BIBLIOTEKA E LIBRIT SHQIP NE FILADELFIA

Data e 1 Nëntorit 2009 do të ngelet në historinë e Shoqatës “Bijtë e shqipes” si një datë që rezaton pjesë nga kultura e gjuha shqipe, letërsia e historia jonë. Në Qendrën Kulturore të kësaj Shoqate u përurua Biblioteka e Librit Shqip “Prof. Anastas Dodi”, një ngjarje kjo që së bashku me krijimin e kësaj shoqate në vitin 2002, hapjen e Shkollës Shqipe “Gjuha jonë” në vitin 2004, ndërtimin dhe përurimin e Qendrës Kulturore në vitin 2006, përbëjnë ngjarjet më të shënuara në jetën 8 vjeçare të shoqatës me emrin “Bijtë e shqipes”.

Idea e kësaj biblioteke ka lindur herët, qysh me krijimin e shoqatës, por ajo u bë realitet dy vjetët e fundit kur nga një ambjent shumë i shkatëruar, që të vinte ndot ta shikoje, mendja e krahu, mundi e djersa e anëtarëve të shoqatës dhe simpatizanëve të saj e kthyen në një sofër të ngrohtë e moderne, në një copë Shqipëri këtej Antllantikut, në Filadelfian e largët.

Nëntori i para pak ditëve mblodhi në Qendrën Kulturore të Shoqatës, si asnjëherë tjetër, një numër të madh bashkëatdhetarë nga Filadelfia. Së bashku me tai shin aty edhe z. Mëhill Velaj, znj. Ilirjana Sulkuqi, znj. Rajmonda Moisiu, z. Shaban Lajçi dhe z. Edmond Ismailati me bashkëshorten, të ardhur nga Nju Jorku si dhe z. Petraq Pali i ardhur nga Virxhinia. Por aty ishin edhe Klubi i Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita” me Revistën Letrare – Artistike “Pelegrin” nga Greqia, z. Fatmir Terziu nga Anglia, z. Aleko Likaj nga Franca, z. Auron Dodi nga Gjermania dhe z. Naum Prifti nga Nju Jorku, përshëndetjeve të të cilëve iu rezervua një vend i veçantë në veprimtari. Nuk munguan aty edhe Prof. Dr. Skënder Kodra, z. Pandeli Simsia, çifti Kreshnik dhe Aneta Xhiku, znj. Albana Lifshin, znj. Eleonora Gjoka, z. Minella Aleksi, znj. Kozeta Zylo, z. Edmond Xhani që nëpërmjet internetit apo telefonit dërguan urimet e tyre.

Merrte pjesë gjithashtu edhe znj. Ksanthipi Dodi, e veja e Prof. Anastas Dodi.

Ceremonia e përurimit të kësaj biblioteke u gërshetua edhe me përkujtimin e poetit tonë të shquar lirik Llazar Gusho – Lasguash Poradeci në 110 vjetorin e lindjes.

Në këtë ceremoni u fol për punën e madhe që është bërë deri në përurimin e bibliotekës, për rëndësinë që mer kjo bibliotekë në ruajtjen e gjuhës shqipe, në trasmetimin e kulturës dhe historisë sonë tek brezi i ri. “……. Jemi mbledhur sot për të përuruar Bibliotekën e Librit Shqip “Prof. Anastas Dodi”, një objekt ky për nga forma dhe përmasat jo i madh, por për nga brendia qëllimi dhe rëndësia me përmas të mëdha, sepse aty gjejmë Shqipërinë tonë, aty gjejmë gjuhën e bukur shqipe, aty gjejmë pjesë të historisë sonë, aty gjejmë njerëzit tanë të shquar të letrave….”, tha Z. Vlashi Fili, Sekretar i Shoqates, në hapje të veprimtarisë.  Z. Ivzi Çipuri, anëtar i këshillit drejtues të shoqatës, në fjalën e rastit, midis të tjerave tha:

“….Kjo bibliotekë e bukur, shumëkush nuk e besonte në fillim, se një gërmadhë e lënë pas dore, ku nuk mund të qëndroje në të për ta parë as pesë minuta, të mund të ndryshohej e të kthehej në një lokal të tillë të bukur dhe të përshtatshëm për bibliotekë…..” dhe më pas:

“… Të ngresh dhe të hapësh një bibliotekë të re do të thotë të krijosh një magazinë të mendimit njerëzor në histori. Çdo lloj magazine tjetër, qoftë edhe me flori e mbushur, nuk do të kishte kurrë atë vlerë që mbart një bibliotekë, një thesar i pa çmuar në shërbim të njerëzimit…….”

Ishte mendim i bukur që kjo ceremoni të shoqërohej edhe me Lasgush Poradecin, poetin tonë lirik në 110 vjetorin e lindjes së tij.  Një kumtesë e ndërtuar dhe e referuar nga z. Llazar Vero, Kryetar i Shoqatës “Bijtë e shqipes” e pasoi këtë veprimtari. Në të bëhej fjalë për jetën e tij letrare si dhe vlerësimet që kanë bërë për Lasgushin, ku midis të tjerave referuesi theksonte:

“….Gjithë jetën e tij është vërtitur midis jetës dhe vdekjes. Në rininë e tij thanë se do të vdiste shpejt nga një sëmundje e pashërushme, por atëherë ai u ngrit më lart….Lasgushi nuk ishte i pari poet lirik i letërsisë sgqipe, por ai ishte i pari lirik i madh dhe modern i letërsisë tonë. Ai i dha gjuhës shqipe atë magji shprehëse për t’i kënduar dashurisë, bukurisë, dhimbjes, hovit të shpirtit, si askush më parë…..

Albanologu ynë i madh Eqerem Çabej e konsideronte Lasgushin si një nga poetët e shquar europianë të kohës. “Ai është si pus i thellë dhe i errët por ka ujë të pastër e të kulluar”, cilësonte  albanologu ynë.  Kritiku i njohur Sabri Hamiti e cilësonte Lasgushin si Princ i Letërsisë Moderne Shqipe. Kurse Robert Elsie, studius i kulturës dhe letërsisë shqipe cilëson: “Poezia e Lasgushit dhe e Migjenit bënë revolucion në letërsinë shqipe”.

Në përfundim z. Llazar recitoi disa vargje nga Lasgush Poradeci.  Nuk munguan në këtë veprimtari edhe përshëndetjet e shumta nga pjesëmarrësit dhe nga ata, që në pamundësi ardhje kishin dërguar të shkruara ato.

Poetja Iliriana Sulkuqi pasi përshëndeti veprimtarinë dhe recitoi vargje nga Lasgushi dhe të krijuara nga ajo për Lasgushin bëri disa dhurata nga pasuria e saj letrare. Tre librat e fundit të saj ia dhuroi zonjës Krisanthi Dodi për familjen Dodi. Kësaj familje ajo i dhuroi edhe pesë libra të dërguara nga poeti Betim Muço. Po ashtu dhuroi shoqatës një numër të madh librash, një abonim në gazetën “Dielli” si dhe një libër të publicistit dhe kritikut të shquar z. Fatmir Terziu.

“Ylli i liqenit” e kishte titulluat poezinë e tij z. Sadik Elshani, kushtuar poetit Lasgush Poradecit, që e recitoi para të pranishmëve.  Ndërsa në përshëndetjen e tij z. Mëhill Velaj, nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë të Amerikës midis të tjerave theksoi: “…. Unë vij nga një cep i Ilirisë në një cep tjetër të Ilirisë, këtu ku po përurohet një bibliotekë që ka vlera të mëdha….”

Me duartrokitje të përzemërta u prit aktori Shabab Lajçi, i veshur me kostum kombëtar. Ai përgëzoi shoqatën për punën e madhe që bën, interpretoi një melodi popullore nga Shqipëria e veriut, me një “instrument” të vogël mjaft interesant (një gjethe), si dhe recitoi me mjaft profesionalizëm një poezi për Shqipërinë.

“Unë pashë këtu një muze të vogël por me vlera të mëdha, tha ia në fund. Për këtë muze edhe unë do të dhuroj diçka”, dhe hoqi nga koka qeleshen e vet dhe e vendosi në tavoline, një gjest i bukur, fisnik dhe patriotik.  Z. Ivzi Çipuri recitoi një krijim të tij për Shqipërinë.

Në vazhdim u lexuan përshëndetjet. Në fillim zonja Krisanthi Dodi lexoi përshëndetjen e dërguar nga Auron Dodi, i biri, dërguar nga Gjermania në emër të familjes Dodi, ku midis të tjerave shkruante: “… Eshtë një nder i madh për familjen Dodi që bibliotekës po i vini emrin “Anastas Dodi”. Me këtë ju i bëni një vlerësim domethënës dhe të denjë veprës së Anastasit, si përfaqësues i shquar i kulturës shqiptare…”

Mjaft i këndshëm ishte momenti kur disa fëmijë, nxënës të Shkollës Shqipe “Gjuha jonë”, njëri pas tjetrit recituan poezi për Shqipërinë, Gjuhën Shqipe, nënën apo natyrën. Ata u pritën  me shumë ngrohtësi dhe u duartokitën.

Me propozimin e z. Petraq Pali të pranishmit nderuar Prof. Anastas Dodi, të nritur në këmbë, me një minutë heshtje.

Në vazhdim u lexuan përshëndetjet e dërguara nga z. Nase Jani në emër të Klubit të Shkrimtarëve Shqiptar në Botë “Drita” dhe Revistës Letrare – Artistike “Pelegrin” në Athinë – Greqi, të zotërinjve Fatmir Terziu, Aleko Likaj dhe Naum Prifti si dhe u njoftua se kishin dërguar urimet e tyre, nëpërmjet inernetit apo telefonit, Prof. Dr. Skënder Kodra, z. Pandeli Simsia, çifti Kreshnik dhe Aneta Xhiku, z. Minella Aleksi, znj. Albana Lifchin, znj. Eleonora Gjoka, znj. Kozeta Zylo dhe z. Edmond Xhani. “…Me bibliotekën e librit shqip, ju i jepni kulturës sonë kombëtare, pasuri dhe kujtesë për të nesërmen, që brezat e ardhshëm, vajzat dhe djemtë, mbesat dhe nipërit tuaj, të kenë një “Vatër” ku të kuvendojnë në gjuhën e prindërve të tyrë dhe të thonë “Jemi shqiptarë”…….”, shkruante midis të tjerave z. Nase Jani në përshëndetjen e tij, që u lexua nga Znjsh. Erblina Koka, anëtare e Këshillit Drejtues të Shoqatës.

“….Të jesh me zemër afër miqve dhe organizatorëve të kësaj feste, natyrshëm ndjen kënaqesi për veten, për krijimtarinë, për librin….. “Një libër i ngjan një kopështi të mrekullueshëm “, thotë afërsisht një proverbë kineze. Kësisoj ju në këtë ditë të shënuar  keni kryer qindra kopështe të pavdekshme, duke vendosur themelet e librit shqip dhe aty përtej Atllantikut, mes bijve të shqipes…..” shkruan në përshëndetjen e tij z. Fatmir Terziu. që u lexua nga Znj. Suzana Vangjeli, anëtare e Këshillit Drejtues të Shoqatës.

“… Personalisht, çmoj atdhedashurinë tuaj, mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët, bibliotekën e pasur në libra të gjuhës sonë amtare, programet edukative që organizoni aty në Filadelfia, vizionin e drejtuesve por edhe angazhimin e dhjetra intelektualëve tuaj, në mbarëvajtjen e saj….”, shkruan z. Aleko Likaj.

Kurse z. Naum Prifti në përshëndetjen e tij na uron: “… Në pamundësi të marr pjesë në gëzimin e madh të përurimit të Bibliotekës së Shoqatës “Bijtë e shqipes” uroj ta kaloni sa më mirë festën….”

Veprimtaria u kurorëzua me prerjen e shiritit të bibliotekës. Znj. Krisanthi Dodi dhe autori i shkrimit patën nderin të presin shiritin dhe të hyjnë të parët në bibliotekën, jeta e së cilës sapo filloi. Në sallë binin në sy raftet e mbushur me libra të dhuruar dhe ardhur nga të katër anët e botës. Në hyrje tre pllaka ku janë gdhëndur me gërma të arta, prej kujt u ndërtua kjo bibliotekë, emrat e bashkëatdhetarëve që punun në këtë objekt me vlerë  si dhe emrat e dhuruesve të fondit të kësaj biblioteke. Në ball të bibliotekës tre portrete, Naim Frashëri, Fishta dhe Kadarea të punuar me cilësi nga piktori Odise Lakuriqi. Shumë fotografi të njerëzve tanë të letrave mbushnin hapësirat midis rafteve me libra.

Të shumta ishin vlerësimet nga pjesëmarrësit, por ne do të shënojmë vetëm dy prej tyre.

Shkrimtari Petraq Pali u shpreh: “Puna e bijve të shqipes nuk mund të natet dot. Kjo shtëpi është me të vërtetë magjike se sa herë që vijmë do na servirë diçka të re”. Kurse i moshuari Sotir Suli që mori pjesë aktivisht në punimet e fillimit të këtij objekti, por për arsye shëndetsore, qysh atëherë nuk kishte ardhur më, tha: “Sa bukur qënka bërë. Do të vij herë pas here këtu të lexoj diçka e të marr ndonjë libër”

Të gjithë në një mendje i uruan kësaj biblioteke punë të mbarë e të suksesëshme.

Kjo veprimtari u mbyll me shijimin e gjellëve të përgatitura me shije nga amvisat tona duar arta.

Filadelfia, Nëntor 2009