SHFAQE E BUKUR E FËMIJËVE NË FILADELFIA

Fundviti mbart me vete edhe gëzimet e festave. Të gjithë festojnë sipas mënyrës së vet, simbas veçorive të tyre. Nuk ngelen pas edhe fëmijët e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Filadelfia. Dhe ata veç festimit nëpër familjet e tyre së bashku me prindërit, festojnë edhe së bashku, ashtu siç mësojnë në shkollën shqipe. Dhe ka veçoritë e veta ky festim sepse ata u tregojnë prindërve se çfarë kan mësuar në këtë shkollë.Kështu, në ditën e fundit të shkollës për këtë vit, të Dielën më 23 Dhjetor, ata dhanë para prindërve një program të bukur me recitime dhe këngë. Të gjithë fëmijët, që nga ata më të vegjlit dhe tek më të rriturit, u treguan prindërve se çfar kishin mësuar.
Shfaqia e fëmijëve këtë vit, veç cilesisë, kishte dy aspekte të veçanta nga ajo e viteve të tjera. Së pari, ajo ishte përgatitur në bazë të një skenari, që kishte bërë mësuesja e kësaj shkolle z. Mirjana Kina, dhe së dyti shfaqa u drejtua nga dy prezantuese të vogla, nxënëse të kësaj shkolle, Ardita Koka 11 vjeç dhe Albana Zherka 15 vjeç.
Programi i fëmijëve filloi me “Hymnin e Flamurit” që u këndua nga të gjithë në sallë, fëmijë, mësuese dhe prindër.

Pastaj dy folëset e vogla filluan të paraqesin programin. Ishte kënaqësi të shikoje e dëgjoje kur nxirnin nga goja ato fjalë të bukura. Dhe ja si e filluan programin, duke gërshetuar të folurën, herë njëra dhe herë tjetra.
“ Të dashur, prindër, mësues dhe të ftuar. Mirësekeniardhur në shfaqen tonë. Sot do të sjellim para jush zërat tanë. Eshte kënaqësi të flasësh në gjuhën e nënës, dhe këtë kënaqësi ne duam ta ndajmë me ju. Falenderojmë me këtë rast Shoqatën “Bijtë e Shqipes” që na kanë dhënë mundësinë të mësojmë gjuhën tonë të bukur, mësueset tona të palodhura dhe prindërit tanë të dashur. Dhe tani të këndojmë së bashku këngën e vitit të ri”
Të gjithë filluan të këndonin. Gjithë shfaqia ishte programuar e gërshetuar me recitime dhe këngë. Nuk ngeli asnjë fëmijë pa recitur një pjesë, mandej edhe dy apo tre të tilla. U recituan e u kënduan pjesë për Shqipërinë, Flamurin, natyrën e bukur shqiptare, mësueset dhe prindërit, gjuhën tonë të bukur, alfabetin e shkronjat tona, fjalën shqipe, zoqtë, xixëllonjën, lulet, festën e vitit të ri, etj. etj.
Ndjeheshim krenar tek dëgjonim këta fëmijë që “cicëronin” aq bukur në gjuhën shqipe. E si të mos ndodhte kjo kur dëgjoje Albanën të recitonte “Dua Asdrenin”, Kristin kur recitonte “Bagëti e bujqësi”, Arditën “Shqipëri o jetë gjatë”, Oltionin e vogël që i këndonte lules së pyllit, Ilirën tek recitonte aq bukur “Lamtumirë” të Gjergj Fishtës, Kevin që recitonte “Atdheut”. Po ashtu grupi i fëmijëve të klasës së parë kishte përgatitur një “buqetë” me vjersha. Shefiti “Sa të dua o Shqipëri”, Ani “Zogu dhe djali”, Jetmiri “Për një shkronjë”, etj. Kurse ata të klasës së dytë, me Xhesikën, Klaudianën, Saimirin, Angelën, Aurorën e Danielin, kishin përgatitur një montazh të shkurtër për vitin e ri.
Midis recitimeve u kënduan në grup këngët për Flamurin, Atdheun, mësueset dhe në fund për vitin e ri. U këndua gjithashtu në anglisht kënga e mirënjohur “We with you a merry Christmas”

Të gjthë recituesit u duartrokitën, kurse këngët u kënduan së bashku me të gjithë pjesëmarrësit në sallë. Kur nxënësja Albana Zherka këndoi shumë bukur këngën “Moj e bukura Morenë” të gjithë e pasuan “…E lum e lum / E unë për ty…”.

E mbyllën programin përsëri dy folëset me shprehjet dhe urimet:
ARDITA: Besojmë se fjalët e zërat tanë në gjuhën shqipe, ju sollën kënaqësi në këtë fundviti.
ALBANA: Urojmë të gjith “Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2008”.
Programi u pëlqye shumë nga prindërit. Merita për këtë u takon fëmijëve, por edhe mësueseve të palodhura, Mirjana Kina, Mirela Qirici, Rajmonda Bardhi dhe Kismete Begollari.

Gëzuar festat e fundvitit.

Filadelfia, 25 Dhjetor 2007