SHFAQET PER FEMIJET FILMI “NENTORI I DYTE”

Shkolla shqipe “Gjuha jonë” në Filadelfia vazhdon me sukses ecurinë e saj. Sigurisht, qëllimi kryesor i kësaj shkolle është t’u mësoj fëmijëve të familjeve shqiptare gjuhën e bukur shqipe, që edhe këtu në emigracion mos të humbasë gjuha jonë e lashtë. Por përveç kësaj detyre të shënjtë drejtuesit e Shoqatës “Bijtë e shqipes” që janë edhe organizatorët e kësaj shkolle, si dhe mësueset, i kanë vënë vetes edhe detyra të tjera dytësore, të tilla si: njohjen e fëmijëve me njeri – tjetrin, dashurinë e tyre për shokët dhe shoqet e shkollës si dhe shtimin e interesit të fëmijëve në mënyrë që ata të vijnë me shumë dëshirë në ditët e mësimit në këtë shkollë. Për këtë qëllim kryesia e shoqatës organizon, herë pas here, në ditët e mësimit, edhe veprimtari të tjera shtesë. Të tilla janë festimi i datëlindjeve të fëmijëve, ku fëmijët gjallërojnë ambjentin e qendrës kulturore me bisedat e tyre me zë të lartë, shfaqen e filmave shqiptarë për fëmijë, përgatitjen e programit të shfaqeve të fëmijëve për festat e fundvitit apo mbylljes së vitit shkollor.

Muaji nëntor është muaji i festës së madhe të popullit dhe kombit tonë, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë muaj, fëmijëve u flitet më tepër për këtë festë të madhe. Jo pak nga fëmijët e kësaj shkolle marrin pjesë, së bashku me prindërit e tyre, në organizimin e Festës së Flamurit, siç e quajmë ditën e shpalljes së Pavarësisë. Kështu ndodhi edhe këtë vit, kur kryesia e shoqatës organizoi, më 26 Nëntor, festimin e Ditës së Flamurit. Në këtë festim një grup fëmijësh morrën pjesë, së bashku me aktorët Shaban Lajçi dhe Tom Gjergji, në inskenimin që i bënë këta aktorë, në rolet e Ismail Qemalit dhe Isa Buletinit, momentit të dorëzimit të flamurit që u ngrit në Vlorë më 28 Nëntor 1912.

Në të njëjtën kohë u mendua që të shfaqet për fëmijët, filmi “Nëntori i dytë”. Për këtë z. Petrit Zanaj përgatiti DVD e këtij filmi kurse mësueset e shkollës zonjat Rajmonda Bardhi, Jerina Zenelaj, Kozara Doko dhe Majlinda Tahiraj njoftuan fëmijët. Ndërkohë z. Sadik Elshani, kryetar i shoqatës dhe Z. Llazar Vero, anëtar i këshillit drejtues, njoftuan prindërit e fëmijëve se më 11 dhjetor, datë e caktuar për shfaqen e filmit, nuk do t’i merrnin fëmijët në ora 12:00 kur përfundon zakonisht mësimi, por më vonë, mbas përfundimit të filmit.

Në datën e mësipërme, mbasi fëmijët zhvilluan si gjithmonë orën e parë të mësimit, nëpër klasat përkatëse, në ora 11:00 u grumbulluan në sallën e veprimtarive të Qendrës Kulturore për të ndjekur filmin. Ishte një nga momentet e rralla që kjo sallë u mbulua nga errësira, sepse në ekranin e televizorit filloi të shfaqej filmi.

Gjatë gjithë kohës, kur shfaqej filmi, vëmendja e fëmijëve ishte drejtuar në një pikë, në ekranin e televizorit. Ata e ndoqën me kureshtje shfaqen e këtij filmi sepse shikonin të ekranizuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, atë ngjarje të madhe të kombit tonë, për të cilën atyre u ishte foluar shpesh gjatë orëve të mësimit.
Mbas shfaqes së filmit, me ardhjen e prindërve, fëmijët u larguan të kënaqur nga një ditë e bukur mësimi e kombinuar me shfaqen e filmit “Nëntori i dytë”, në shkollën e tyre “Gjuha jonë”.

Filadelfia, 11 Dhjetor 2011