KENDOJNE DHE FESTOJNE FEMIJET NE FILADELFIA

Kanë krijuar një traditë të bukur fëmijët e shkollës shqipe “Gjuha jonë” në Filadelfia. Ata dalin para prindërve me këngë dhe recitime, dy herë në vit, në prag të festave të fundvitit, Krishtlindjes dhe vitit të ri si dhe në përfundim të vitit mësimor. Ata i kanë këto shfaqe edhe në formën e “testimit” ku tregojnë se sa kanë mësuar në shkollën shqipe. Vlerësimi i këtyre “testimeve” janë duartrokitjet që ata marrin prej prindërve të kënaqur.

Grupe fëmijësh largohen nga kjo shkollë mbasi përfundojnë ciklin pesë vjeçar të kësaj shkolle, por fëmijë të tjerë fillojnë vitin e parë, duke ruajtur vazhdimësinë. Janë mësueset ato që ruajnë traditën duke u mësuar këngë e recitime me të cilat, gjithë grupi i fëmijëve del në shfaqen para prindërve. Kështu ndodhi edhe këtë fundviti.

Ditën e Dielë, më 18 Dhjetor 2011 ata dhanë shfaqen e tyre në prag të festive të fundvitit si dhe në mbyllje të periudhës së parë të vitit shkollor, që përkon pikërisht me këto festa.

Në orën 10:00 të paradites fëmijët u mblodhën, si zakonisht, në ditët e diela kur zhvillojnë mësimin sipas klasave. Mbas një ore mësimi ata u grumbulluan së bashku. Ndërkohë edhe prindërit, të paisur kush me aparat fotografik e kush me kamer filmike, filluan të grumbulloheshin për të parë shfaqen e fëmijëve. Të gjithë prindërit dëshirojnë ta fiksojnë këtë shfaqe, ku midis grupit të fëmijëve ndodhet edhe fëmija i tyre.

Prezantuesja e programit këtë vit ishte Silvia Minga, një nxënëse e dalluar e vitit të pestë, kurse Gojart Dobi, prind i një fëmije në këtë shkollë i shoqëroi, me fizarmonikë, fëmijët në këngët e tyre

Programi filloi me Hymnin e Flamurit që fëmijët e kënduan në grup, por të shoqëruar edhe nga prindërit të ngritur në këmbë.

Pastaj prezantuesja prezantoi me radhë recituesit, sipas klasave.
Në krye të grupit dolën vogëlushët e vitit të parë. Ata recituan vjershat për abetaren, gjuhën tonë, shkronjat dhe manushaqen. Duartrokitjet e prindërve treguan se ata u pëlqyen.
Programi i fëmijëve ishte ndërthurur me recitime sipas klasave dhe me këngë në grup.

Mbas recitimeve të vogëlushëve të gjithë kënduan këngën për Atdheun.
Pastaj para grupit dolën fëmijët e vitit të dytë që recituan: “Sa të dua Shqipëri”, “Viti i ri”, “Ku kemi lerë”, e “Vendi im”. Në mbyllje të recitimeve pjesëtarët e këtij grupi treguan disa gjë a gjëza, përgjigjet e të cilave i jepnin një zëri, të gjithë.

Në vazhdim fëmijët kënduan këngën e vitit të ri. Fëmijët e vitit të tretë, që patën radhën recituan vjershat: “Atdheut”, “Gjuha jonë”, “Gjuha shqipe” si dhe pjesë nga poema e njohur “Bagëti e bujqësi” të poetit tonë të shquar Naim Frashëri. Edhe ky grup e përfundoi pjesën e vet të programit me disa gjë a gjëza të tjera, përgjigjen e të cilave e jepnin në kor.

Gjithë grupi i fëmijëve vazhdoi më pas me këngën për Flamurin: “ Ty flamur të duam shumë / Ti për ne je nënë e babë / Për ty gjakun derdhim lumë / O flamur i kuq me zhgabë / …….”

Grupi i nxënësve të klasave të katërtë e të pestë recituan vjershat: “Për gjuhën shqipe”, “Lulja ime”, “Pranverës”, “Fjala është e vogël shumë” dhe “Vendi im i vogël”.

Një mbyllje të bukur të gjitha recitimeve e bëri vogëlushja 4 vjeçare Sonja Dobi, që përgatitet për të filluar shkollën shqipe në vitet që do të vijnë. Ajo e hipur në një karrike me zërin e saj të hollë por me pasion recitoi “Prindërit më çuan në dyqan”, që u pëlqye shumë nga të pranishmit. Ata i dhuruan asaj duartrokitje të forta.

Programi i fëmijëve u mbyll me këngën për nënën: “S’ka në botë më të mirë / Se sa ti moj nëna ime / ……..”. Refereni i kësaj kënge: “Ti je det e det i gjerë / Plot me ndjenja, ëndërime / Dashurinë për Atdheun / Ma rrënjose nëna ime ……..”, bëri që të buçiste salla, jo vetëm nga zërat e fortë të fëmijëve por edhe nga zërat e prindërve që shoqëruan fëmijët.

Në përfundim të çdo recitimi apo kënge prindërit duartrokisnin, duartrokitje këto jo vetëm për rezultatet e mira të fëmijëve por edhe për punën e madhe të mësueseve Rajmonda Bardhi, Jerina Zenelaj, Kozara Doko dhe Majlinda Tahiraj, të cilat punojnë me pasion që fëmijët të mësojnë gjuhën e prindërve të tyre.

Një foto e përbashkët e fëmijëve, mësueseve dhe prindërve mbylli këtë shfaqe të bukur.

Si zakonisht, në përfundim të veprimtarisë, këshilli drejtues i shoqatës shërbeu edhe ushqimet mjaft të bolshme, të përgatitura nga bisnesmeni Artan Bilali në restorantin e vet. Kurse z. Sadik Elshani, Kryetar i Shoqatës “Bijtë e shqipes” kishte blerë lëngje për fëmijët.

Ushqimet e bollshme që solli biznestmeni Artan Bilali dhe pijet nga Sadik Elshani kënaqën fëmijët në përfundim të veprimtarisë

Para se të përfundonte gjithçka z. Sadik Elshani, në emër të këshillit drejtues të shoqatës, uroi fëmijët, mësueset dhe prindërit për festat e fundvitit dhe komunikoi rifillimin e mësimeve ditën e Dielë më 8 Janar 2012.

Edhe ne i urojmë atyre: Gëzuar festat e fundvitit. Pushime të mbara.

Filadelfia, 18 Dhjetor 2011