MBLEDHJA E PERGJITHSHME E SHOQATES

VETEM ME PUNE TE VAZHDUSHME  DO TA NGREJME ME LART EMRIN E SHOQATES

Shoqata “Bijtë e shqipes” analizon punën e saj

Mbas veprimtarive të njëpasnjëshme gjatë periudhës dy vjeçare anëtarët e shoqatës “Bijtë e shqipes” u mblodhën të shikojnë punën e bërë deri tani dhe të përcaktojnë detyrat për të ardhmen.

Me gjithë kohën e keqe me shi dhe ftohtë, ditën e Dielë me 13 Dhjetor 2009 anëtarët e shoqatës u grumbulluan në Qendrën Kulturore. Në këtë mbledhje veç anëtarëve të shoqatës kishin ardhur edhe simpatizantë të saj mendimet e të cilëve gjithmonë janë mirëpritur në këtë shoqatë.  Mbledhjen e hapi z. Llazar Vero, i cili bëri të qartë programin e kësaj mbledhje.

Z. Vlashi Fili, sekretar i shoqatës propozoi disa çaste heshtje për dy anëtarët e shoqatës që kanë ndëruar jetë: Prof. Anastas Dodi dhe Ferit Gjuzi, si dhe për Aleksandra Rrapi, që u përcoll me hidhërim në banesën e fundit, një ditë më parë, një anëtare e komunitetit shqiptar që ka ndihmuar shumë bashkatdhetarët. Të gjithë u ngritën në këmbë dhe me kokën e ulur qëndruan në heshtje në nderim të larguarëve nga kjo jetë. I përjetshëm kujtimi i tyre.

Pastaj z. Llazar Vero mbajti raportin “Veprimtaria e Shoqatës “Bijtë e shqipes” në Filadelfia”. Në këtë raport bëhej një analizë e punës së këshillit drejtues gjatë periudhës katër vjeçare që z. Llazar drejtoi këshillin drejtues të shoqatës. Midis të tjerave në raport thuhej:

“…….. Kanë kaluar katër vite që kur shoqata jonë u bë me shtëpinë e saj, këtë godinë që kemi sot (por jo kaq të regulluar e të zbukuruaçr) duke e vënë veten si shoqata e parë shqiptare në Amerikë me një godinë funksionale, që bashkatdhetarët tanë e kanë mbiquajtur “Shtëpia e shqiptarit”. Ajo u bë streha e shkollës shqipe “Gjuha jonë”, ku çdo të dielë vijnë e mësojnë gjuhën tonë të bukur fëmijët tanë. Po në këtë godinë së fundi u përurua edhe biblioteka e librit shqip me emrin e anëtarit të nderuar të kësaj shoqate, Prof. Anastas Dodi, pionerit të fonetikës së gjuhës shqipe. ….. Gjatë kësaj kohe, në këtë godinë janë zhvilluar një numër i madh veprimtarish me karakter historik, kulturor, shoqëror, etj……..”

Dhe më tej: “…….. Kur e nisëm këtë rrugë në shërbim të komunitetit, menduam të ndryshojmë diçka për mirë, për të çuar më tej përvojën e mirë të shoqatave dhe individëve në emigracion dhe për t’u shmangur gabimeve dhe mendësive të gabuara të së kaluarës. Dhe deri diku ja kemi arritur. Por jemi larg asaj që duhet të bëjmë….. Duam të kemi një radio apo TV, duam të parakalojmë si të gjithë komunitete e tjerë në 4 korrik, duam të kemi gazetën tonë, duam të na dëgjohet zëri këtu dhe në vendin tonë……”

“….Gjithçka që kemi bërë të mirë në këto vite nuk e kemi bërë për interesa personale, për përfitime dhe lavdi. E kemi bërë se ashtu e kemi ndjerë. Për këtë janë dëshmitarë faktet, njerëzit që na rrethojnë dhe Zoti. Seç thonë gojët e liga nëpër klube, në rrugë apo në takime të ndryshme familjare ne aq na bën. Vërtetë nuk na vjen mirë dhe lëndohemi, por që kur e nisëm këtë punë e dinim se do të kishim edhe nga këto. Por të trëmbeshim nuk do ta kishim nisur fare këtë rrugë. Ne e nisëm me besim dhe këmbëngulje për të ecur përpara dhe sot mund të themi se kemi bërë diçka për komunitetin, kemi bërë një copë rrugë të pastër, me mundin tonë, me atdhedashurinë tonë dhe mbështetjen e njerëzve të mirë që nuk na kanë munguar kurë…..”

Në vazhdim z. Vlashi Fili, mbajti raportin organizativ me temë: “Duhet të punojmë të gjithë për problemet e shoqatës”. Në këtë raport mbasi bëhej fjalë për disa suksese të shoqatës si, shtimi i vazhdushëm me anëtarë të rinj, shpërndarja e anëtarësimeve në rrethinat e Filadelfias, lidhjet që mban shoqata me shumë bashkatdhetarë jo vetëm në Filadelfia dhe shtete të tjera të Amerikës por edhe në Shqipëri dhe disa vende nëpër botë si: Kosovë, Itali, Greqi, Rumani, Danimarkë, Gjermani, Francë e Angli, lidhjet me një seri revista e gazeta nëpër botë ku publikohen materialet e shoqatës sonë, etj. Në vazhdim theksohej për disa dobësi për të cilat nuk është arritur atje ku synon kjo shoqatë. Të tilla janë: rritja e numërit të anëtarëve të shoqatës me rritme më të larta, largimi i disa anëtarëve nga shoqata duke theksuar edhe shkaqet e këtij fenomeni, si dhe vështirësia e mbledhjes së kuotave nga anëtarët si burimi financiar bazë i jetës së shoqatës. Së fundi në raport bëhej thirrje të gjithëve që të punojnë për të shtuar rradhët e shoqatës, për të ruajtur kulturën dhe identitetin tonë, për të ruajtur ndër brezat që po vijnë gjuhën tonë të bukur, për të kujtuar e të mos lënë në haresë njerëzit tanë të shquar dhe ngjarjet që e nderojnë kombin tonë.

Pastaj z. Petrit Zani, shef i departamentit të financës në shoqatë, mbajti raportin financiar. Në raport qartësohej me hollësi aktiviteti financiar i shoqatës gjatë periudhës midis dy mbledhjeve, vënia në baza shkencore e të gjithë aktivitetit financiar, si dhe drejtimet më të rëndësishme ku janë përdorur shumica e fondeve. Të tilla janë: funksionimi normal i shkollës shqipe, rimodelimi i basementit të godinës për të krijuar bibliotekën e librit shqip, aktivitetet përvjetore për Festat e Flamurit, figurat e shquara, etj. Më pas z. Petrit dha një pasqyrë të zërave kryesor financiar ku në përfundim tha: “….Siç shihet fondet e shoqatës janë shumë të kufizuara për të rritur aktivitetin e saj në drejtim të benefiteve të komunitetit tonë…………..Synimi ynë është që kjo shoqatë, si e vetmja e organizuar dhe e strukturuar në qytetin e Filadelfias, të bëhet vatër e gjithë shqiptarëve…..”

Mbas raporteve u kalua në pyetje dhe mendime të anëtarëve.  Në përgjithësi anëtarët e shoqatës por edhe ata që nuk ishin anëtarë por e duan shoqatën, vlerësuan punën e mirë të bërë nga këshilli drejtues, rezultatet e arritura, dhe dhanë mendime për ecurinë sa më të mirë të shoqatës. Kështu diskutuan z. Bashkim Bërdufi, z. Viktor Furxhi, z. Osman Qerimi, z. Sadik Elshani, znj. Suzana Vangjeli, z. Arturo Mucaj, z. Flamur Baze, z. Idajet Ago, z. Ivzi Cipuri, z. Shkëlqim Hazizaj

Në mbledhje u vu re, nga një numër i vogël anëtarësh, një tentativë për të ulur dinjitetin dhe emrin e shoqatës, për të përçarë shoqatën dhe për të nënvlerësuar punën e anëtarëve të këshillit drejtues. Këta me mendësi të cekta, duke u marë me thashetheme dhe me tendenca negative për ecurinë e shoqatës dhe komunitetit, u munduan me forma të ndryshme por që në fund të fundit nuk ia arritën qëllimit mbasi anëtarët e shoqatës u treguan vendin, duke u bërë të qartë atyre se ne duam të jemi një komunitet që të mburemi.  Së fundi u kalua në zgjedhjen e këshillit të ri drejtues të shoqatës. Zotërinjtë Dr. Besnik Budo, Idajet Ago dhe Shkëlqim Hazizaj u zgjodhën nga mbledhja në komisionin e zgjedhjeve. U përgatitën flet-votimet me propozimet për kandidatët në këshillin drejtues. Numëri i kandidatëve ishte 15, kurse në flet-votim do të ngeleshin 11. Votimi u bë i fshehtë dhe mbasi u dorëzuan flet votimet dhe u shqyrtuan ato nga komisioni i zgjedhjeve rezultuan fitues: Sadik Elshani, Vlashi Fili, Ivzi Cipuri, Petrit Zanaj, Viktor Furxhi, Elvira Budo, Llazar Vero, Suzana Vangjeli, Erblina Koka, Bashkim Bërdufi dhe Dhimitraq Xhoxhi.

Këshilli i ri drjtues u mblodh menjëherë dhe përcaktoi:  Z. Petrit Zani – Kryetar i shoqatës  Z. Sadik Elshani – N/kryetar i parë Znjsh. Erblina Koka – N/krytare e dytë  Z. Vlashi Fili – Sekretar  Pastaj mbledhjes iu bë komunikimi i zgjedhjes së kryetarit, nënkryetarëve dhe sekretarit, dhe me urimet për punë të mbarë dhe suksese të mëtejshme u mbyll mbledhja.

Filadelfia, 13 Dhjetor 2009