NJE VEPRIM HUMAN

 Para pak muajsh në drejtim të shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia erdhi një kërkesë për ndihmë nga drejtuesit e shtëpisë së fëmijëve në Tiranë, inkuadruar në Institutin e Integrimit të Fëmijëve Shqiptar, që strehonte fëmijët jetim dhe ata të braktisur nga prindërit. Ata na drejtoheshin për ndihmë, për veshmbathje fëmijësh, le të ishin ato të përdorura por të rregullta e të pastra.

Këshilli Drejtues i Shoqatës iu përgjigj menjëher kësaj kërkese për ndihmë. U vunë lajmërime në faqen elektronike të shoqatës si dhe në facebook, duke iu drejtuar familjeve që mund të kishin veshmbathje për fëmijët, por që nuk i përdornin më. Familjet shqiptare që e morën këtë njoftim, na përkrahën në këtë inisiativë dhe filluan t’i sillnin ato në Qendrën Kulturore të Shoqats, ku sipas njoftimeve bëhesh grumbullimi i tyre.

Kështu familjet me amvisat znj. Raimonda Bardhi, Brunilda Matraku, Kozara Doko, Sehadete Shurdhiqi, Linda Musumeci, Ina Teme, dhanë ndihmesën e tyre duke treguar humanizmin e tyre për fëmijët e kësaj shtëpie fëmijësh që kërkonte ndihmë. Jo vetëm familjet që kishin fëmijë të vegjël, por edhe ata që nuk kishin të tillë fëmijë apo nuk kishin fëmijë, kontribuan në rrugë tjetër, dhuruan para që me to të bliheshin rroba, siç ishte rasti i znj. Narilyn Vignola dhe z. Shkëlqim Hoxha

Për të transportuar ato për në Shqipëri dha ndihmesën e tij z. Florian Bezhani i cili bisedoi me mikun e tij në New Jersey, z. Artur Merkaj që bën transport mallrash nga Amerika në Shqipëri. Ky zotëri u tregua i gatshëm që të na ndihmonte duke i trasportuar ato falas.

Kështu ditë mbas dite dhe javë mbas jave rrobat u grumbulluara, u sistemuan nëpër kutija dhe mbas vendosjes mbi to të adresës ku duhet të mbërrinin, u bënë gati.

Më 1 Shtator 2013 z. Llazar Vero dhe z. Ivzi Cipuri ngarkuan në makinë tre kutia të mëdha të mbushura me rroba, me peshë 83 kg. (rreth 170 paund) dhe u nisën në drejtimin që u dha z. Artur Mbas dy orë udhëtimi ata mbërritën në destinacion, takuan z. Artur dhe i dorëzuan atij ngarkesën duke e falenderuar për ndihmën e tij në transportin e mallit. Ndërkohë u njoftua edhe shtëpia e fëmijës ku do të mbërrinte kërkesa e tyre.

Ishte kjo një punë e bukur, një ndihmë sado simbolike, një veprim human i shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Ndihemi krenarë për çka bëmë dhe do të gëzohemi edhe më tepër kur të marrim njoftimin se dërgesa jonë humane mbërriti në vend.

Filadelfia, Shtator 2013