Brisilda Feston Ditëlindjen

Festimi i ditëlindjeve ndër fëmijët e shkollës shqipe “Gjuha jonë” në Filadelfia është bërë një praktikë e bukur dhe e mirëpritur nga fëmijët. Kaq e mirëpritur është bërë kjo praktike saqë fëmijët sapo futen në qendrën kulturore të shoqatës, ku zhvillon mësimet shkolla shqipe, shpesh pyesin: “Kemi festim për ditëlindje sot?”
Në këto festime fëmijët u gëzohen jo vetëm ushqimeve dhe pijeve që serviren, por edhe bisedave me zë të lartë me njëri – tjetrin, lodrave, daljet në fotografi, grumbullimit rreth fëmijës që ka ditëlindjen, ku këndojnë këngën dhe duartrokasin kur fëmija – ditëlindje shuan qirinjtë dhe së fundi urimet që i japin moshatarit të tyre.
Kështu ndodhi edhe të dielën, më 24 Tetor 2010. Kishte ditëlindjen Brisilda Kupa. Sapo erdhën në shkollë, prindërit e Brisildës na njoftuan se e bija kishte ditëlindjen dhe se dëshironin ta festonin midis fëmijëve të shkollës.

Kryesia e shoqatës bëri gati ushqimet dhe pijet të cilat u pasuruan me cupcake që solli e ëma e Brisildës. Në pushim të orëve të mësimit u bë festimi i ditëlindjes. Gëzonte Brisilda, gëzonin edhe fëmijët e tjerë. Mernin ushqimet dhe pijet (lëngje frutash) dhe uleshin në tavolina, hanin, pinin, bisedonin dhe gëzonin. Ishte blerë edhe një sharqi i madh që fëmijët e pëlqejnë shumë.

Në vazhdim fëmijët u mblodhën rreth Brisildës, kënduan: “Shumë urime për ty……” dhe duartrokitën duke bërtitur e fishkëllyer kur ajo shuajti qirinjtë në tortë.
Pastaj një seri fotografime të Brisildës me shoqet dhe shokët e shkollës por edhe me mësueset ku Brisilda nuk la pa bërë edhe një të tillë me mësuesen e klasës së vet.

Në fund iu dha një dhuratë e vogël, një libër, një stilolaps me emrin e shoqatës “Bijtë e shqipes” dhe një stemë me simbolin e Flamurit Shqiptar, në emër të këshillit drejtues të shoqatës.
Pastaj qetë, qetë, fëmijët u drejtuan klasave të mësimit.

Tetor 2010