FESTIMI I PAVARËSISË SË KOSOVËS TEK “BIJTË E SHQIPES”

Ishte caktuar kohë përpara dita e Shtunë, më 15 Shkurt 2014, nga Shoqata “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, për të festuar përvjetorin e gjashtë të Pavarësisë së Kosovës, pa mundur të dinin me saktësi kushtet e motit të kësaj dite. Dhe ndodhi ajo që nuk dëshirohej. Moti mjaft i keq, me dëborë, temperature të ulëta dhe rrugët rrëshqipëse, frenoi shumë bashkatdhetarë për të marrë pjesë në këtë festim. Megjithatë pati nga ata që sfiduan kushtet e vështira të motit dhe erdhën në Qendrën Kulturore të Shoqatës për të marrë pjesë në veprimtarinë e radhës që organizonte shoqata me rastin e Pavarësisë së Kosovës.

Salla e veprimtarive të Qendrës Kulturore të Shoqatës, ishte zbukuruar me tollumbace të kuqe me shqiponjën e zezë, si dhe ato me ngjyrë blu dhe hartën e Reublikës së Kosovës. Në krye të sallës ekrani i madh i projektimit ishte gati për të shfaqur sekuencat filmike të përgatitura enkas për këtë ngjarje.

Veprimtaria filloi me Himnet e Kosovës dhe atë Kombëtar të Shqipërisë. Ndërkohë që në ekranin e madh projektohej interpretimi i këtyre himneve, të pranishmit në sallë, të ngritur në këmbë shoqëronin duke kënduar.

Z. Sadik Elshani, kryetar i shopqatës, çeli veprimtarinë. Në fjalën e tij, mbasi falenderoi të pranishmit, që sfiduan kushtet e vështira të motit për të marrë pjesë në këtë festim, foli shkurtimisht për përpjekjet e Popullit Shqiptar të Kosovës për të fituar pavarësinë që është ngjarja e dytë e madhe mbas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. Pastaj ai ia dha fjalën znj. Suzana Vangjeli, anëtare e Këshillit Drejtues të Shoqatës, që mbajti fjalën e rastit.

Znj. Suzana e filloi me recitimin e pjesshëm të poezisë “Jam shqiptar-jam kosovar” që u duartrokit nga të pranishmit. Në fjalën e saj znj. Suzana përmendi luftën e popullit të Kosovës për të arritur në pavarësinë e saj. Midis të tjerave ajo tha: “… Është kjo një kurorëzim i suksesshëm i angazhimeve dhe luftrave të brezave të tërë të shqiptarëve, përpjekjeve dhe sakrificave të intelektualëve dhe të gjitha forcave atdhetare e përparimtare, luftës heroike të UÇK-së si dhe ndihmës vendimtare që na dhanë miqtë tanë, sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës……”.

Në vazhdim, dy nga pjesëmarrësit në veprimtari, recituan poezitë e tyre kushtuar Pavarësisë së Kosovës. Z. Sami Zaimaj i kishte kushtuar kësaj dite, poezinë e tij me titull “E madhe është kjo ditë”, kurse z. Vlashi Fili, poezinë me titull “Bërtas”.

Pastaj në ekranin e madh, të pranishmit ndoqën disa sekuenca, të përgatitura nga z. Bujar Gjoka, n/kryetar i shoqatës. U shfaqën me rradhë, një dokumentar i shkurtër i ngjarjeve kronollogjike që sollën Pavarësinë e Kosovës, interpretimin me shumë kulturë dhe pasion të poezisë me titull “Jam shqiptar – Jam kosovar” nga artisti i mirënjohur aktori Mirush Kabashi që u shoqërua shpesh me duartrokitje, interpretimi i poezisë “Ankthi” të poetit Ali Podrimja, sekuenca filmike kushtuar heroit Adem Jashari si dhe disa video-klipe të disa këngëtarëve. Projektimet u ndoqën me shumë vëmendje dhe kënaqësi nga të pranishmit.

Me kënaqësinë e shfaqur nga të gjithë për mënyrën e organizimit të veprimtarisë, u kalua në koktejlin, me ushqime të përgatitura nga disa amvisa shqiptare, që mbylli këtë veprimtari të bukur. Të gjithë uronin me zemër “Gëzuar Pavarësinë Kosovë”

Të nesërmen, ditën e Dielë, më 16 Shkurt 2014, festuan Pavarësinë e Kosovës edhe fëmijët e shkollës shqipe “Guha jonë”. Mbas mësimit fëmijët ndoqën sekuencat filmike kushtuar kësaj date e më pas prenë tortën ku shkruhej “Gëzuar 6 vjetorin Kosovë”

Filadelfia, 17 Shkurt 2014.