SHKOLLA SHQIPE NE FILADELFIA RIFILLOI MESIMET

Të mësosh gjuhën e nënës në emigrim është sa patriotike aq edhe e vlefshme. Puna e palodhshme e shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe dëshira e prindërve shqiptarë në Filadelfia, që fëmijët e tyre të mësojnë shqip, bëri të mundur që shkolla jonë të hap dyert e saj për të nëntin vit radhazi.

Ditën e Dielë më 11 Shtator 2011 ambjentet e shoqatës ishin përgatitur për të gjitha klasat që do fillonin mësimin. Sapo shkoi ora 10 e mëngjesit, fëmijët filluan të mblidheshin dalngadalë bashkë me prindërit e tyre.Ndërkohë që prindërit bënin regjistrimin e fëmijëve, këta të fundit takoheshin me njeri tjetrin dhe me entusiazmin e tyre fëminor tregonin se si kishin kaluar pushimet e verës. Qysh në ditën e parë u regjistruan jo pak por 30 nxënës. Shokët e vjetër u takuan përsëri me njeri tjetrin dhe ata të rinjtë u njohën dhe krijuan miqësi të reja.
U organizua një ceremony e shkurtër ku fjalën e hapjes e mbajti zoti Sadik Elshani ku midis të tjerave tha se vetëm nëpërmjet trashëgimit të gjuhës shqipe tek brezat e rinj do mundemi të ruajmë traditat shqiptare. Ai shprehu kënaqsinë për pjesëmarrjen e kaq shumë nxënësve qysh në ditën e parë dhe iu uroi të gjithëve një vit të mbarë dhe me sukses. Iu uruam mirëseardhjen mësueseve tona te vjetra, Rajmonda Bardhi dhe Jerina Zenelaj, gjithashtu dhe dy mësueseve tona të reja Kozare Doku dhe Majlinda Tahiraj.

Mbas ceremonisë nxënësit u shpërndan sipas klasava, nga klasa e parë deri tek klasa e pestë dhe filluan mësimet. Kryesia e shoqatës që ka organizuar përvit ceremoninë e hapjes së shkollës u shpërndau falas fëmijëve, librat sipas klasave, nga një fletore dhe një laps.Në pushim, nxënësit u mblodhën përsëri bashkë në një kokteil, me ëmbëlsira dhe pije që kryesia e shoqatës kishte shtruar për ta me rastin e ditës së parë të shkollës.

Erblina Koka
N/kryetare e dytë e shoqatës “Bijtë e shqipes”

Filadelfia, 11 Shtator 2011