PROMOVOHEN LIBRAT E DY AUTOREVE NE FILADELFIA

Përvoja e pasur, e fituar me punën e vet, në Shoqatën “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, vihet re edhe në organizimin e promovimeve të librave të autorëve shqiptar me banim në Filadelfia dhe qytetet e tjerë të Amerikës, si një nga drejtimet e veprimtarive të shumta që organizon kjo shoqatë. E tillë ishte edhe veprimtaria e organizuar ditën e Shtunë më 22 Shtator 2007, në Qendrën Kulturore të Komunitetit Shqiptar të Filadelfias, kur u mblodhën bashkatdhetarët tanë letërsidashës, për të promovuar dy libra të dy autorëve me banim në Filadelfia. Pikërisht kjo ishte edhe e veçanta e këtij promovimi, të cilin e theksoi z. Llazar Vero, kryetar shoqatës, në fjalën e tij të hapjes, ku e gërshetoj atë edhe me nota të këndëshme humori: “…..Sot kemi midis nesh dy autorë nga Filadelfia edhe nga Fieri. Sotiraq Binjakun që është puro fierak dhe Vlashi Filin, që megjithëse është lindur në Kuçovë, ka banuar shumë vjet në Fier, për më tepër ka marë nusen nga Fieri, dhe duke qënë se ne themi “është nga fshati i nuses”, pra edhe atë e konsiderojmë nga Fieri. Të dy autorët paraqiten sot me vëllimet e tyre të fundit, Sotiraq Binjaku me “Bebe prej dylli”, me tregime të shkurtëra dhe poezi, dhe Vlashi Fili me “Njerëz të mirë” me tregime dhe novela”. E përbashkëta e të dy autorëve është mërgimi, malli, dashuria. E veçanta e tyre është se libri “Bebe prej dylli”është i tëri mall, i tëri dhimbje mërgimi, dashuri për vendin, kurse libri “Njerëz të mirë” është më i gjërë, shtrihet në kohë shumë larg deri në ditët tona, ka ngjarje nga Shqipëria dhe Amerika me të përgjithshmen, dashuri për njerëzit….”

Në analizën që iu bë të dy vëllimeve u theksua puna e suksesëshme e bërë nga të dy autorët, qartësia e mendimit dhe gjuha e komunikushme në saj të thjeshtësisë të përdorur në to.
Analizën e librit “Bebe prej dylli” të autorit Sotiraq Binjaku, e kishte përgatitur Z. Petrit Zanaj, kurse atë të librit “Njerëz të mirë”e kishte përgatitur Z. Ivzi Cipuri.
“…..Sapo fillon të lexosh faqet e para të librit “Bebe prej dylli”, theksoi midis të tjerave në analizën e tij Z. Petrit Zanaj, e kupton se autori jeton në emigracion, brenda halleve tragjike e vorbullës së problemeve morale të një emigracioni të dhimbshëm, por që i mungon vendi i tij. Me mjë klithëm, brenda dhimbjes së vet, autori bën thirje ndërgjegjes shqiptare që të mos harrojë atdheun. Me gjuhën e përdorur ai jep mesazhin me vlerë se, “guri i rëndë në vendin e vet”. Libri është një hymn për dhimbjen njerëzore, dhimbjen që përjetoi e po përjeton shoqëria shqiptare, populli ynë, prindërit e fëmijët tanë, djemtë e vajzat e pafajshëm që morrën rrugën e kurbetit për një jetë më të mirë….”
“…Tematika që trajtohet në librin “Njerëz të mirë”, mbetet shumë aktuale, tha midis të tjerave Z. Ivzi Cipuri në analizën e tij. Autori duke bërë thirrje që të mos harrohet e shkuara, thekson për të ndërtuar më mirë të ardhmen. Libri të bën të përjetosh ato ngjarje dhe atë lloj jete që kemi kaluar të gjithë, por veçanërisht brezi i vjetër, ku bënë pjesë edhe autori, por jep mesazhin që të mos ngelemi aty por të shikojmë me guxim përpara. Një tjetër veçori është se, vazhdimisht, autori, vë në plan të parë jetën familjare, me gëzimet dhe hidhërimet e saj, duke theksuar marrëdhëniet e shëndosha mbi bazën e ndershmërisë, sinqeritetit, dashurisë dhe respektit brenda gjirit familjar si bërthama kryesore e shoqërisë……”
Të dy folësit e mësipërm theksuan se të dy vëllimet janë shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe lehtësisht të komunikushme.
Larmi në këtë takim solli Znj. Suzana Vangjeli që recitoi bukur poezitë e Sotiraq Binjakut me titull “Letër nënës” dhe “Me Naim Frashërin në mërgim”

Më pas diskutantët vlerësuan dy vëllimet e paraqitura.
“…Në përgjithësi sapo lexoj faqet e para të një libri unë vlerësoj gjithë librin, tha midis të tjeravë Znj. Tatjana Vero. Kur fillova të lexoj “Bebe prej dylli” menjëherë më tërhoqi. Tema e librit ishte malli, por ky mall jepesh në shumë forma, me shumë dritë, që kishe dëshirë ta lexoje, prandaj dhe libri më tërhoqi dhe më pëlqeu shumë…..”
“…Për librin “Bebe prj dylli” dua të them se në poezitë dhe tregimin e tij, që janë të gjitha nga emigracioni ka shumë mall, aq më tepër që duke qenë kaq larg sa jemi ne, ky mall shtohet shumë, tha midis të tjerave në fjalën e tij, Z. Zani Balla. Kurse librat e autorit tjetër unë i kam lexuar të gjithë. Ato janë shumë tërheqës. Edhe me librin e fundit “Njerëz të mirë” ndodh e njëjta gjë. Aty gjen frymën e optimizmit, të kurajos, për të çarë në jetë, për të jetuar sa më mirë…..”
Kurse Z. Llazar Vero në fjalën e tij midis të tjerave vuri në dukje: “…..Fjala e bukur, fjala e mirë dhe emocionet që mbartin si tregimi dhe poezia në vëllimin “Bebe prej dylli” janë të komunikushme dhe duke patur lirizmin brenda të emocionojnë. Në poezitë e tij, Sotiraqi të bën të qash, me dhimbjen e mallit që i përshkon ato…. Përsa i përket botimeve letrare të autorit “Njerëz të mirë” unë e kam kaluar të gjithë në dorë, dhe nga vëllimi në vëllim ka një ngritje të dukëshme artistike. “Njerëz të mirë” është mjaft i realizuar, shumë njerëzor, ka jetën e përzier me hallet, humorin, ndershmërinë, vuajtjet. Novela e fundit në libër, zë një vend të veçantë në krijimtarinë e autorit. Në libër në përgjithësi është jeta shqiptare me të gjitha detajet e saj…”

Mbas vlerësimeve të librave, të dy autorët falenderuan pjesëmarësit në sallë, diskutantët për fjalët inkurajuese dhe organizatorët e këtij promovimi, Këshillin Drejtues të Shoqatës “Bijtë e Shqipes”.
Një kuti e bukur pegxhigllasi me një stilokalem dhe një stilet brenda, dhuruar të dy autorëve nga Z. Llazar Vero ishte një urim shumë domethënës për autorët në mbyllje të promovimit.
Pastaj pjesëmarrësit kaluan në biseda të lira, të shoqëruar nga një kokteil. Me librat në duar ata i kërkonin autografë autorëve.

Filadelfia,25 Shtator 2007