FESTOHET GEZUSHËM FESTA E FLAMURIT NË FILADELFIA

Tashmë është bërë një traditë e bukur festimi i Ditës së Flamurit midis shqiptarëve të Filadelfias. Ky festim është bërë i mirëorganizuar që kur e ka marë përsipër, qysh para katër vjetëve, Kryesia e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”.

25 Nëntori 2006, ditë kur u bë festimi i kësaj ngjarje ishte një ditë me të vërtetë e bukur, në mbrëmjen e së cilës shqiptarët e Filadelfias, të bashkuar, përkujtuan ngjarjen tonë të madhe, shpalljen e Pavarësisë.
Këtë vit festimi i kësaj ngjarje pati karakteristikat e veçanta, si dhe gjatë festimit disa surpriza mjaft të këndëshme.
– Përgatitjet për këtë festim përfunduan shumë shpejt dhe qysh në muajin tetor gjithçka ishte gati. Kjo në saje të programimit të sakte të proçeseve përgatitore, si dhe punës së të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues të Shoqatës.
– Duke patur parasysh kërkesat për këtë festim, shitja e biletave filloi qysh më 1 Nëntor. Është për tu theksuar, që jashtë çdo parashikimi, biletat përfunduan qysh në javën e parë.
– U bënë në kohë ftesat pë të ftuarit e nderit të cilët na nderuan me prezencën e tyre.
Në mbrëmjen e 25 Nëntorit në lokalin e bukur Cannstatter Volksfest Verein, u bashkuan më se 500 shqiptarë të ardhur jo vetëm nga Filadelfia dhe rrethinat e saj (Upper Darby, Paoli, Drexel Hill, etj.) Por edhe nga Nju Jorku, Nju Xhersi, Montgomery Country, Bucks Country, mandej edhe nga më larg, nga Kanadaja dhe Italia, ardhur enkas për këtë mbrëmje, të cilët jo vetëm ngalën të kënaqur por përgëzuan organizatorët për nivelin e lartë të organizimit të këtij festimi.
Morën pjesë gjithashtu të ftuarit e nderit të mbrëmjes: Z. Fernando Paçini, president i shoqatës të arbëreshëve në Filadelfia; Z. Mikele Xhanpaulo, anëtar i kryesisë dhe jurist i shoqatës të arbëreshëve, miku i shoqatës tonë që na ka ndihmuar qysh në hapat e para të krijimit të shoqatës “Bijtë e Shqipes”; Z. Martin Katro, përfaqësues i “Cardone Industri”; si dhe kongresmeni Z. Robert A. Brady
Artistët e ftuar ishin: këngëtarja jonë e mirënjohur Irma Libohova, ardhur enkas nga Shqipëria për këtë festë, këngëtari i ri i talentuar Edi Duro si dhe humoristi i suksesshëm me banim në Nju Jork, Arjan Rapushaj. Këngëtarët shoqëroheshin nga grupi orkestral “Alba” me drejtues artistik kitaristin e mirënjohur Edmond Xhani.
Kur festuesit mbushën sallën, hymnet e Amerikës dhe Shqipërisë hapën këtë aktivitet të rëndësishëm.

Fjalën përshëndetëse e mbajti znj. Elvira Budo, anëtare e Këshillit Drejtues të Shoqatës. Në emër të këtij këshilli ajo uroj të pranishmit mirseardhjen.
– 28 Nëntori, kjo ditë historike, festohet me gëzim nga të gjithë shqiptarët kudo në botë, – tha midis të tjerave znj. Elvira Budo. – Kjo ditë u arit mbas shumë e shumë përpjekjesh e luftrash heroike të popullit tonëdhe patriotëve brenda dhe jashtë vendit. Në këtë ditë të shënjtë historike ne kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë luftëtarët, heronjtë e kombit shqiptar që dhanë jetën për lirinë e vendit. Sot në këtë ditë, ne shprehim dëshirën e madhe që edhe shqiptarët e Kosovës të realizojnë ëndërën e tyre shekullore, për pavarësinë. Me këtë rast duam të falenderojmë nga zemra popullin dhe qeverinë amerikane për mbështetjen dhe ndihmën e pakursyer që kanë dhënë dhe po japin për aritjen e kësaj dëshire legjitime të shqiptarëve të Kosovës” Ajo e mbylli përshëndetjen e saj me urimin “Gëzuar festën e Flamurit, ditën e Pavarësisë”.
Pastaj z. Llazar Vero, Kryetar i Shoqatës, prezantoi të ftuarit e veçantë të kësaj mbrëmje, anëtarët e Këshillit Drejtues të Shoqatës që janë edhe organizatorët e kësaj mbrëmje, si dhe pjestarët e grupit artistik që marin pjesë. Në përfundim z. Llazar Vero i’u uroi pjesmarësve të kalonin një mbrëmje të gëzuar dhe uroi: “Të rrojë Flamuri, të rrojë Shqipëria”.
Mbas kësaj programin muzikor e çeli këngëtari i ri Edi Duro me këngën “Dua më shumë Shqipërinë”
Për më se 6 orë kënga dhe vallja shqiptare ushtuan fuqishëm në këtë sallë. Këngëtarja Irma Libohova, që mbajti peshën më të madhe në programin e kësaj mbrëmje egzekutoi një larmi këngësh nga të gjitha trevat shqiptare si dhe të muzikës së lehtë, nën tingujt e të cilave festuesit vallzuan dhe kërcyen vallet tona të bukura popullore.

Programi muzikor ishte i ndërthurur me pjesë humoristike të humoristit Arjan Rapushaj si dhe me programin e hartuar nga organizatorët e mbrëmjes festive si: disa njoftime me vlerë, recitimin me shumë pasion të znjsh. Iva Cipuri në pjesë nga poema e Naim Frashërit, “Bagëti e bujqësi”, interpretimin e këngëtarëve të rinj nga Filadelfia, llotaria tashmë tradicionale e kësaj mbrëmje me objekte të vëna nga shoqata, si edhe me ato të dhuruara nga bizesmenët shqiptarë, që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve, etj.

Në vazhdim të festimit pati edhe surpriza të këndëshme nga të ftuarit special të mbrëmjes. Kështu Z. Fernando Paçini, kryetar i shoqatës së arbëreshëve i dhuroi shoqatës tonë një çek prej 200 dollarë; Z. Martin Katro, përfaqësues i “Cardone Industri” dhuroi një pllakë ku shkruhej:
This room is donated to the
Albanian Center
By
Mr.& Mrs Cardone
For the Preservation of the Albanian Tradition
and the enhancement of the Albanian Culture in
this generation and the anes to come

Kështu u njoftua se Z. Michael Cardone, president i “Cardone Industri”, njëkohësisht anëtar nderi i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, mer përsipër shpenzimet për ngritjen e një ambjenti për shkollën shqipe. E urojmë nga zemra Z. Michael Cardone për këtë dhurate të çmuar në shërbim të komunitetit tonë.
Më pas kongresmeni amerikan Robert A. Brady dhuroi shoqatës një Flamur Amerikan që ka qënë ngritur në godinën e Kongresit Amerikan (Kapitol Hill), si dhe çertifikatën shoqëruese në të cilën shkruhej:
The Flag of the Unite State
Of America
This is to certify that I requested that the accompanying Flag be flown
ower the United States Capitol and that the Flag was so flown.
Presented to Albanian American Social Cultural Association on
November 25-th 2006
Robert A. Brady
Member of Congress

Mbas këtyre përsëri këngë, muzikë, valle. Dhe ora 24-00, e programuar për mbylljen e kësaj feste i gjeti të gjithë në kulmin e gëzimit dhe të festimit.

Dalëngadalë salla u boshatis me urimin gojë më gojë: “Ta gëzojmë festën tonë, festën e Flamurit. Kështu të bashkuar u mbledhshim gjithmon.”

Vlashi Fili
Filadelfia, 28 Nëntor 2006