PETRO MARKO – IDEALISTI DHE SHKRIMTARI I MADH

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes

Në Shoqatën Atdhetare-Kulturore Shqiptare- Amerikane është bërë traditë që çdo fund viti të përkujtohen figurat e mëdha të letrsisë dhë artit tonë. Kështu edhe këtë vit, vëmendja u përqëndrua tek 100 vjetori i lindjes së luftëtarit idealist dhe shkrimtarit të shquar Petro Marko. Përgatitjet kishin filluar me kohë. Ishte porositur riprodhimi i zmadhuar i portretit të tij, punë e bashkëshortes së tij piktore Safo Marko, ishte përgatitur edhe një dokumentar nga jeta dhe vepra e këtij shkrimtari të madh nga nënkryetari i shoqatës Bujar Gjoka, etj. Koleksionit të Shoqatës iu shtuan ndërkaq edhe dy portrete të tjera të njërzve të shquar të penës, ai i Migjenit dhe Dritëro Agollit, dhuruar nga Androkli Kokthi nga Tirana. Pak para fillimit të veprimtarisë nga Virxhinia mbërrin miku ynë i palodhur, shkrimtari dhe veprimtari i shquar atdhetar, Petraq Pali.

Takimin e hapi kryetari i Shoqatës, zoti Sadik Elshani, i cili ndër të tjera tha se këtë herë takohemi për të nderuar njërin nga shkrimtarët dhe intelektualët më të rëndësishëm të letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare. Nderojmë njeriun dinjitoz dhe shkrimtarin e talentuar Petro Marko. Ai është një rast i rrallë, ndoshta dhe i vetëm tonë, ku njeriu dhe shkrimtari janë shkrirë, janë bërë një. Jeta u bë vepra e tij dhe vepra u bë jeta e tij. Emrit të tij si shkrimtar dhe intelektual i shkojnë shumë epitete: i madh, i talentuar, modern etj., por epiteti më domethënës që mishëron veprën e tij dhe atë si njeri është: i dashur. Lexuesi që shijon veprën e tij e adhuron atë dhe shkrimtarin, sepse në çdo faqe, në çdo rresht dhe në çdo fjalë është shpirti i tij i pastër, i gjërë dhe i ciltër, është dashuria për jetën, dashuria për njeriun.

Midis të tjerash zoti Elshani nderoi edhe kujtimin e dy figurave të shquara të kulturës tonë që kanë 100 vjetorin e lindjes, atë të prozatorit, kritikut, leksikografit – Vedat Kokona dhe shkrimtarit, filozofit dhe profesorit të nderuar të bashkësisë shqiptare-amerikane, Isuf Luzaj.

Duke mbyllur fjalën e tij zoti Sadik Elshani përshëndeti edhe dy antarët e shoqatës që këtë vit dolën me botimet e tyre, zotin Hatem Dervishaj me vëllimin me tregime “Eremiti” dhe zotin Hysë Hasa me librin “Mes shokëve në shërbim të Atdheut”.
Pas fjalës përshëndetse e mori fjalën zoti Llazar Vero, që foli më gjërësisht për jetën dhe veprën e Petro Markos. “Është e vështirë të përmbledhësh në disa pak faqe jetën dhe veprën e tij. Ai jetoi, krijoi e luftoi sa për 100 njerëz dhe vuajti akoma më shumë. Të gjitha për një qëllim të vetëm, për mbrothësinë e Shqipërisë, për ta parë atë një vend të lirë, të zhvilluar dhe të mbushur me dashuri njerëzore. Për të gjitha këto ai i afrohet përmasave të një figure madhore kombëtare, që duhet nderuar dhe respektuar brez pas brezi. ” – tha ai në fillim të fjalës ë tij. Por më bukur e ka përcaktuar vetë Petro Marko jetën e tij : “Ditën që linda unë, / planeti ishte në furtunë! / Ditën që rrojta unë, /planeti ishte në furtunë! / Ditën që vdiqa unë, / planetin e lashë në furtunë!”.

Ai lindi në Nëntor të vitit 1913 në Dhërmi të Himarës, në “fshatin më të bukur në botë”. Vitet e para të shkollimit i kreu po atje. Pastaj e shohim në Shkollën Tregtare të Vlorës, që ishtë për kohën dhe vendin tonë si një universitet. Aty u edukuan me frymën atdhetare të atyre viteve ekonomistë, gazetarë, luftëtarë dhe udheheqës te shtetit të ardhshëm. Gjatë viteve në Shkollën Tregtare Petro shkroi poezitë dhe artikujt e parë në shtypin e kohës.. Në to spikat revolta ndaj padrejtësive dhe atdhedashuria. Ky ishte pagëzimi i parë i tij në këto fusha, të cilave u qëndroi besnik gjithë jetën me një vetmohim idealisti, luftëtari, krijuesi dhe intelektuali të përkushtuar. Gjithë jetën do të kujtonte me respekt të veçantë gazetarin e shquar të atyre viteve Branko Merxhanin, me të cilin bashkëpunoi në revistën e tij “Përpjekja Shqiptare”, një nga revistat më përparimtare të kohës.. Më vonë ai do të shkruante edhe për organe të tjera të shtypit të kohës si “Ora” dhe “ABC”. Për shkrimet e tij kritike për regjimin e kohës së Zogut, ai u burgos disa herë. Kështu nis për Petro Markon kalvari i burgimeve dhe internimeve që kanë një shtrirje të gjerë në kohë, në vende dhe në sisteme të ndryshme politike.

Ishte ndër të paktët shqiptarë që e konkretizoi luftën kundër fashizmit dhe padrejtësisë që me Luftën e Spanjës në vitin 1936, si pjesëmarrës në brigatat ndërkombëtare të luftëtarëve të lirisë. Në Spanjë ai ishte gazetar, luftëtar dhe komisar kompanie. Kjo luftë vazhdoi për disa vite me radhë në Francë dhe në Itali kundër nazizmit gjerman si luftëtar, organizator dhe udhëheqës në ndihmë të shokëve të tij të luftës dhe idealit dhe të çdo bashkatdhetari dhe bashkëluftëtari të lirisë. Janë tetë vite lufte dhe vuajtje si rrallëkush luftëtar i lirisë në Luftën e Dytë Botërore. Ai ishte një luftëtar europian i lirisë, demokracisë dhe përparimit. Ditën që Shqipëria do të futet zyrtarisht me Europën e Bashkuar ai do të jetë aty në radhë të parë.
Petro Marko kthehet në Shqipëri disa muaj para Clirimit të vendit nga nazizmi gjerman. Eshtë i mbushur plotë ëndërra. Pas çlirimit e caktojnë kryeredaktor të gazetës së vetme të përditshme të vendit, gazetës “Bashkimi”, që i kishte rrënjët që më 1908 dhe që u rishfaq përsëri në mars të vitit 1943 si organ i Frontit Nacionalclirimtar të Shqipërisë. E filloi punën me zellin dhe pasionin e gazetarit, artistit dhe idealistit të papërkulur. Pasqyronte hapat e para të një shoqërie të re që po ngrihej me mundim. Drejtonte, redaktonte, shkruante vetë përditë për hallet e popullit. Gazeta “Bashkimi” e atyre viteve është një thesar i gazetarisë dhe historisë shqiptare të atyre viteve. Aty gjenë jetën e vendit të pasqyruar me vërtetësi, profesionalizëm dhe kulturë, gjenë hallet dhe gëzimet, proçeset e plota nga gjyqet ndaj kolaboracionistëve të pushtuesve dhe fjalimet e udhëheqësve të Shqipërisë së re. Dhe kur ambasadori jugosllav në Tiranë i sugjeron Petro Markos që ta bëjnë gazetën “Bashkimi” si gazetën ‘Borba” të Beogradit, shpirti i bregasit shpërthen dhe i thote se përse mos ta bëjmë “Borbën” si “Bashkimi”, pasi ky është më i vjetër se “Borba”?. Ambasadori u thartua nga kjo përgjigje dhe u ankua tek udhëheqësit e vendit për këtë. Ishte koha kur rruga për në Moskë kalonte nga Beogradi. Pastaj ai shoqëroi disa gazetarë perëndimor, disa përfaqësues të UNRA-s dhe u akuzua si bashkëpunëtor i tyre kundër interesave të Shqipërisë, gjë që nuk u vërtetua edhe pas tre vjet burg, hetime dhe tortura. Dhe të mendosh se sa oferta kishte patur ai njeri nga shokët e luftës në Itali, që u bënë edhe udheheqës të saj, apo nga kushërijnjtë ne Greqi. Me asgje nuk mund ta këmbente Shqipërinë megjithe vuajtjet dhe mundimet e mëdha që i dha ajo. Ai qëndroi deri në fund dhe i shërbeu dhe i shërben Atdheut dhe popullit të vet përtej jetës së tij, të djalit që ja burgosën, të gruas dhe të vajzës, të dyja piktore. Ai nuk thyhet. Pak vite pas daljes nga burgu i Tiranës, ulet dhe shkruan romanin “Hasta la vista”, kushtuar bashkëluftëtarëve, shokëve dhe miqëve të tij bashkatdhetarë, vullnetarë të lirisë në Luftën e Spanjës. Jo pa vështirësi, por botimi i tij ishte një ngjarje në letërsinë shqipe, për pritjen e ngrohtë që iu bë nga lexuesit dhe sidomos nga të rinjtë dhe për vetë faktin që ishte romani i parë i mirëfilltë i kësaj letërsie të re pas dështimit të romanit “Çlirimtarët” të Dhimitër Shuteriqit. Pas këtij ai boton romanin “Qyteti i fundit”, që është padyshim romani i tij më i mirë. Ky ishte një sukses edhe për gjithë letërsinë shqipe. Është i pari roman modern i kësaj letërsie. Shquhet për një stil të ri të shkruari, për nje temë origjinale, për një gjuhë të përpunuar artistike dhe kompozicion origjinal. Ky roman doli disa vite para romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë, por nuk pati atë jehonë dhe mbështetje që pati ky i fundit.

Pa dashur të përmend një për një të gjitha romanet e shkruara nga Petro Marko, që të gjithë me një ” biografi” të vetën krijuese dhe botuese, do të përmend vetëm romanin “Një emër në katër rrugë”, që nuk e pa dritën e botimit kur u shkrua, më 1972, pasi u kthye në karton pas shtypjes, por vetëm në vitin 2001, pra pas 29 vitesh. Shumë vepra të tjera të këtij autori presin në dorëshkrime. Petro Marko botoi edhe disa romane të tjerë si “Stina e armëve”, “Ara në mal” , “Nata e Ustikës”, por kryeromani i tij ose romani ” sa për 100 romane” mbetet “Retë dhe gurët”, (Intervistë me vetveten), një autobiografi e letrarizuar e tij. Ka jetë, ka vërtetësi, ka dhimbje dhe dashuri në faqet e tij. Aty është Shqipëria e shekullit të kaluar. Ashtu sic ishte. Eshtë një rrëfim i veçantë dhe i sinqertë para historisë. Ky libër pasuron bibliotekën shqiptare dhe bibliotekën e çdo shtëpie, pasuron çdo njeri që e lexon, e bën më të mirë dhe më të mënçur.

Petro Markon e deshën në të gjitha trojet shqiptare, njerëz të thjeshtë dhe krijues e studies, por vetëm në Kosovë u botua vepra e plotë e tij prej nëntë vëllimesh. Kjo u bë e mundur nën kujdesin e kritikut dhe studiuesit Ali Aliu dhe u shoqërua me një parathënie – studim të akademikut Rexhep Qosja. Krijuesit kosovarë e deshën dhe e respektonin shumë Petron për atë ç’ka ai kishte bërë si njeri dhe krijues, e deshën sinqerisht si gazetar të talentuar, si poet, si romancier si lufëtar dhe ideakist të paepur. Në vitet ’70 te shekullit të kaluar në shtëpinë e tij në Tiranë, vinin shumë krijues nga Kosova si Esad Mekuli, Hasan Mekuli, Ali Aliu, Rexhep Qosja dhe të tjerë. Lidhjet e tij me burrat e Kosovës zinin fill që në vitet ‘30 kur u njoh me Asim Vokshin në Gjirokastër. Nëpërmjet tij u njoh me Bedri Pejanin dhe Ali Kelmendin. Pastaj ishte Lufta e Spanjës që e lidhi me shumë bijë të Kosovës si me Emrush Myftarin, Xhemal Kadën, Justina Shkupin, Shaban Bashën e të tjerë. Kjo lidhje, kjo dashuri dhe respekt vazhdon edhe sot.

Në Tiranë e kudo në Shqipëri ai kishte shokë e miq po unë do të veçoja dy poetët e shquar Fatos Arapin dhe Xhevahir Spahiun që e donin dhe respektonin atë në mënyrë të vecantë. Kishin të tre diçka të përbashkët: talentin, por edhe guximin, sinqeritetin dhe dashurinë për popullin. Kishin të tre diçka të përbashkët- kishin Vlorën, Detin Jon.

Në fund të fjalës së tij, zoti Llazar Vero përsëri pyeti auditorin: Kush ishte pra Petro Marko? Dhe përgjigjen e gjeti tek fjalët e tij: ” Kam shkruar dhe përsëri, sa të kem frymë do të shkruaj, po me atë entusiazëm të Petros idealist të viteve të rinisë dhe të luftës dhe qëndrimi im do të jetë gjithmonë kundër çdo lloj padrejtësie, kundër shkeljes së çdo të drejte njerëzore, kundër çdo pushteti diktatorial që të pengon frymëmarrjen, që vret ëndërrat e fëmijëve dhe idealin e idealistëve, që u vë kufij me tela me gjëmba horizonteve të lira” -Ky është Petro Marko.

Më tej në këtë takim, sekretari i shoqatës zoti Vlashi Fili, lexoi motivacionin e Çmimit “Carlo Levi” që iu dha para pak kohësh Dritëro Agollit dhe letrën që shkrimtari ynë i madh i dërgon jurisë së edicionit të XVI të çmimit kombëtar për letërsinë në Itali. Ndersa zoti Sadik Elshani lexoi një përshendetjen që kishte ardhur nga Tirana nga miku i kësaj shoqate, profesor Murat Gecaj. Profesor Murat Gecaj duke përgëzuar shoqatën për këtë veprimtari kuptimplote, shpreh respektin dhe falenderimin për nderin që i bëhet në këtë tubim emrit, jetës dhe veprës të shkrimtarit dhe intelektualit të paharruar Petro Marko.

Veprimtaria vazhdoi pastaj me dokumentarin kushtuar kujtimit të Petro Markos përgatitur nga Bujar Gjoka me materiale të regjistruara nga burime të ndryshme.

Dhe si perherë koktejli tradicional i shoqatës, që këtë herë pati më shumë peshën e djemëve të Librazhdit, djemëve të mirë dhe punëtorë të palodhur që i shikon në çdo veprimtari bashkë si shokë e miq të mirë.

LAVER NIKU
Filadelfia, Tetor 2013