Festat e Fundvitit në Shkollën Shqipe: “Gjuha Jonë”

Dita e fundit e mësimit të simestrit të parë në shkollën shqipe “Gjuha Jonë”, më 22 Dhjetor 2013, u kthye në një ditë festive për festat e fundvitit. Programi artistik i organizuar nga nxënësit e shkollës dhe mësueset e tyre u dha një kënaqesi të veçantë prindërve, mësuesve, anëtarëve të shoqatës dhe të pranishmëve të tjerë. Ata, vetë femijët, që nga klasa e parë deri në klasën e pestë ishin protagonistët kryesorë. Duke filluar nga rreshti i parë, me fëmijët e klasës së parë të gjithë donin të recitonin dicka, nje vjershë, një poezi, apo thjeshtë të thoshin një gjëagjëzë. I këndonin gjuhës shqipe, i këndonin atdheut, nënës Shqipëri. Recitonin poezi me karakter patriotik, vjersha dhe vargje të rilindasve. Nuk munguan as vargjet per Vitin e Ri. Veshjet e tyre me ngjyra të larmishme, dhe kapucat e babagjyshit të viti të ri, që shumë fëmijë kishin vënë në kokë, e bënin ambjentin edhe më të gëzuar. Salla kryesore u mbush plot, nuk kishte vend për të gjithë. Njerëz kishte edhe përjashta godinës, gjithashtu shikoje edhe në lokalin e shoqatës. Të gjithë donin të merrnin fotografi fëmijët, dhe mos u mungonte asnjë moment pa e kapur.

Ajo që më ka ngelur në mendje është fjala përshëndetëse e një nxënëse në klasën e tretë, Vanessa Shehu, që ishte edhe spikerja e programit. Në fjalën e saj, ajo falenderon fëmijët, prindërit, mësueset, anëtarët e shoqatës per punën dhe mundësinë e krijuar që fëmijët vijnë këtu dhe mësojnë abc , mësojnë gjuhën tonë të bukur. Vanessa në fjalën e saj i falenderoi të pranishëmit, por për mua kjo është edhe një thirrje. Thirrje që u drejtohet prindërve dhe bashkëatdhetarëve, sillini fëmijët në shkolla “Gjuha Jonë”. Harxhoni pak kohë më shumë për këtë, dhe ne do t’ja u shpërbljemë. Ajo u drejtohet të pranishmëve në sallë; fëmijët këtu mësojnë gjuhën tonë të ëmbël, mësojnë traditën dhe zakonet shqiptare, mësojnë për historinë e popullit shqipëtar. Duke ardhur këtu tek shkolla Shqipe, ne do të jemi në gjendje të flasim dhe të komunikojmë me të afërmit në Shqipëri, me gjyshen, me gjyshin, me dajat dhe me gjthë të tjerët. Kështu, duke mësuar dhe duke praktikuar ne do e mbajmë gjallë gjuhën dhe kulturën tone. Kështu do të jemi në gjendje të ju lemë trashëgimi brezave të ardhshëm.

Unë si prind kështu e mendoj dhe e konsideroj fjalën e Vanessës. Ajo u bën apel Shqiptarëve, bashkëatdhetarëve: sillini fëmijët në shkolla Shqipe, ne jemi shumë Shqiptarë në Filadelfia. Ne duhet të jemi të bashkuar, bashkimi bën fuqinë. Apo si thotë një shprehje popullore; “Gurë, gurë bëhet kalaja”. Mua më ka rënë fati që të punoj në spital. Kam patur rastin të punoj edhe me shumë persona që janë fëmijë emigrantësh nga vende të ndryshme. Shumë nga këta e kanë shprehur vetë; Do uroja që ta kisha mësuar gjuhën që flisnin prindërit e mi, është shumë vonë tani. Jam bërë pishman. Unë po uroj që e njëjta gjë mos na ndodhi në mes shqiptarëve.

Dritan Matraku
Anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës
“Bijtë e Shqipes”

Filadelfia, Dhjetor 2013