MIGJENI DHE DRITEROI

100 vjet më parë lindi
MIGJENI I MADH

“Në vendin tonë/ kudo valojnë/flamujt e nji melankolije/ të trishtueshme/dhe askush s’mund të thotë/ se këtu rron/ nji popull që ndërton /dicka të re.” (Nën flamujt e melankolisë)

80 vjet më pare lindi
DRITERO AGOLLI – Mjeshtri i madh i vargut

Të dy këta mjeshtra të mëdhenj kanë të përbashktën se kanë lindur në të njëjtin muaj dhe në të njëjtin datë, pavarësisht nga viti.
Për të nderuar këta dy emra tanë të mëdhenj në datën e lindjes së tyre, Këshilli Drejtues i Shoqatës “Bijtë e shqipes”, organizoi më datën 22 Tetor 2011, në Qendrën Kulturore të Shoqatës, mbrëmjen letrare me titull: “Një datë – Dy poetë viganë”. Merrnin pjesë dashamirës të letërsisë dhe të figurave madhore të Migjenit dhe Driteroit.

Pamje të pjesshme të pjesëmarrësve në sallë

Veprimtarinë e hapi z. Sadik Elshani, Kryetar i Shoqatës “Bijtë e shqipes”. Mbasi falenderoi pjesëmarrësit, në fjalën e tij hapse, me titull: “Një datë-Dy poetë viganë: Migjeni dhe Driteroi”, midis të tjerave tha: …….. “Eshtë një rastësi e rrallë, ndoshta edhe nuk është rastësi, që dy poetë të mëdhenjë të letërsisë sonë të kenë lindur në një datë, por kohë të ndryshme, dhe që të dy të jenë nga më të mëdhenjtë poetë të brezit të tyre. Secili në mënyrën e vet origjinale e pasuroi dhe i hapi shtigje të reja letërsisë shqipe……..”
Pastaj z. Sadik ia dha fjalën z. Besnik Xhafa që foli gjerësisht për Migjenin.

Migjeni është një poet elitar dhe ndër më popullorët që kemi – tha zoti Besnik Xhafa në bisedën e tij. Pavarësisht se në këtë ditëlindje të madhe për letërsinë shqiptare u vu re një nënvlefësim jo i paqëllimshëm ndaj kësaj figure të spikatur të letërsisë tonë, diku me frymëzim klerikal, diku me frymëzin antikombëtar. Askush dhe asnjëherë nuk mund t’ia heq Migjenit kurorën e mbretit të poezisë. Meskinët politikë dhe ata që pretendojnë se bëjnë natën dhe ditën në fatet e letërsisë, e zhgraduan emrin e tij nga çmimet kombëtare të letërsisë në një çmim të dorës së dytë që u jepet letrarëve të rinjë, “harruan” të mbyllur muzeun e tij modest në Shkodër, “harruan” pllakën e hequr nga shtëpia e lindjes dhe dëmtimin e varrit të tij. Duket sikur ’97-ta, kur në Shkodrën shumë shekullore të kulturës u dogj një thesar kombëtar sic ishte biblioteka e këtij qyteti, vashdon akoma aksioni, por tani në një formë guerrile, si një krimb që gërryen papushim pjesën më të shëndoshë të trungut shqiptar. Por inteligjenca e vërtetë shqiptare, nuk e pranon këtë dhunim dhe në forma nga më të ndryshmet, nëpër shoqata kulturore, gazeta elektronike apo të shtypura, në vebsajte të ndryshme etj., e nderoi dhe e respektoi Migjenin ashtu siç e meriton, ashtu siç duhet. Kjo është një sfidë e denjë, migjeniane, ndaj keqdashjes, nëpërkëmbjes, shpërfilljes së injorancës.

Migjeni mbetet i madh dhe i pakrahasueshëm si poet. Bashkohemi plotësisht me mendimin e studiuesit Ardian Ndresa që thotë se “…… nuk kemi pas gjatë këtyne 70 viteve edhe një shkrimtar të vetëm që të ketë qënë revolucionar si Migjeni, e kur them “revolucionar”nuk kam parasysh as Revolucionin e Tetorit dhe as atë fashist të vitit 1922. Revolucionar domethanë i gatshëm me sakrifikue vetveten për një ide, i gatshëm me jetue idenë për të cilën jepet edhe jeta…..”
“…..Sot, atë që mund ta bante Migjeni me artin e tij në vitet ’30, vazhdon i njëjti autor, nuk mund ta bajë as edhe një grusht shtetit. Kjo asht arsyeja që Migjenin e kanë frikë të gjithë, pse një rruzë e kuqe e tija asht ma e fuqishme se tonelata bojë të zezë që derdhet cdo ditë mbi letër…..”.

Këto vite në shtypin shqiptar janë bërë edhe shpifjet më të ulëta për Migjenin, vazhdoi bisedën zoti Besnik Xhafa. Është shkruar se nuk ishte shqiptar dhe se familja e tij kishte origjinë sllave, duke injoruar kështu faktet e paraqitura në biografinë e Skënder Luarasit të martuar me të motrën e poetit, që dëshmojnë gjakun shqiptar të poetit nga familja dibrane e Nikollave dhe ajo shkodrane e Kokoshëve. Emrat me tingëllim sllav, shpjegon Angjelina, duke përfshirë edhe atë të pagëzimit të Migjenit dhe të motrave të tij, nuk dëshmojnë më shumë se përktësinë në komunitetin ortodoks të Shkodrës, të ndikuar në atë kohë nga kisha fqinje malazeze. Origjina e tij është krejtësisht e pastër shqiptare.

Por nuk është hera e parë që mundohen ta përbaltin Migjenin. Që më 1944 Arshi Pipa shkruan se ai është sllav, pastaj Dh. Shuteriqi, Robert Elsie e të tjerë. Kështu ka ndodhur dhe ndodh me më të mëdhenjtë e kombit tonë : me Gjergj Kastriot Skënderbeun, Naim Frashërin, Nënë Terezën etj. Po. Po. Edhe Nënë Terezën e ditëve tona, që megjithëse vetë me gojën e saj deklaroi botërisht kur mori Çmimin “Nobël” për Paqen se është me gjak shqiptar, nuk munguan pseudo studiuesit shqiptar dhe të huaj të “kërkojnë” rrënjët e saj jo shqiptare. Kapen pas majave të kombit tonë për t’i përvetësuar dhe n.q.s. jo për t’i ulur apo për tu kacavirur a zvarritur në këto maja, qoftë edhe si krimba, veç të merren me majat.

Zoti Besnik Xhafa, një hulumtues i pasionuar i kulturës shqiptare, me bisedën e tij rreth figurës së Migjenit, fryt i një pune të gjerë në shtypin e kohë dhe në botimet e mëparshme, në vashdim të bisedës citoi se “përvec se një poet gjenial i letërsisë shqipe, Millosh Gjergj Nikolla është edhe një hero i shqiptarsisë. Pjesë e një grupi që i është dorëzuar pak a shumë fuqisë së egër të akulturimit, ai jo vetëm e njeh këtë gjëndje, jo vetëm nuk e pranon atë, jo vetëm shpërfill mirësitë që mund të vinin nga një qëndrim i kundërt e që nuk munguan, jo vetëm është i vetëdijshëm për pasojat e rënda të zgjedhjes së vet, jo vetëm që merr parasysh armiqësinë agresive “të të vetëve” – sllavë, mërinë mospranuese “të të vetëve”- filosllavë e moskuptimin shpërfillës të të vetëve – shqiptar, por i kundërvihen ballas autoritetit asimilues, ndeshet po ballas me “të vetët” e prodhon për hir të vetvetes e të të vetëve dëshmi shpirtërore lapidare të përkatësisë etno – kulturore të origjinës, një vepër poetike të nivelit epror.”
Biseda e zotit Besnik Xhafa për të nderuar Migjenin tonë të madh, ishte shumë planëshe dhe tërhoqi vëmëndjen e pjesëmarrësve dhe në fund falenderimet e tyre për punën e bërë, për të sjellë midis tyre Migjenin e vërtetë.

Në vazhdim iu dha fjala z. Llazar Vero, anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës “Bijtë e shqipes” për të folur për Migjenin.
Z. Llazar Vero në materialin e tij me titull: “Poet i dhimbjes dhe revoltes” bëri një sintezë të veprës së poetit tonë Migjenit. Në sintezën e tij, midis të tjerave ai theksonte:… “Ai është i veçantë se si asnjë trajtoi tema krejt të “panjohura” në letërsinë shqipe, si “Legjenda e misrit”, “Një nga ATO”, “Luli i Vocërr”, “Bukuria që vret” etj. Me to ai solli në letërsinë shqipe poezinë e protestës dhe prozën qytetare. Ishte i pari, dhe për mua i vetmi, që solli në gjithë krijimtarinë e tij shqetësimet e jetës së përditëshme, realitetin e rëndë të Shqipërisë së atyre viteve. Madhështia e tij si shkrimtar qëndron pikërisht këtu. Duke u zhgërryer në batrat e kohës nuk e humbet asnjëherë vizionin artistik. Kurajua e tij civile e bën atë një qytetar të nderuar dhe të shquar të vendit të tij, arti i tij i veçantë e vë atë në panteonin e njerëzve të mëdhenjë të Shqipërisë……”

Ai e mbylli referimin e tij me fjalët: “Duke menduar për këtë përvjetor gjatë këtyre ditëve të fundit, më ra ndërmend një fakt i dhimbshëm për vendin tonë të viteve kur jetuan këta krijues të mëdhenjë. Populli ishte 98 përqind analfabet, varfëria dhe injoranca ishte kaq shtypëse dhe fyese sa nuk rrëfehej, por në shpirtin e popullit kishte aq forcë dhe kaq zjarr sa të nxirrte krijes kaq të mëdhenjë sa mund të krenoheshin edhe popujtë e mëdhenjë të Evropës. Dhe një nga këta ishte Migjeni ynë, të cilit sot i përkujtojmë 100 vjetorin e lindjes…….”

Më pas fjalën e mori z. Sadik Elshani i cili referoi materialin për Dritero Agollin me titull: “Dritero Agolli – Shkrimtari që Dritëron”. Z. Sadik në materialin e tij beri një sintezë të veprës së Dritero Agollit. Midis të tjerave ai vinte në dukje: “…..Që në krijimet e tij të para në poezi ai u paraqit si një zë i fortë origjinal që solli një hov rinor, optimizëm e freski në letërsinë shqipe. Dritero Agolli krijoi një model të ri të vjershërimit si në problematikë, ashtu edhe në figuracion, dhe zhvilloi një teknikë mjeshtërore shprehëse të ndjenjave, vrojtimeve dhe shqetësimeve të tij. Lidhja e fortë me tokën, natyrën, me prejardhjen e tij fshatare e shpuri në formimin e kredos së tij poetike dhe kjo më së miri del ne pah në poemën “Devoll, Devoll”: “Po, Devoll / I tillë qënkam unë / Paskam marrë baltën tënde arave / Në një trastë leshi / Ndanë gune / Për t’ia sjellë / Lidhjes së Shkrimtarëv.” Apo në vargjet, “…s’jam poet, jam fshatar i jugut”…….”

Z. Sadik e përfundoi fjalën e tij me urimin: “Në këtë ditë të shënuar për Të, i urojmë poetit tonë të dashur e shumë të nderuar, shëndet, jetë të gjatë e të lumtur dhe krijimtari të begatshme. Në vazhdim e morën fjalën edhe pjesëmarrësit në këtë mbrëmje letrare, z. Ivzi Cipuri, z. Ylli Gaba dhe z. Harilla Duka,

të cilët shtuan diçka më tepër për veprën e poetëve tanë të mëdhenj.

Llazar Vero –  Tetor, 2011