PERKUJTOHET HASAN RISILIA NE 5 VJETORIN E VDEKJES

Përkujtimore me rastin e pesëvjetorit të vdekjes së veprimtarit dhe atdhetarit të palodhur HASAN RISILIA.

Jane te pakët ata shqiptarë në Filadelfia qe në mos kanë provuar ndihmën të  mos kenë dëgjuar emrin e Hasan Risilise. Ishte kjo arësyeja që në mbrëmjen e 16 Majit 2009 në sallën e Qendrës Kulturore te Komunitetit Shqiptarë të Filadelfias ishin mbledhur aq shumë njerëz. Salla u mbush plotë dhe një pjesë e tyre qëndronin para e pas sallës, jashtë në një ambjent të pastër dhe çlodhës. Përkujtimi i të ndjerit Hasan Risilia  në të vërtët, filloi shumë kohë para se të fillonte ceremonia e pesëvjetorit te ndarjes së tij nga jeta. Të gjithë sillnin kujtime dhe mbresa nga takimet me të, ndihmën që u kishte dhënë, këshillën që u kishte thënë.   Më të shqetesuarit ishin organizatorët e këtij takimi pjesëtarë të familjes së të ndjerit dhe sidomos i vëllai zoti Benjamin Risilia, drejtuesit e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Bijtë e Shqipes”. Zoterinjte Adrian Veseli dhe Besnik Xhafa që u moren me përgatitjen e materjalit kryesor të këtij takimi, për jetën dhe veprimtarinë e Hasan Risilise, gjatë pothuaj 50 vjetëve të qëndrimit të tij në Filadelfia. Zoti Adrian Veseli kishte përgatitur edhe një DVD me fotografi nga jeta  e tij dhe muzikë nga Vlora e tij e dashur dhe treva të tjera shqiptare.

Mbledhjen e hapi zoti Benjamin Risilia i cili në fjalën e tij pasi falenderoi pjesëmarrësit,ndërmjet të tjerash tha se kjo godinë, kjo qëndër kulturore, dhuratë e familjes Risilia për komunitetin shqiptar të Filadelfias ishte edhe një nga ëndërrat e të vellait, Hasanit. Ai u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve për të qenë të bashkuar,për të dhenë ndihmesën e tyre për komunitetin, shkollën shqipe që kishte hapur shoqata në këtë godinë.  Njeriu i fesë, kleriku Ruzhdi Gurra kreu ceremoninë fetare të rastit dhe u lut për bashkimin dhe mbarësin e popullit shqiptar.

Në emër të Shoqatës ‘Bijtë e Shqipes”, foli Kryetari i kësaj shoqate zoti Llazar Vero. Midis te tjerash ai tha se e gjithë jeta e Hasan Risilisë përshkohej nga dashuria për Atdheun, për popullin. Për këtë ai punoi pa u lodhur dhe pa u dekurajuar nga vështirësitë.

Fjalën kryesore në këtë mbrëmje e mbajti zoti Adrian Veseli. Me fakte të shumta nga jeta dhe veprimtaria e Hasan Risilisë, të paraqitura me një dashuri dhe respekt të vecantë, ai e mbajti sallën të mbërthyer për minuta të tëra. E gjitha mund te përmblidhej me një fjalë: sakrificë në emër të dashurisë për Shqipërinë. Dhe të mendosh se e gjithë ajo veprimtari më se gjysëmshekullore ishte bërë nga një njeri që poliemeliti e kishte lenë sakat që në moshën dyvjecare nga të dy këmbët! Jeta e tij ngrihet si nje shembull frymëzimi dhe thirrje për të gjithë ne, të shëndetshmit, që bëjmë pak ose aspak për Atdheun tonë të dashur, për emrin Shqiptar.

Më pas te afërt të Xha Hasanit, shokë dhe miq të tij sollën për pjesëmarrësit mbresa dhe kujtime të shumta nga jeta dhe veprimtaria e tij në shërbim të komunitetit shqiptar. Kështu folën nipërit e tij Durim Peshtani, David Risilia, miku i tij i afërt Mathew Karafiello, jurist i nderuar në Bashkinë e Filadelfias, Eqrem Beqiri, Alketa Peshtani, Suzana Vangjeli, Leonidha Papaj etj.

Pasi falenderoi pjesëmarresit dhe në vecanti ata që morën fjalën në këtë përkujtimore, zoti Benjamin Risilia i ftoi pjesëmarresit në darkën e përgatitur nga familja e të ndjerit, atdhetarit dhe veprimtarit të palodhur Hasan Risilia.

Laver Niku