MES POETEVE DHE SHKRIMTAREVE SHQIPTARO – AMERIKAN NE NJU JORK

Dy mesazhe në postën elektronike prej Z. Adnan Mehmeti, President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro – Amerikan dhe Z. Dalan Luzaj, kryetar i shoqatës, si dhe një telefonatë e Z. Adnan, këmbëngulnin që të mos mungonim në mbledhjen e radhës të shoqatës më 23 maj, ku do të bëhej edhe panairi i librit shqip, shpallja e fituesve “Pena e artë” në pesë gjinit e krijimeve si dhe zgjedhja e kryesisë së re që do të drejtonte shoqatën për periudhën pasardhëse.

Unë, Ivzi Çipuri dhe Elona Goxhaj kishim një farë detyrimi mbasi jemi anëtarë të kësaj shoqate, por mbasi biseduam me shokët vendosëm që të përfaqësonim edhe shoqatën “Bijtë e shqipes” në këtë takim. Kështu së bashku me ne do të vinin edhe Z. Petrit Zanaj, kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes” dhe Llazar Vero, gazetar dhe anëtar i këshillit drejtues të shoqatës tonë.

Ditën e dielë, e caktuar për takimin, u nisëm qysh në mëngjes. Unë, Petriti, Llazari dhe Ivziu udhëtuam me një makinë, kurse Elona e shoqëruar nga e motra dhe burri i motrës me një makinë tjetër.
Rruga për në Nju Jork kaloi mirë, pa ndonjë shqetësim. Pas dy ndalesave të vogla mbërritëm në qytetin gjigand të Nju Jorkut, në këtë metropol ku midis miljona banorëve janë edhe qindra – mijra shqiptarë. Pak vështirësi hasëm pranë vëndit të mbërritjes se u ngatëruam dy herë, por GPS që Llazari e kishte marë me vete na korrigjoi e më në fund mbërritëm atje ku duhej.

Në sallën ku do të bëhej takimi ishin grumbulluar shumë anëtarë të shoqatës, por edhe dashamirës të letërsisë. Ndërkohë vazhdonin të vinin edhe të tjerë. Në qendër të sallës ishin rreshtuar karriget kurse rreth tyre tavolinat ku poetët dhe shkrimtarët e shoqatës jo vetëm nga Nju Jorku por të ardhur edhe nga qytetet e tjerë të Amerikës, kishin ekspozuar librat e tyre.

U takuam me Z. Adnan Mehmeti, Z. Dalan Luzaj të cilët na pritën me dashamirësi dhe na uruan mirëseardhjen. Z. Mhill Velaj, n/kryetar i shoqatës na priti me krahë hapur. “Sa mirë keni bërë që ardhët si shoqatë”, na tha ai. “E kishim një borxh ndaj jush se na keni ardhur në Filadelfia, prandaj erdhëm”, iu përgjegj Llazari. “U lumshin këmbët se na nderuat”, vazhdoi Mhilli.

Pastaj takuam edhe të tjerët, miken e shoqatës tonë, poetëshën Iliriana Sulkuqi, znj. Këze Zylo, sekretare e shoqatës së shkrimtarëve, Znj. Eleonora Gjoka që kishte ardhur së bashku me bashkëshortin, Z. Kostandin Gjoka, Z. Pjer Pandeli Simsia, aktorin dhe mikun tonë Z. Shaban Lajçi, gazetarin e mirënjohur Z. Dalip Greca, shkrimtarin dhe regjizorin e talentuar “Mjeshtrin e madh” Z. Pëllumb Kulla, etj, etj.
Ishte e papritur për ne prania e të mirënjohurit Z. Fatos Kongoli me të cilin Llazari njihej mirë.Ishte kënaqësi tek takoheshim dhe përqafoheshim me mall me të gjithë të njohurit tanë, shumë prej të cilëve kishin ardhur në veprimtaritë e shoqatës tonë në Filadelfia.
Pataj filloi mbledhja. E hapi atë Znj. Këze Zylo që deri në ato momente kryente detyrën e sekretares së shoqatës. Ajo ia dha fjalën presidentit të shoqatës Z. Adnan Mehmeti për të përshëndetur anëtarët e shoqatës si dhe të ardhurit. Pas tij Z. Dalan Luzaj mbajti fjalën e rastit, ku jepej një pasqyrë e arritjeve të poetëve dhe shkrimtarëve të shoqatës gjatë periudhës që ai ishte në krye të saj.

Më pas u vazhdua me përshëndetjet. Në fillim përshëndeti Znj. Admira Jorgji, konsull i përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Nju Jork. Vazhduan Z. Fatos Kongoli, Z. Gjon Buçaj, kryetar i shoqërisë së mirënjohur “Vatra”, Znj. Cara Lefevre, shkrimtare amerikane por edhe përkthyese nga shqipja në anglisht, Znj. Blerta Alikaj, sponsorizuesja e veprimtarisë, aktori Shaban Lajçi që recitoi nga Shaqir Krasniqi, sipas motiveve të “Lahuta e malësisë”, të përshtatura për luftën e Kosovës.

Z. Mhill Velaj,mbasi përshëndeti, ia dha fjalën Z. Pal Ndreca që raportoi në emër të jurisë për dhënien e çmimit “Pena e artë”.

Mbas dy recitimeve të poezive të Adnan Mehmetit dhe Mhill Velaj, interpretuar nga Shpend Gjokaj, u shpallën fituesit e çmimit “Pena e artë”, për poezinë, tregimin e përkthyer, publicistikën, tregimin dhe romanin. Ato iu dhanë respektivisht: Iliriana Sulkuqit, Mario Dobresku (për përkthimin e librit të Ramiz Gjinit), Ukë Lushit (në mungesë e mori Adnan Mehmeti), Fatjon Pajos (në mungesë e mori Dalan Luzaj) dhe Pandeli Simsija.

Poetja Iliriana Sulkuqi kur mori çmimin i dhuroi dy libra të saj Z. Fatos Kongoli si dhe disa libra për bibliotekën e librit shqip “Prof. Anastas Dodi” të shoqatës “Bijtë e shqipes”. Librat iu dorëzuan Z. Petrit Zanaj, kryetar shoqatës “Bijtë e shqipes”, i cili falenderoi Znj. Iliriana për dhuratën dhe njëkohësisht përshëndeti mbledhjen në emër të shoqatës që ai drejton.

Dy libra të tjerë iu dhuruan shoqatës tonë nga Znj. Eleonora Gjoka, të cilat i mori në dorëzim Z. Llazar Vero, anëtar i këshillit drejtues të shoqatës.

Kështu u mbyll mbledhja por jo veprimtaria. Ndërsa pjesëmarrësit vizitonin tavolinat ku ishin ekspozuar librat, anëtarët e shoqatës u mblodhën në një dhomë tjetër për të zgjedhur kryesinë e re. Në fillim nga Z. Adnan Mehmeti u propozua për kryetar të shoqatës z. Dalan Luzaj. Duke vlerësuar punën e mirë të tij të gjithë ishin dakort që përsëri shoqatën ta drejtoi Z. Dalan. Kur e mori fjalën ai falenderoi për vlerësimin dhe propozoi si n/kryetare Znj. Iliriana Sulkuqi dhe dy sekretar, Z. Mhill Velaj dhe Z. Kostaq Duka. Të gjithë i aprovuan kandidatët e propozuar.
Pastaj u kalua në biseda të lira si dhe u bënë shumë fotografi.

Në këtë kohë veç takimeve dhe bisedave me shumë të njohur, dikush më kapi prej krahu. Kthehem dhe shoh një zonjë elegante dhe simpatike. “Jam Makfire Canolli”, u prezantua ajo.
Me Makfiren kemi shkëmbyer dy mesazhe pak kohë më parë dhe ja ku erdhi rasti të njiheshim nga afër. Ajo banonte në Nju Jork dhe kishte ardhur bashkë me bashkëshortin e saj. U përqafuam me ta sikur të ishim njohur prej kohe, por u njohëm më nga afër në drekën e shtruar ku ishim pranë e pranë. Makfiria ishte një patriote e flakët dhe fliste me pasion për Kosovën dhe Shqipërinë. Megjithëse banonte në Gjermani në kohën e luftës, kishte shkuar në Kosovë. Ftesa që na bëri për të vizitur familjen e saj në rastin më të parë kur të vinim në Nju Jork, tregoi dashamirësinë dhe zemrën e saj bujare. Ajo na dhuroi librin e saj me poezi me titull “Gjurmë nëpër flakë” dhe unë i dhurova dy librat e m’i, “Ju dua”, me poezi dhe “Emigranti”, novelë.
Dreka e shtruar për të gjithë e mbylli veprimtarinë.
Rreth orës 6:30 mbas ditë u përshëndetëm me të gjithë të njohurit e vjetër e të rinj, të cilët na përcollën me dashuri. Urimi për tu takuar përsëri qoftë në Nju Jork apo Filadelfia ishin fjalët e fundit që shkëmbyem me ta.
Paksa të lodhur por tepër të kënaqur morëm rrugën e kthimit.
– Bëmë shumë mirë që erdhëm, – tha Petriti gjatë kthimit.
– Po, me të vërtetë bëmë shumë mirë. Kjo u pa jo vetëm tek pritja që na bënë por edhe në faktin që qoftë gjatë veprimtarisë ashtu edhe gjatë drekës, shpesh përmendej emri i shoqatës tonë dhe flitej për mbresat e mira që kishin ata që kanë qënë tek ne, në Filadelfia.
Vonë, në darkë, rreth orës 9:00 u shpërndamë nëpër shtëpitë tona.

Vlashi Fili
Filadelfia, 23 Maj 2010