KUR FEMIJET RRITEN BASHKE ME SHKOLLEN SHQIPE

Shkolla shqipe “Gjuha jonë në Filadelfia vazhdon ecurinë e saj normale. Në qershor ajo mbylli vitin e shtatë dhe filloi të tetin në shtator.nderkohë që vit pas viti ajo rritet, fiton edhe përvojë, konsolidohet më mirë. Së bashku me të rriten edhe fëmijët që ndjekin këtë shkollë. Sigurisht të gjithë fëmijët rriten por ata që ndjekin shkollën shqipe në Filadelfia rriten së bashku me të, pa u ndarë nga ajo, duke mësuar në të gjuhën e bukur shqipe. Nuk janë të paktë fëmijët që kanë ndjekur ciklin e plotë, 5-vjeçar të kësaj shkolle. Disa prej tyre sot janë në bangat e shkollës së mesme, si Kristi, Vitjoni, Brendu, Xhesika, Igli, Ardita, Suela, por ka edhe nga ata që janë nëpër auditorët e kolegjeve apo universiteteve si Ina, Ilirjana, Klosedo, Elesa, Dejvi, Albi, etj.

Arbëri ishte i vogël kur së bashku me prindërit sillte të motrën në këtë shkollë pak vite më parë. Vitin që shkoi ai filloi vitin e parë të kësaj shkolle, kur e motra është në vitin e fundit. Anxhela ishte vetëm tre vjeç e gjysëm kur shoqëroi të vëllanë shtatë vjet më parë, ditën e inagurimit të kësaj shkolle, kurse sot ajo është në vitin e fundit kur i vëllai është ulur në bangat e shkollës së mesme. Në shtator, kur filloi shkolla ajo më pyeti: “Kur të mbaroj vitin e pestë mund të vij në shkollë e të ndihmoj mësueset?” Një veprim të tillë po e bën këtë vit Kevin. Ai në qershor përfundoi ciklin e plotë 5-vjeçar të shkollës, por në shtator erdhi përsëri dhe afroi ndihmën e vet për shkollën. Këto veprime tregojnë se fëmijët gjatë pesë viteve e përvetësojnë mirë gjuhën shqipe, ndërkohë që janë dashuruar me këtë shkollë aq sa nuk ndahen prej saj edhe mbasi mbarojnë ciklin 5-vjeçar. (Këtu duhet pëtur parasysh se shkolla shqipe bëhet dy orë në javë, ditët e diela). Mbas kësaj u ngelet detyrë prindërve që ta ruajnë gjuhën shqipe tek fëmijët në familje.

Qysh kur u hap kjo shkollë, punë e nderuar e shoqatës “Bijtë e shqipes”, veç qëllimit kryesor, atë të mësimit të gjuhës shqipe, i vuri vetes edhe detyrën e njohjes dhe miqësisë midis fëmijëve, dashurisë për këtë shkollë dhe për gjuhën e prindërve. Këshilla e vazhdushme e anëtarëve të kryesisë së shoqatës për mësueset, ka qenë që të krijojnë marrëdhënie të tilla me fëmijët që ata të vijnë me dëshirë në këtë shkollë, sepse në këtë mënyrë ata do të mësojnë më mirë gjuhën shqipe. Dhe deri tani, në saje të punës lavdëruese të mësueseve dhe të anëtarëve të kryesisë së shoqatës, i është arritur këtij qëllimi. Midis të tjerave, në pushimin midis orëve të mësimit, herë pas here organizohen festa të thjeshta me ushqimet dhe pijet që pëlqejnë fëmijët. Në këtë drejtim japin ndihmesën edhe prindërit e fëmijëve. Kështu ndodhi edhe këtë të dielë. Nuk ishte ndonjë gjë e jashtëazakonshme, mandej do të thosha se ishte më se e zakonëshme për këtë shkollë, por e jashtëzakonshme ishte atmosfera që u krijua midis fëmijëve, në veçanti ajo e fëmijëve të vitit të parë.
Qysh kur sollën fëmijët, Dëfrimi dhe Etleva, prindërit e dy fëmijëve që mësojnë në këtë shkollë, na kërkuan lejë që në pushimin midis orëve të festonin me të gjithë fëmijët, mbasi Arbëri, djali i tyre, kisht ditëlindjen, bëhej tetë vjeç. Jo vetëm që u aprovua kërkesa e tyre por u shpreh kënaqësia për një festim të tillë.
Pa mbaruar ora e parë e mësimit, Dëfrimi dhe Etleva sollën ushqime dhe pije. Sapo panë ata, fëmijët u gëzuan se e kuptuan që do të kishin një festë, megjithëse ende nuk ishin lajmëruar.

– Me të përfunduar orën e mësimit, të gjithë fëmijët të kalojnë në klubin e shoqatës se do të festojnë ditëlindjen e një fëmije, – i thashë mësueses pa përfunduar ora e mësimit.
Arbëri qeshi i tëri dhe ngriti dorën.
– Eshtë ditëlindja ime mësuese, – foli ai gjithë gëzim.
Mësuesja e rroku në qafë dhe e puthi me dashuri, kurse fëmijët njëzëri e uruan.
Sapo përfundoi ora e mësimit fëmijët mbushën ambjentet e klubit të shoqatës, klub që ka hapur shoqata kohët e fundit, jo vetëm për burrat, si kafenetë e rëndomta ku nuk shikon asnjë grua, por edhe për gratë e fëmijët. Të gjithë u ulën rreth tavolinave dhe prisnin me gëzim t’u servirej. U aktivizuan jo vetëm prindërit e Arbërit por edhe disa nga anëtarët e kryesisë së shoqatës. Dikush u jepte pjatat, një tjetër letrat për të fshirë duart,një i tretë servirte, në mes të tavolinave, pjatanca të mbushura me patatina disa llojëshe, një i katërt shpërndante gotat dhe fëmijët filluan të hanin gjithë gëzim. Në vazhdim u server kek dhe pije të ndryshme sipas dëshirës. Dilush kërkonte lëngje frutash, dikush koka kola apo sprait. Dikush hante ngadalë e pa u nxituar, dikush tjetër më shpejtë dhe kërkonte përsëri. Ambjenti gumëzhinte si koshere bletësh. Së bashku me fëmijët festuan edhe mësueset, kurse prindërit e Arbërit kujdeseshin që fëmijëve të mos u mungonte asgjë.

Ndërkohë mora aparatin fotografik dhe fillova ta shkrep. Tregova kujdes që Arbër – ditëlindja të fotografohej që ta kishte kujtim këtë festim.
Në fund erdhën dhe qirinjtë e ndezur. Fëmijët i kënduan Arbërit, ai mori frymë thellë, fiku qirinjë dhe gëzohej kur bashkëmoshatrët e tij e uronin: E gëzofsh ditëlindjen edhe 100 vjet të tjera.

Këtë të dielë, ora e dytë e mësimit humbi pak në kohë, por u fitua diçka tjetër, gëzimi i fëmijëve, dashuria për njëri – tjetrin.
Në fund Llazari porositi fëmijët që t’u thonë prindërve, kush të dëshirojë të festojë ditëlindjen mes shoqeve dhe shokëve të shkollës shqipe, është i mirëpritur. Tani me funksionimin e klubit të shoqatës u krijuan mundësi më të mira për festime të tilla.
Mbas 25 minuta feste fëmijët u drejtuan në klasat e mësimit, të gëzuar dhe të gatshëm për të thither sa më shumë nga ato që do u fliste mësuesja.
Edhe ne i urojmë Arbërit : Edhe 100 vjet të tjera së bashku me motrën e prindërit por edhe me shoqërinë e shkollës shqipe “Gjuha jonë”.

Vlashi Fili
Filadelfia, Shtator 2010