PIKNIKU 2009 – NJE DITE SHPLODHESE DHE ARGETUESE

SHQIPTARET E FILADELFIAS ARGETOHEN NE PIKNIKUN VEROR

Kohë më pare Kryesia e Shoqatës “Bijte e shqipes” kishte programuar piknikun me shqiptarët e Filadelfias. Por ata kishin një shqetësim, si do të ishte koha ditën e 28 qershorit, dita e piknikut. Ky shqetësim e kishte bazën në motin e gjithë ditëve të më parëshme.të muajit qershor sepse qysh sa hyri dhe deri më datën 27 nuk kishte bërë asnjë ditë me diell, por vetëm kohë e keqe dhe shi, saqë shpesh njerëzit si me shaka thoshin se kanë ndryshuar stinët. Por dita e shtunë e datës 27 dha një sinjal të mirë. Koha dukej se po përmirësohej.

Dita e dielë e 28 qershorit filloi me një qiell të pastër. Qysh në mëngjes, dielli lëshoi rezet e tij sikur deshte të avullonte lagështinë që kishte marë toka gjatë gjithë ditëve me shi të qershorit. Banorët e Filadelfias vërshuan në Neshamini State Park. Një gjë të tillë e parashikuan Llazari dhe Vlashi, prandaj pa vajtur ora 8:00 në mëngjes, orë kur hapej parku, u gjendën në hyrje të tij. Këtë e kishin parashikuar edhe banorë të tjerë të Filadelfias të cilët me makinat e tyre filluan të grumbullohen në hyrje të parkut.

Koha e kthjellët dhe ambjentet e përshtatëshme që afron parku me pemë dhe hije të shumta në një sipërfaqe të madhe, me tavolina pothuajse në të gjithë teritorin si dhe barbikyt (barbecue) pranë tyre, fusha e futbollit dhe ajo e voleiballit, parku me lodra për fëmijë, pishinat për tu larë dhe larguar të nxehtit, lumi aty pranë ku mund të bësh një shëtitje nën flladin e lehtë që të jep prania e ujit të tij, ftojnë për një pushim të këndshëm si të rriturit ashtu edhe të rinjtë, si të moshuarit ashtu edhe fëmijët.
Sapo u hap parku Llazari me Vlashin rezervuan një sektor me disa tavolina. Mbas tyre mbriti dhe Bashkimi. Tullumbacet e kuq dhe të zeza, ngjyrat e flmurit tone, të vendosura rreth sektorit të rezervuan si dhe flamuri i kuq me shqiponjën e zeze të vendosur në një pemë në qendër të këtij sektori dalloheshin për së largu duke krijuar bindjen tek të tjerët se aty do të ishte diçka e organizuar. Mbasi përfunduan, të tre u ulën në pritje të bashkatdhetarëve.

Nuk vonoi dhe familjet shqiptare filluan të grumbullohen njera pas tjetrës.
– Nuk ishte e vështirë të dalloje qysh së largu sektorin tonë dhe nuk ishte e nevojshme tu telefononim e tu pyesnim se ku jeni, Tullumbacet kuq e zi dhe flamurin i dalluam qysh nga parkimi i makinave, – tha, sapo erdhi me gjithë familjen, Omer Sula, një i moshuar që pak kohë ka që ka ardhur në Filadelfia.

Ndër të parët që erdhi ishte edhe Dëfrim Pajollari me gjithë familjen.
– Pak kohë të lirë kemi se nuk na lë puna, por këtë ditë duam ta shfrytëzojmë për një pushim të këndshëm së bashku me të tjerët në këtë ambjent shplodhës, – tha Dëfrimi.

Sapo vinin njerëzit takoheshin, se veprimtari të tilla shërbejnë edhe për tu takuar e çmallur me ata që nuk i ke takuar për një kohë të gjatë për shkak të kohës së lirë që e kanë me pikatore. Dikush bisedonte , dikush shtronte tavolinën, kurse burrat i vunë flakën qymyrit në barbiky, prej nga filloi të përhapej era e këndëshme e mishit të zgarës (thuhet se barbikynë e bëjnë më mirë burat se gratë, por se sa është e vërtetë kjo vuk mund të thuash me siguri mbasi nuk ka statistika). Fëmijët bashkoheshin dhe luanin rreth tavolinave, mandej ata u bënë të parët gjahtarë të tullumbaceve të cilat i shkëpusnin nga aty ku ishin lidhur dhe loznin me to gjithë kënaqësi. Të tjerë filluan të shijojnë gatimet që kishin sjellë me vete apo ato që përgatiteshin aty. Ja Petrit Zanaj ka qejf të rijë pranë barbikysë por jo të meret me të por të shijojë ato që përgatit miku i tij Dhori Prifti, për të cilin ai thotë se “e qan” barbikynë. Në anën tjetër, Llazari, që si kryetar i shoqatës, veç detyrave për mbarëvajtjen e piknikut, ka detyrime edhe pë familjen, si “kryetar” i saj, ka filluar punën në barbiky për shishqebapët që kanë përgatitur e shoqja me të bijën.

Ambjenti zjente nga bisedat me zë të lartë, nga urimet me gotat në duar (dikush kishte future edhe pak nga ai lëngu i bardhë që në park ishte i ndaluar, por sigurisht pa shkaktuar dëm, vetëm sa për erë, siç shpreheshin ata që e shijonin), nga lëvizjet sa në një tavolinë në tjetrën dhe nga të qeshurat e pastra të fëmijëve që luanin. Disa të tjerë shoqëronin fëmijët në parkun e lodrave të tyre. Por ka dhe gjyshër flokëzbardhur nga mosha që mundohen tu krijojnë kushte të mira nipërve dhe mbesave që nuk mund të lëvizin vet sepse janë bebe por që ky ambjent është për ta i shëndetshëm. Ja Ivziu i lumturuar nga nipi i dytë (djali i vajzës), los me të dhe mundohet që ta bëjë të qeshë, sepse kjo e kënaq shumë. Më tej, zonja e Homerit mundohet t’i jape për të ngrënë sa më shumë mbesës së vogël që me shëndet është si një top i rumbullakët.

Kaluan orët dhe Bashkimi i ngarkuar me organizimin e lodrave kërkon që të fillojnë ato. Vlashi përgatiti litarin për garën e tërheqjes së litarit dhe mori përsipër detyrën e vështirë të gjyqtarit të të gjitha lodrave që do të zhvilloheshin, ndërsa Llazari atë të fiksimit të lodrave në aparatin fotografik.

Të parët matën forcat dy ekipe të meshkujve dhe mbas tyre dy ekipe femrash. Ekipt fituese morën “Trofenë” e vendosur nga këshilli drejtues i shoqatës. Mbas tërheqjes së litarir startuan konkuruesit në vrapimin me këmbë në thes dhe vrapimin me lugë në gojë dhe vezë në to. Garat u ndoqën me interes dhe krijuan një ambjent gazmor. Ato u ndoqën jo vetëm nga familjet tona por edhe shumë prej familjeve për rreth që si edhe ne pushonin. Ata duartrokitën zhvillimin e garave dhe fituesit për të cilët u dhanë edhe “trofetë”.

Mbas lodrave popullore u kalua në fushën e futbollit, ku dy skuadra me lojën e tyre ngjallën emocione. Në fund fitoi ajo e drejtuar nga Ilir Asllani. Në këtë ndeshje u dalluan të dy portjerët e skuadrave, Petriti dhe Bashkimi të cilët morën edhe “trofeun” si futbollistët më të mirë.

Orët kalonin kaq shpejt sa që nuk kuptoheshin farë. Mbasdite vonë, familjet njëra pas tjetrës filluan të largohen të kënaqura se kaluan një ditë shplodhëse, me variacione, si dhe të gatshëm për të filluar mbarë një javë të re.

Të kënaqur ishin edhe organizatorët e piknikut, anëtarët e këshillit drejtues të shoqatës, Llazari, Vlashi, Bashkimi, Petriti, Sadiku, Ivziu, kënaqësi që të jep një punë ndofta e lodhëshme por me rezultate ashtu sic e kishin parashikuar. Dita ishte tepër argëtuese dhe shplodhëse. Ata ndjejnë kënaqësi kur kënaqin të tjerët.

Filadelfia, 28 Qershor 2009