët, udhët e hekurta, limanet, të hapurit e lumenjëve dhe kënetave, metalet, pyjet etj. Janë më të nevojshmet dhe më të vyerat e punëve që do të bëj Shqipëria, me të pasur duart dhe këmbët zgjidhur.”

Vetëm pak kohë përpara mbajtjes së  Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 Qershor 1878, ai botoi  “Çështja Shqiptare”, duke nxjerrë në pah problemin e trojeve shqiptare dhe synimeve shoviniste të shteteve fqinjë.  Ai ndoqi nga afër të gjitha përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, duke dhënë një kontribut të çmuar në to. Më 1980 udhëhoqi krijimin e “Komitetit Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare”, i cili pas Lidhjes së Prizrenit, pati një veprimtari mjaft të gjërë atdhetare. Për 10 vjet rrjesht, 1880-1890, ky komitet, megjithëse në ilegalitet dha një ndihmesë të madhe për mbajtjen gjallë të çështjes kombëtare shqiptare. Në këtë kohë ai mori lejen për hapjen e një shkolle shqip (1887), boton të parën gazetë periodike shqip “Drita” (“Dituria”).

Duke përfunduar, zoti Tajar Domi tha se jeta dhe vepra e rilindasit të madh, Sami Frashërit, është kaq e gjërë, sa është e pamundur të rroket në materiale dhe biseda të tilla, po synimi ynë ishte të vlerësojmë dhe të nderojmë në këtë 110 vjetor të vdekjes së tij, me sa mundemi, pjesë nga veprimtaria e tij e gjërë si dijetar dhe atdhetar i shquar.

Pas kësaj kumtese i erdhi radha panairit të librit shqip, ku pjesëmarrësit blenë disa libra që tërhoqën interesin e tyre.  “Koktejli i shoqatës”, e  bëri më të këndëshme dhe miqsore   këtë mbrëmje kushtuar dy figurave madhore të Rilindjes sonë Kombetare: Jeronim De Radës dhe Sami Frashërit.

LAVER NIKU
Filadelfia, Tetor 2014