FESTA E FLAMURIT 2009

RRETH FLAMURIT TE PERBASHKUAR

Mbrëmje festive në Filadefia kushtuar 28 Nëntorit

E shtunë, 28 Nëntor 2009. Shoqata Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia për të tetin vit radhas, organizon “Ditën e madhe të Flamurit”, një veprimtari kushtuar shpalljes së pavaresise dhe të gjithë të rënëve për liri dhe një Shqipëri të mëvetësishme. Gjatë këtyre viteve janë disa mijëra bashkatdhetarë që kanë kremtuar këtë ditë të madhe këtu në Filadelfia, qytetin historik, ku u shpall dhe pavarësia e Amerikës. Dhe nuk kanë qënë vetëm shqiptarë të Filadelfias, por edhe nga shtetet përrreth si nga Nju Xhersi, Nju Jorku, Konektikat, Merilend, etj.

Kështu ndodhi edhe këtë Nëntor. Po të pyesësh miqtë e largët se përse zgjedhin Filadelfian për të festuar këtë ditë të shënuar në historinë ë kombit tonë, përgjigjet janë të thjështa si: “Eshtë Dita e flamurit, ai na thërret, ai na bashkon”, “Në qytete ku jetojmë akoma nuk kemi një shoqatë …”, “Ju e organizoni shumë mirë këtë veprimtari”, “Këtu ka rregull dhe përkushtim në cdo drejtim.…”. Në qendër të bisedave eshtë Flamuri, Dita e Pavarësisë, Plaku i Madh i Vlorës, Ismail Qemali dhe shumë figura të nderuara të historisë tonë. Ky Nëntor është viti i dytë që të gjithë bashkatdhetarët e festojnë me Kosovën e pavarur, me ëndrën e realizuar të burrave të nderuar të Kosovës, si Hasan Prishtina, Isa Boletini etj., që dhanë aq shumë për pavarësinë e Shqipërisë, por që nuk mund ta gëzonin atë në trojet e veta. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!

Një rol jo të vogël në emrin e mirë të kësaj veprimtarie në këto vite ka patur edhe orkestra “Alba” nën drejtimin e mjeshtrit të muzikës sonë Edi Xhani dhe të pjesëtarëve të orkestrës që janë emra të njohur si instumentistë. Edhe kengëtarët që kanë ardhur kanë qënë nga më të mirët e në mos më të mirët e muzikës sonë të lehtë dhe popullore si Aurela Gace, Irma Libohova, Frederik Ndoci, vellezerit Zena, Gezim Nika, Ermira Babaliu, etj. Edhe këtë herë grupi “Alba” kishte ardhur me një ekip “të ri” këngëtarësh me në krye të mirënjohurën Morena Reka. Megjithëse tashmë nënë e katër fëmijëve, vitet nuk e kanë cënuar aspak zërin e saj të fuqishëm. Me një regjistër të gjerë vokal ajo përballoi me sukses si këngët e muzikës së lehtë ashtu edhe ato popullore të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Pjesëmarrësit në mbrëmjë shprehën vlerësime të larta edhe për Dukë Veizin me këngët e Jugut të Shqipërise apo Nikë Çarkun me këngët shkodrane dhe nga krahina të tjera të Veriut. Ishte e gjithë Shipëria mes kengëve dhe valleve që na sollën artistët tanë.

Qëndruam paksa që në fillim të kësaj kronike mes artistëvë tanë për të shprehur mirënjohjen për punën e tyre të shkëlqyer për të mbajtur gjallë jetën tonë artistike edhe këtu larg në Amerikë, për të zbukuruar festat dhe gëzimet tona familjare.

Festa për kryesinë e Shoqatës “Bijtë e Shqipes” kishte kohë që kishte filluar. Ishte gjithë muaji Nëntor një përgatitje e gjatë dhe e lodhshme, që nisi me përgatitjen e posterave, të biletave, përgatitja për llotarinë tradicionale te mbrëmjes, menuja e darkës, e shumë e shumë gjëra “të vogla”, që përbëjnë të tërën. Që të gjitha këto punë bëjnë pjesë në anën e padukshme të të gjithë veprimtarisë, por që në të vërtetë kërkuan shumë lodhje dhe stress nga Vlashi Fili, Viktor Furxhi, Elvira Budo, Suzana Vangjeli, Llazar Vero, Petrit Zanaj etj.

Për mbarëvajtjen e kësaj veprimtarie cdo vit kanë dhënë ndihmesën e tyre në të holla edhe bisneset shqiptare. E veçanta e këtij viti ishte se këto ndihma erdhën pa ndonjë lajmërim të posaçëm, por me nismën e vet bashkatdhetarëve tanë. Kështu vepruan doktoresha Silvana Çumani, pronari i agjencisë “ALBTRAVEL” Jorgo Xhori, veprimtari i njohur i komunitetit Sadik Elshani, pronari i qendrës së shërbimit të makinave “A&L”, Lorenc Xhemali, etj.

Le të kthehemi edhe një herë pas në kronikën e mbrëmjes. Si zakonisht mbrëmjen e hapi kryetari i Shoqatës ‘Bijtë e Shqipes” zoti Llazar Vero, që së bashku me anëtarët e tjerë të kryesisë ne krye të sallës, i uruan mirëseardhjen të gjithë bashkatdhetarëve. Pastaj u ekzekutuan Himnet kombëtare të Amerikës dhe të Shqipërisë. Ndërkohë gjithë salla ishte ngritur në këmbë për të nderuar të dy himnet. Me zërin e fuqishëm të Morena Rekës u bashkuan edhe zërat e të gjithë pjesëmarrësve. Këto janë me të vërtëtë çastet më solemne të mbrëmjes. Zonja Suzana Vangjeli, anëtare e Kryesisë së Shoqatës i përshëndeti pjesëmarrësit me një fjalë të shkurtër, në nderim të të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e vendit, 97 vjetorit të ngritjes së Flamurit në Vlorë dhe 65 vjetorit të Çlirimit ta Atdheut nga bisha naziste. Sekretari i Shoqatës, zoti Vlashi Fili lexoi me tej pershendetjet e ardhura nga larg dhe midis tyre atë të kryetari te Bashkisë së Kuçovës zotit Artur Kurti. “…Ndjek me vëmendje zhvillimet tuaja dhe më bëhet zemra mal kur shikoj që tani keni edhe bibliotekën tuaj me libra shqip, dhe mbi të gjitha që ndjeheni pjesë e një komuniteti që për ju ka vlerën gati të një familje….”, shkruante midis të tjerave zoti Artur Kurti.

Nje moment i bukur i mbrëmjes ishte dhe ardhja e bashkatdhetarëve tanë kosovarë, zotit Shefki Mexhuani, themelues i Batalionit “Atlantiku” të formuar me burra nga emigracioni shqiptar në Amërikë, që shkuan për të luftuar për çlirimin e Kosovës nga thundra sërbe. Djemë të këtij batalioni e treguan me vepra atdhedashurinë dhe dhanë edhe jëtën për lirinë e Kosovës.. Zoti Shefki ka qënë edhe drejtor i Fondit “Vendlindja thërret”, dhe kujton me respekt kohën kur erdhi në Filadelfia për ndihmë dhe gjeti përkrahjen e ngrohtë të bashkatdhetarëve. Midis miqëve kosovarë ishin edhe Shaban Lajci –aktor, Qazim Doda, gazetar dhe Isak Bilalli, nëpunës.

“ Thamë ta kalojmë këtë mbrëmje të shënuar të historisë tonë me ju. Perherë këmi qënë bashkë dhe tani më shumë se kurrë”, tha gjatë bisedës zoti Shefki. “Një nga bukuritë e kësaj mbrëmje të organizuar kaq bukur janë këta fëmijë që lodrojnë të gëzuar. Kjo mbrëmje do të mbetet gjithë jëtën në kujtesën e tyre. Nuk ka me bukur.

Nderkohë Shaban Lajci ishte veshur me kostumin kombëtar të burrave të Kosovës dhe me një grup fëmijësh hipi në skenë. Fëmijët mbanin flamurin tonë kombëtar dhe ai midis tyre recitonte sic di ai, me zemër dhe art vargje për flamurin. Salla heshti. Zëri i tij i thellë e burrëror i kishte pushtuar të gjithë.

Kjo ishte diçka e pa programuar, por kaq e bukur dhe e duhur sa s’ka më mirë. Të faleminderit Shaban Lajci! Ju faleminderit të gjithë ju vëllezër nga Kosova, që na shtuat gëzimin në këtë mbrëmjë kushtuar Flamurit. Përherë bashkë qofshim,”rreth flamurit të përbashkuar”.

Muzika i thirri përsëri njerëzit në valle. Zeri i Morena Rekës me këngën “Valsi i lumturisë”, na solli pranë atë vajzë 16 vjeçare që u ngrit në skenën e Festivaleve të Radiotelevizionit Shqiptar falë talentit të saj. Morena la gjurmë në këngën e muzikes së lehtë dhe është akoma në formë për të dhënë akoma më shumë. Pastaj Duk Veizi dhe Nikë Çarku, më tej orckestra me vallen Pogonishte….Njërëzit nuk duan të ulen.

Një ndërpreje tjetër e bukur. Organizohet llotaria e mbrëmjes. Nuk janë pak sendet e blera për këtë qëllim. Kjo krijoi me të vërtetë një atmosferë të gëzuar.

Përsëri muzikë. Këngë e valle nga e gjithë Shqipëria. Orkestra dhe kengëtarët nuk ndjejnë të lodhur. Kjo atmosferë e bukur dhe e ngrohtë u jep një kënaqësi të veçantë edhe atyre.

Mirupafshim në veprimtari të tjera ! Kjo ishte përshëndetja e të gjithë pjesëmarrësve duke u larguar nga kjo mbrëmje tradicionale kushtuar Dites se Pavarsisë, Ditës së Flamurit.

LAVER NIKU